Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti takoi Sir Stuart Peach, i dërguar i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor

24 Tetor, 2022

Prishtinë, 24 tetor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim të Dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach.

Angazhimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër, zbatimi i udhërrëfyesit për energji dhe çështjet aktuale, ishin ndër temat e takimit.

Sir Stuart Peach ritheksoi përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor, si dhe për nismat për bashkëpunim rajonal.

Duke theksuar rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, Kryeministri Kurti ritheksoi synimin dhe angazhimin e Qeverisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Lidhur me invazionin dhe agresionin ushtarak rus në Ukrainë, u theksuan pasojat ekonomike dhe energjetike të agresionit rus. Kryeministri Kurti e njoftoi emisarin Peach për masat e ndërmarra nga Qeveria, në mbështetje të qytetarëve, nëpërmjet Pakos për Përballje me Inflacionin si dhe asaj të Ringjalljes Ekonomike.

U bisedua për bashkëpunimin rajonal dhe Tregun e Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. Po ashtu, u fol dhe për Samitin e Ballkanit Perëndimor “The Western Balkans Summit 2022”, organizim i The Economist, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, që do të mbahet nesër në Prishtinë.​

Last modified: 24 Tetor, 2022

Comments are closed.

×