Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Vizioni ynë është të bëhemi shtet lider në Investimet e Huaja Direkte dhe në eksporte

14 Dhjetor, 2022

Prishtinë, 14 dhjetor 2022

‘’Vizioni ynë është të bëhemi shtet lider në Investimet e Huaja Direkte dhe në eksporte në rajonin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor’’, u shpreh kryeministri Kurti në fjalën e tij në konferencën vjetore për Investim dhe Eksport, ngjarje kjo që siç u shpreh ai, është një moment shumë i rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës nga i cili varet mirëqenia e popullit por edhe e ardhmja e shtetit.

Kryeministri tha se sheh progres në rritjen e Investimeve të Huaja Direkte dhe të eksporteve duke veçuar se këto Investime janë rritur këtë vit për 47.6%, ndërkaq në vitin e kaluar u patën rritur krahasuar me vitin paraprak për 22 për qind. ‘’Eksportet në vitin 2022 janë rrit për 83.6% krahasuar me vitin paraprak. Ndërkaq e Kemi edhe një rritje tjetër prej 29 për qind po ashtu të eksporteve në vendin tonë. Vitin e kaluar e kemi pas rritjen ekonomike 10.7 për qind të bruto produktit vendor ndërkaq këtë vit do ta kemi 4 për qind pasi që të hiqet inflacioni”, tha kryeministri.

Duke i listuar sukseset në këtë aspekt, kryeministri deklaroi se një pjesë e këtij progresi është e lidhur drejtpërdrejt me progresin tonë në forcimin e shtetit ligjor dhe në përgjithësi të demokracisë sonë.

Për të siguruar rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme në Investimeve të Huaja Direkte dhe në eksporte, kryeministri tha se duhet të kuptojmë qartë se ku qëndrojmë si vend, veçanërisht në raport me vendet fqinje, pra duhet një analizë e duhur e situatës dhe e trendëve.

Për të mundësuar një dialog shumë produktiv publik-privat, Zyra e Kryeministrit do të lehtësojë diskutime gjithëpërfshirëse në shumë nivele dhe me shumë palë të interesuara, duke filluar nga viti i ardhshëm. Ne presim të bashkëpunojmë me të gjithë ju për fuqizimin e rritjes ekonomike për vendin tonë.

Në fund të fjalës së tij, kryeministri kërkoi që Qeverinë e Republikës së Kosovës ta përjetojnë si një infrastrukturë publike për zhvillimin e vendit në të cilin fiton edhe popullsia edhe ndërmarrësia.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Mirë se ju gjej e faleminderit shumë për këtë mundësi e më falni për vonesën sepse angazhime edhe të shumta edhe të pa planifikuara ndonjëherë.

E nderuar Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari,
E nderuar udhëheqëse e Sektorit të Politikave Ekonomike dhe Integrimit Evropian në Zyrën e BE-së në Kosovë, znj. Anna Carin Platon,
E nderuara kryesuese e bordit të European Investors Council, znj. Eriola Bibolli,
Të nderuar përfaqësues dhe udhëheqës të institucioneve, partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë,
Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Mirë se po takohemi bashkë në një moment shumë të rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës nga i cili varet mirëqenia e popullit por edhe e ardhmja e shtetit.

Të thuash se Investimet e Huaja Direkte janë të dobishme për një vend, është bërë njëfarë mënyre klishe në ditët e sotme. Por, në kontekstin ekonomik të Kosovës, me një bazë të prodhimit ende relativisht të vogël, qasja në tregun ndërkombëtar dhe bartja e dijes (pra Know-How) nëpërmjet Investimeve të Huaja Direkte është tejet e vlefshme.

Eksportet nga ana tjetër tregojnë konkurrencën e vendit tonë, që para së gjithash udhëhiqet nga talenti dhe aftësitë tona vendore.

Ne shohim progres në rritjen e Investimeve të Huaja Direkte dhe të eksporteve: Investimet e Huaja Direkte janë rritur këtë vit për 47.6%, ndërkaq në vitin e kaluar u patën rritur krahasuar me vitin paraprak për 22 për qind, kurse eksportet në vitin 2022 janë rrit për 83.6% krahasuar me vitin paraprak. Ndërkaq e kemi edhe një rritje tjetër prej 29 për qind po ashtu të eksporteve në vendin tonë. Vitin e kaluar e kemi pas rritjen ekonomike 10.7 për qind të bruto produktit vendor ndërkaq këtë vit do ta kemi 4 për qind pasi që të hiqet inflacioni.

Pra sa i përket investimeve të huaja direkte, rritjen 22 për qind e kemi bërë 47 për qind, sa i përket eksporteve kemi po ashtu dy rritje, njëherë 83 për qind pastaj edhe 29 për qind të tjera.

Një pjesë e këtij progresi është e lidhur drejtpërdrejt me progresin tonë në forcimin e shtetit ligjor dhe në përgjithësi të demokracisë sonë. Në dy vitet e fundit ne qëndrojmë me krenari në rajonin e Ballkanit Perëndimor në indekset me famë ndërkombëtare kur bëhet fjalë për këta dy tregues. Ta zëmë World Justice Project në mesin e 14 shteteve të Evropës Lindore që nuk janë ende në BE, ne jemi të dytit pas Gjeorgjisë, në mesin e 14 shteteve jemi të dytit, që dy vjet, veç Gjeorgjia është para neve për sundim të ligjit. Ndërkaq në Ballkan jemi të parët që dy vjet dhe sivjet jemi të dytët në botë sa i përket përmirësimit në sundim të Ligjit. Dhe kjo ka ndikuar shumë për ta përmirësuar klimën për ekonomi bashkë me themelimin e Gjykatës Komerciale. Para nesh megjithatë, është një rrugë ende e gjatë.

Vizioni ynë është të bëhemi shtet lider në Investimet e Huaja Direkte dhe në eksporte, në rajonin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Për të siguruar rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme në Investimeve të Huaja Direkte dhe në eksporte, na duhet ta kuptojmë qartë se ku qëndrojmë si vend, veçanërisht në raport me vendet fqinje, pra na duhet një analizë e duhur e situatës dhe e trendeve; Cilat janë përparësitë krahasuese të vendit tonë të cilat do të na mundësojnë që të ecim më shpejtë se sa kushdo tjetër përpara.

Mandej të zhvillojmë një plan konciz të bazuar në rezultate, pra çfarë vlerash të investimeve dhe të eksportit duhet të synojmë vit pas viti.

Pa plan nuk ka as dështim, sepse nuk ke objektiva të cilat nuk i realizon. Neve na duhet të kemi sa më shumë planifikime dhe unë besoj që në vitin e ardhshëm do ta kemi një moment që do të na e mundësojë planifikimin në këto vite si asgjë tjetër, ai është Regjistrimi i popullsisë, i ekonomive dhe i banesave. Pa të dhëna cilësore dhe gjithëpërfshirëse nuk mund të bëjmë politika të qëndrueshme dhe planifikime afatmesme dhe afatgjate.

Tjetra është miratimi i reformave të nevojshme politike dhe ligjore, ulja e mëtejme e burokracisë, pra sa më shumë që të jetë e mundur ajo; angazhim për përmirësime sistematike dhe strukturore, një mekanizëm i integruar zbatues, jo të fragmentuara nëpër institucionet e shtetit; ofrimi i një mjedisi konkurrues që mundëson bërje të biznesit për investitorët e ardhshëm të huaj dhe bizneset vendore, pra infrastrukturë publike të nivelit të lartë; mandej sigurimi i shërbimeve publike efektive dhe në kohë; të krijojmë kushte të favorshme për profesionistët më të mirë brenda dhe jashtë vendit, duke përfshirë mërgatën tonë, për t’u përfshirë në promovimin, mbajtjen dhe kujdesin pasues për rritjen e Investimeve të Huaja Direkte dhe Eksportit dhe të fillojmë transformimin digjital të qeverisë dhe bizneseve, për të rritur efikasitetin dhe produktivitetin në ekonomi.

Të gjitha investimet që i bëjmë nëse nuk investojmë në digjitalizim do ta kenë efikasitetin më të vogël. Sivjet e kemi 12 për qind më të madh buxhetin për arsim sesa në vitin e kaluar. Në vitin e ardhshëm do ta kemi 12 për qind më të madh sesa sivjet. Me i bë bashkë i bjen me krahasua me para dy vjetëve, 26.4 për qind, pra më shumë se çereku i buxhetit të arsimit është shtuar për dy vjet.

Për ushtri këtë viti ka qenë 52 për qind më shumë sesa vjet. Vitin e ardhshëm do të jetë edhe 20 për qind të tjera më shumë se sa sivjet. Po edhe për arsim, edhe për shëndetësi afër 300 milionë euro, 20 për qind të tyre, 60 milionë, për listën esenciale të barnave. Të gjitha këto investime që i bëjmë, pa e bërë edhe transformimin digjital shumë para shkojnë kot.

A asisoj edhe shërbimet bëhen më të mira po edhe shumë para kursehen. Prandaj, do të investojmë shumë në transformimin digjital, i cili e rrit transparencën e proceseve, llogaridhënien e zyrtarëve, cilësinë e shërbimeve dhe produktivitetin në ekonomi. Produktiviteti i bizneseve tuaja varet shumë nga transformimi i gjithmbarshëm i yni digjital.

Qeveria po punon shumë për të përmirësuar të gjithë këta faktorë. Ne po analizojmë një sërë të dhënash që tregojnë mundësi të jashtëzakonshme për eksportin e produkteve ushqimore dhe joushqimore në Bashkimin Evropian. Dhe pastaj edhe në Mbretërinë e Bashkuar, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rajonet e afërta dhe të largëta, si dhe tregjet e mundshme eksporti.

Vetëm në fushën e infrastrukturës publike, deri më tani kemi identifikuar mbi 70 projekte, me vlerë totale prej 1.7 miliardë euro, që shtrihen në të gjithë sektorët mjedisor (ujë, ujëra të zeza dhe menaxhim i mbeturinave) dhe transport (pra hekurudha dhe rrugë). Strategjia jonë e energjisë parashikon rreth 1.5 miliardë euro investime në energjinë e ripërtritshme, të ndara në mënyrë të barabartë midis diellit dhe erës. Më pas, ne kemi mundësi të mëdha për Business Process Outsourcing për kompani të Teknologjisë së Informacionit, por edhe atyre që nuk janë të bazuara në IT, nga përpunimi i drurit, bujqësia dhe përpunimi i ushqimit, lëkura, tekstili, deri tek TIK-u, i cili siç pritej po lulëzon për shkak të rinisë sonë me njohuri të madhe teknologjike.

Për të mundësuar një dialog shumë produktiv publik-privat, Zyra e Kryeministrit do të lehtësojë diskutime gjithëpërfshirëse në shumë nivele dhe me shumë palë të interesuara, duke filluar nga viti i ardhshëm. Ne presim të bashkëpunojmë me të gjithë ju për fuqizimin e rritjes ekonomike për vendin tonë.
Qeverinë e Republikës së Kosovës përjetojeni si një infrastrukturë publike për zhvillimin e vendit në të cilin fiton edhe popullsia edhe ndërmarrësia.

Falemnderit!

Last modified: 20 Dhjetor, 2022

Comments are closed.

×