Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti takoi virtualisht ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës

25 Shkurt, 2022

 

Prishtinë, 25 shkurt 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovë, Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministren dhe Ministren për Punë të Jashtme dhe Diasporë, znj.Donika Gërvalla, takoi virtualisht ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës.

Në këtë takim të jashtëzakonshëm u diskutua për agresionin ushtarak dhe invadimin e Ukrainës nga Federata Ruse. Diplomatët tanë, me detyrë në vende të ndryshme të botës, u njoftuan nga kryeministri Kurti dhe Zëvendëskryeministrja Gërvalla për vendimin e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vendosjen e sanksioneve ndaj entiteteve dhe individëve nga Rusia, Bjellorusia dhe dy rajonet e Ukrainës që shpallën ilegalisht “pavarësinë.”

Me këtë veprim Republika e Kosovës u rreshtua përkrah vendeve demokratike, në këtë betejë botërore kundër diktaturës e autokracisë, u theksua në takim.

Ambasadorët tanë bënë të ditura pozicionet dhe zhvillimet e fundit të vendeve pritëse dhe vendeve të tjera që i mbulojnë. Ata po ashtu njoftuan kryeministrin dhe zëvendëskryeministren lidhur me angazhimin e tyre intensiv në përcjelljen e informacionit tek vendet që mbulojnë për pozicionin e Republikës së Kosovës, në mbështetje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës.

Last modified: 25 Shkurt, 2022

Comments are closed.

×