Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti takoi drejtuesit e Linkedin

9 Maj, 2022

Kaliforni, 9 maj 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është takuar me drejtuesit e Linkedin, Blake Lewit, zëvendëspresident senior dhe Sue Duke, zëvendëspresidente.

Në takimin e mbajtur në zyrën qendrore të Linkedin, u bisedua për mundësitë që ofron Republika e Kosovës, me pozitën gjeografike, stabilitetin institucional, inovacionin lokal, shpirtin ndërmarrës dhe fuqinë punëtore të re dhe të talentuar.

Kosova është demokracia më moderne në Ballkanin Perëndimor, tha kryeministri Kurti, duke theksuar se këtë vit Kosova u rendit për 17 vende më lart në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, të publikuar nga Reporterët pa Kufij.

Vendndodhja qendrore gjeografike dhe kulturore e Kosovës, e ndërlidhur me kontinentin evropian, paraqet mundësi unike në Evropën Juglindore, tha ai.

Kryeministri veçoi popullsinë e re të vendit, ndërsa tha se potenciali njerëzor që ka Kosova, bazohet në rininë kreative, dhe se nxitjen dhe përkrahjen e aplikuesve të inovacioneve dhe teknologjisë Qeveria e Republikës së Kosovës e sheh si prioritet dhe rrugë drejt zhvillimit shoqëror dhe ekonomisë së qëndrueshme.

Me theks te politika fiskale e qëndrueshme dhe largpamëse, borxhi i ulët publik – me më pak se 20 përqind të Bruto Produktit Vendor, trajtimi ndaj investitorëve të huaj dhe Gjykata Komerciale në themelim e sipër, kryeministri tha se Kosova ofron mjedis të favorshëm për investime dhe të të bërit biznes.

Last modified: 9 Maj, 2022

Comments are closed.

×