Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Kosova pas rrumbullakimit të shtetësisë po hyn natyrshëm në fazën e zhvillimit ekonomik dhe të integrimeve euroatlantike

5 Mars, 2014

Prishtinë,  5 mars 2014
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi mori pjesë në parakalimin e Forcave të Armatosura të Kosovës që është organizuar për nder të manifestimeve të Epopesë së UÇK-së, në kazermën Adem Jashari, në Prishtinë

Kryeministri Thaçi mbajti një fjalim para ushtarëve dhe oficerëve të Forcave të Armatosura të Kosovës, të cilën po e japim të plotë në vazhdim:
 
E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Jahjaga,
I nderuar kryetar i Kuvendit z.Krasniqi,
I nderuar ministër  Çeku, Zëvendëskryeministra,
I nderuar gjeneral Kastrati,
Të nderuar ministra,
Të nderuar të gjithë ju që jeni prezentë,
Të nderuar ambasadorë,
Të nderuar deputetë,
I nderuar kryetar i Prishtinës, z.Ahmeti
Të nderuar ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të Forcave të Armatosura të Kosovës,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,

 
Sot po fillojmë shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në 16 vjetorin e kësaj ngjarjeje të lavdishme të historisë së re të shtetit të Kosovës.
 
Në prag të 16 vjetorit të Epopesë së Lavdishme Qeveria e Republikës së Kosovës mori vendim për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe krijimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës.
 
Prandaj sot urimet e para shkojnë tek ju të nderuar ushtarë, dhe oficerë, urimet shkojnë tek të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët ngrohtësisht e kanë pritur këtë vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
 
Republika e Kosovës, në këtë mënyrë po rrumbullakon institucionet themelore shtetërore, duke u konsoliduar çdo ditë e më shumë në të gjithë sektorët shtetformues.
 
Zonja dhe zotërinj,

 
Asnjë përparim dhe forcim i shtetit të Kosovës nuk mund të imagjinohet pa përpjekjet e vazhdueshme historike për liri dhe pavarësi.
 
Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, hapi kapitullin më të madh të lavdisë dhe sakrificës për lirinë e Kosovës.
 
Komandanti legjendar, Adem Jashari, bashkëluftëtarët e tij, pjesëtarë të familjes Jashari zhvilluan qëndresën më të rrallë në historinë e çlirimit të kombeve.
 
Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, me një çmim të lartë jetësh e përpjekjesh Kosova po ndërronte rrjedhat e historisë.
 
Po hapej kapitulli i luftës së Ushtrisë Çlirimtare, kapitulli i rrugës drejt fitores dhe lirisë së vendit tonë.
 
Një ëndërr shekullore po kthehej në realitet.
 
Përmasat e këtij flijimi legjendar e zgjuan ndërgjegjen e botës demokratike.
 
Prandaj sot të gjithë këtu jemi të bashkuar, e nderuara familje Jashari, Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës.
 
Gatishmëria për fitoren e lirisë e zgjoi një komb të tërë.
 
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte organizimi politik dhe ushtarak  që e kishin ëndërruar breza të tërë.
 
Ushtria Çlirimtare e Kosovës u bë zëri autentik i vullnetit të qytetarëve tanë.
 
Prandaj të gjithë qytetarët e Kosovës u radhitën nga zëri i historisë.
 
U radhitën me vizionin çlirimtar dhe fitimtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 
Këtë vizion të lirisë, humanizmit dhe demokracisë e mbështeti bota e përparuar.
 
E mbështetën shtetet e  demokracisë perëndimore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet e Bashkimit Evropian, aleanca më e fuqishme ushtarake e botës NATO, për të cilat edhe sot, si gjithherë, shprehim falënderimet dhe mirënjohjet më të mëdha, në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës.
 
Me luftën e drejtë, vendosmërinë heroike dhe mbështetjen ndërkombëtare Kosova realizoi ëndrrën më të lartë të saj – lirinë.
 
Në themelet e kësaj ëndrre qëndron mundi dhe djersa  qytetarëve tanë e mbi të gjitha gjaku dhe sakrifica e dëshmorëve të lirisë.
 
Prandaj, me respekt përjetë përulemi para sakrificës së dëshmorëve të lirisë.
 
Zonja dhe zotërinj,

 
Gjashtëmbëdhjetë vjet pas Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ne kemi shënuar të arritura të pamohueshme, ndonëse kemi ende shumë për të bërë.
 
Kosova është tregim i suksesshëm i shtetndërtimit, fqinjësisë së mirë dhe kultivimit të marrëdhënieve të mira ndëretnike.
 
Kosova, duke kaluar nëpër të një kaluar të rëndë di të çmojë dhe vlerësojë lart paqen, lirinë, barazinë dhe jetën e përbashkët brenda dhe në rajon.
 
Kosova pas rrumbullakimit të shtetësisë po hyn natyrshëm në fazën e zhvillimit ekonomik dhe të integrimeve euroatlantike.
 
Dëshmi e përkushtimit tonë institucional për perspektiven tonë euroatlantike jeni vetë ju të nderuar pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Kosovës, që me profesionalizmin tuaj bëni që të gjithë ne të jemi krenarë.
 
Forca e Armatosura të Kosovës do t’i kenë 8 mijë pjesëtarë vajza dhe djem të Kosovës.
 
Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë profesionale dhe multietnike, do të vazhdojmë të zhvillohemi sipas standardeve dhe natyrisht në të ardhmen e afërt edhe pjesë e NATO-s.
 
Kosova në planin ndërkombëtar shënoi suksese duke u njohur nga 106 shtete, dhe me politikë të qartë të zgjerimit të këtyre njohjeve.
 
Përkushtimi për përparimin dhe zhvillimin e Kosovës është objektivi ynë strategjik.
 
Përkushtimi për përparimin e Kosovës është respekti më i lartë për të gjithë të rënët në themelet e lirisë së vendit tonë.
 
Lavdi Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Lavdi dëshmorëve të lirisë!
Lavdi komandantit legjendar Adem Jashari!

Last modified: 5 Mars, 2014

Comments are closed.

×