Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti viziton Gjilanin, takohet me Kryetarin e Komunës, Alban Hyseni

10 Tetor, 2022

Gjilan, 10 tetor 2022

Kryeministrit i Republikës së Kosovës, Albin Kurti vizitoi Komunën e Gjilanit, ku takoi Kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni.​

Në takimin e zhvilluar në Zyrën e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, kryeministri Kurti u njoftua për punën 10 mujorëshe të kryetarit Hyseni, për rezultatet, planet, projektet e tij si dhe për gjendjen me problemet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet kjo komunë.

Gjatë prezantimit të të arriturave u veçuan shtimi i vlerës së bursave për studentë për 150%, rritja e buxhetit të sportit për 50%, ndërkohë që palestra e Sportit në Zhegër është drejt finalizimit, zvogëlimi për 5 milionë euro të borxheve të akumuluara për më shumë se sa një dekadë dhe investimet e komunës me vlerë 6 milionë euro.

Duke u falënderuar për mikpritjen, Kryeministri Kurti u shpreh se një qeverisje e tillë, e mbarë dhe e drejtë, do të ketë mbështetjen e nivelit qendror me qëllim përftimin e qytetarëve.

U diskutua edhe nevoja për kursim të energjisë elektrike në prag të dimrit dhe për veprimet dhe masat që Qeveria ka ndërmarrë në lehtësimin e gjendjes dhe shpërblimin e qytetarëve kursimtar. U theksua nevoja që të dëgjohen me vëmendje dhe ndiqen me përkushtim porositë e ministres së Ekonomisë, Artan Rizvanolli dhe të institucioneve të Qeverisë për kursimin e energjisë elektrike.

Pas përfundimit të takimit, kryeministri Kurti dhe kryetari Hyseni mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

Paraprakisht, kryeministri Kurti, gjatë qëndrimit të tij në Gjilan kishte marrë pjesë në vendosjen e gur themelit të Qendrës së Mjekësisë Familjare në lagjen Arbëria të Gjilanit dhe  kishte vizituar fabrikën për prodhimin e ëmbëlsirave “Bujana” e cila në mesin e punëtorëve ka të punësuar dhe dy persona me nevoja të veçanta.

Last modified: 10 Tetor, 2022

Comments are closed.

×