Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti uron Ditën ndërkombëtare të gjuhës amtare

21 Shkurt, 2023

Prishtinë, 21 shkurt 2023

Në Ditën ndërkombëtare të gjuhës amtare, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim grupin punues për formimin e Njësisë për harmonizim dhe përkthim në Qeverinë e Kosovës.

Shumëgjuhësia është e rëndësishme për multikulturalizmin dhe e ndihmon atë. Tolerancën e zëvendëson me bashkëpunim dhe solidaritet, tha Kryeministri Kurti.
Duke uruar Ditën ndërkombëtare të gjuhës amtare, Kryeministri Kurti tha se shumëllojshmëria gjuhësore përveç se element i trashëgimisë së pasur kulturore, është edhe mjet për të arritur mirëkuptim dhe bashkëpunim të shtuar ndërkulturor në shoqërinë tonë.

Duke vlerësuar arritjet në përdorimin e gjuhëve në Kosovë, u theksua angazhimi dhe përpjekjet e përbashkëta për t‘i adresuar mangësitë që ende ekzistojnë. Në takim u ritheksua rëndësia e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve zyrtare në Kosovë, si dhe u vlerësua puna dhe hapat e ndërmarrë deri më tani për themelimin e Njësisë së Përkthimit dhe Harmonizimit në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Kjo do të lehtësojë qasjen në informata me interes publik, duke siguruar përkthime cilësore të ligjeve dhe akteve nën-ligjore në gjuhët zyrtare të Kosovës.

Shumëgjuhësia dhe edukimi, u veçuan si thelbësore për ruajtjen e identitetit kulturor dhe për mësimin rreth kulturës së të tjerëve, si dhe për forcimin e lidhjeve mes komuniteteve. U vlerësua themelimi i Programit Ballkanistik në Universitetin e Prishtinës, ku studentë nga të gjitha komunitetet mund t’i mësojnë gjuhët e popujve të Ballkanit. Në këtë program, të vetmin në rajon, studentë të komuniteteve të ndryshme mësojnë gjuhët e rajonit së bashku, si dhe gjithashtu mësojnë për antropologji, për linguistikë dhe për teoritë e përkthimit.

Në këtë takim, ku morën pjesë edhe Komisioneri i Gjuhëve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Slavisa Mladenović, si dhe Elizabeth Katherine Gowing, këshilltare e Kryeministrit për Çështjet e Komuniteteve, u ritheksua përkushtimi dhe përpjekjet e Qeverisë për të siguruar mbrojtjen e së drejtës për të përdorur gjuhët zyrtare për të gjithë qytetarët e Kosovës, që të punojnë dhe të arrijnë rezultate bashkërisht.​

Last modified: 21 Shkurt, 2023

Comments are closed.

×