Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti u mirëprit nga ish-presidenti i Shqipërisë dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Meta

26 Mars, 2023

Tiranë, 26 mars 2023

Në përfundim të qëndrimit njëditor në Shqipëri, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mirëprit edhe nga ish-presidenti i Shqipërisë dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Diskutuan për zhvillimet e fundit në Kosovë në kuadër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Kurti e njoftoi z. Meta për detajet e marrëveshjes së arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut dhe asaj Bazë të dakorduar paraprakisht në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai gjithashtu e njoftoi kryetarin Meta për arritjet kryesore të qeverisjes dyvjeçare në rrafshin ekonomik, social dhe demokratik, dhe për vëmendjen që i është dhënë fushës së mbrojtjes, arsimit, bujqësisë dhe shëndetësisë në buxhetin e vitit 2023.

Kryetari Meta e përgëzoi kryeministrin Kurti për arritjet e qeverisjes së tij, të evidentuara edhe në raportet ndërkombëtare, duke e cilësuar Kosovën si model i suksesit. Dha mbështetjen e tij për qëndrimet dhe qasjen konstruktive të Qeverisë së Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

Last modified: 26 Mars, 2023

Comments are closed.

×