Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti u takua me senatorin Chris Murphy

19 Maj, 2022

Washington D.C, 19 maj 2022

Në ditën e dytë të qëndrimit në Washington D.C., Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është takuar me senatorin Chris Murphy.

Kryeministri Kurti e kishte pritur në vizitë në Kosovë senatorin Murphy në prill të këtij viti. Në Washington D.C., ata vazhduan diskutimet për tema dhe çështje që kremtojnë por edhe synojnë avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve të veçanta ndërmjet vendeve tona.

Kryeministri Kurti e njoftoi senatorin Murphy për vendimin e fundit të Qeverisë për vendosjen e sanksioneve shtesë dhe në përputhje me paketën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian ndaj Federatës Ruse. Duke folur për vizitën e tij atje, kryeministri Kurti foli edhe për takimet me investitorë potencialë, me theks te ata të fushës së Teknologjisë së Informacionit.

Senatori i uroi mirëseardhje në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe tha se vizita e tij dhe takimet e shumta janë rikujtim i marrëdhënieve të pathyeshme ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës. Ai gjithashtu e njoftoi kryeministrin se reputacioni i Kosovës në sektorin e teknologjisë së informacionit është në rritje e sipër dhe ka cituar interesimin e kompanive të këtij sektori për të investuar në Kosovë.

Last modified: 23 Maj, 2022

Comments are closed.

×