Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti u prit në takim nga Jüri Ratas, Kryetari i Parlamentit të Estonisë

18 Nëntor, 2022

Talin, Estoni, 18 nëntor 2022

Në vizitën e tij zyrtare në Estoni, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga Kryetari i Parlamentit Republikës së Estonisë, Jüri Ratas.

Në këtë takim u vlerësuan marrëdhëniet dypalëshe të shkëlqyeshme, u diskutua për çështje të rëndësishme për sigurinë e përbashkët, si dhe për fushat e bashkëpunimit që forcojnë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e Estonisë në rrugën e integrimeve euroatlantike të vendit tonë, si dhe për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët tanë.

Ai theksoi reformat e ndërmarra gjatë qeverisjes së deritanishme, progresin e arritur në ekonomi dhe përmirësimet në indikatorët demokratik në vend.

U bisedua për rëndësinë e solidaritetit me shtetin edhe popullin ukrainas, si dhe u theksuan pasojat nga agresioni ushtarak i Federatës Ruse ndaj Ukrainës. Po ashtu, u fol edhe për ndikimin destabilizues të Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe rrezikun që paraqet për sigurinë kolektive të Evropës dhe vlerat e lirisë dhe demokracisë.

Në Parlamentin e Republikës së Estonisë, Riigikogu, Kryeministri Kurti po ashtu u prit në takim nga Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit, Andres Sutt.

Pjesë e delegacionit të Republikës së Kosovës, që po shoqërojnë Kryeministrin Kurti në këtë vizitë zyrtare, janë edhe Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Emilija Rexhepi, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ambasadorja jo rezidente e Kosovës në Estoni, Shkëndije Geci-Sherifi dhe këshilltari i kryeministrit, Lulëzon Jagxhiu.​

Last modified: 18 Nëntor, 2022

Comments are closed.

×