Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti vizitoi kampusin e “Microsoft” në Silicon Valley

10 Maj, 2022

San Francisco, 10 maj 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka përmbyllur vizitën në qendrën botërore të teknologjisë së informacionit, Silicon Valley, me një vizitë në kampusin e gjigandit të teknologjisë së informacionit, Microsoft.

Gjatë vizitës ai është pritur nga ekspertët e teknologjisë në Microsoft, Murali Sitaram dhe Shawn Villaron, të cilët e kanë njoftuar kryeministrin për historikun e zhvillimit dhe funksionimin e korporatës multinacionale që merret me prodhimin e softverëve të kompjuterëve, laptopëve, pajisjeve të tjera elektronike dhe ofron shërbime që lidhen me to. Të ardhurat e kësaj kompanie në vitin 2021 arritën vlerën prej 168 miliardë dollarësh.

Kryeministri Kurti e vlerësoi kampusin e Microsoftit në Silicon Valley, si inspirim për komunitetin e korporatës dhe për bashkëpunim ndërnjerëzor. Inovacioni dhe qëndrueshmëria nuk janë në kundërshti, përkundrazi ato burojnë nga njëra-tjetra, shtoi ai.

Duke folur për mundësitë që ofron Kosova për investime, kryeministri Kurti theksoi potencialin e madh dhe gjithnjë në rritje të të rinjve që merren me sektorin e teknologjisë së informacionit.

Ai shprehu gatishmërinë e institucioneve për të siguruar kushtet me optimale për investime të huaja në fushën e teknologjisë së informacionit. Si arsye kryesore pse duhet zgjedhur Kosova si vend për biznes, kryeministri theksoi pozitën e favorshme gjeografike dhe kulturore, popullatën e re, kreative dhe të talentuar, njohjen e mirë të gjuhës angleze, shtrirjen e gjerë të rrjetit të internetit, politikën stabile fiskale, infrastrukturën moderne të transportit etj.

Last modified: 13 Maj, 2022

Comments are closed.

×