Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti takoi Kryetarin e Komisionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara për Marrëdhëniet me Jashtë, senatorin Bob Menendez

19 Maj, 2022

 

 

Washington DC, 19 maj 2022

Përkushtimi afatgjatë për siguri dhe paqe i Republikës së Kosovës, si dhe rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në NATO, ishin temat kryesore në takimin ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti me senatorin amerikan, Bob Menendez, njëherit Kryetar i Komisionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara për Marrëdhëniet me Jashtë.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si partner i pazëvendësueshëm i Republikës së Kosovës. Në veçanti për ndihmën me trajnime e pajisje për ndërtimin dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Duke i falënderuar për këtë bashkëpunim që vazhdon ende, kryeministri theksoi se Kosova e mirëpret përkrahjen e mëtejme.

Në takim u bisedua për objektivat e përbashkëta, për ta bërë Forcën e Sigurisë së Kosovës forcë moderne, që është e gatshme për mbrojtjen e vendit dhe kontributdhënëse për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal e global. Kryeministri Kurti theksoi solidarizimin e Republikës së Kosovës me popullin e Ukrainës, duke u rreshtuar përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Ai e njoftoi për ofrimin e strehimit dhe kushteve për punë për 20 gazetarë të Ukrainës dhe mundësinë që të strehojmë deri në 5.000 refugjatë.

U diskutua edhe për progresin demokratik e socio-ekonomik në një vit të qeverisjes dhe punën e angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të fuqizuar sundimin e ligjit, për luftimin e kontrabandës, krimit dhe të korrupsionit.

Last modified: 30 Maj, 2022

Comments are closed.

×