Bratisllavë, 3 qershor 2022
Pas diskutimit në panelin e Forumit të Bratisllavës GLOBSEC 2022, rreth të ardhmes evropiane
të Ballkanit Perëndimor, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, është takuar me ministrin për Punë të Jashtme dhe Evropiane të Sllovakisë, z.Ivan Korçok.
Kryeministri Kurti duke shprehur kënaqësinë që ndodhet në Bratisllavë, e njoftoi për progresin në vitin e parë të qeverisjes, përmirësimin e indikatorëve ekonomikë dhe të atyre demokratikë, reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimin e krimit dhe të korrupsionit.
Në takim u diskutua për invazionin dhe agresionin e paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë në Ukrainë dhe për rreshtimin e Republikës së Kosovës përkrah Bashkimit Evropian dhe NATO-s në dënimin e sulmit dhe vendosjen e sanksioneve kundër Federatës Ruse.
Kryeministri Kurti theksoi gatishmërinë e qeverisë për të ndihmuar Ukrainën, duke ofruar strehim për 5000 refugjatë dhe akomodim e kushte pune për 20 gazetarë ukrainas.
Ministri Korçok e falënderoi kryeministrin Kurti dhe i shprehu mirënjohjen për dënimin e agresionit në Ukrainë dhe vendosjen e sanksioneve kundër Federatës Ruse, pozicion ky, që vlerësohet shumë nga Sllovakia dhe Bashkimi Evropian.
Kryeministri Kurti potencoi përcaktimin e qartë të Kosovës në rrugën e integrimeve evropiane dhe euro-atlantike dhe theksoi nevojën që Sllovakia t’u bashkohet sa më shpejtë 22 vendeve të Bashkimit Evropian dhe 26 vendeve të NATO-s, të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Kryeministri kërkoi mbështetjen e Sllovakisë për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe anëtarësimin në Partneritetin për Paqe të NATO-s.
U bisedua edhe për dialogun me Serbinë dhe kryeministri tha se dialogu duhet të jetë parimor dhe i përqendruar tek njohja e ndërsjellë.
Kryeministri Kurti dhe Ministri i Jashtëm Korçok biseduan edhe për përvojat e Sllovakisë në tërheqjen e investimeve të jashtme dhe reformimin e prokurimit publik, me ç ‘rast u zotuan që të punojnë së bashku për të ndarë përvojat dhe njohuritë në këtë drejtim.
Last modified: 13 Korrik, 2022