Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti takoi anëtarë të Bordit të Fondit Kosovar Amerikan të Edukimit (KAEF)

18 Tetor, 2022

Prishtinë, 18 tetor 2022

Agjendën e takimeve për sot, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e vazhdoi me anëtarë të Bordit të Fondit Kosovar Amerikan të Edukimit (KAEF), të udhëhequr nga Dale Pfeiffer.

Në këtë takim, në të cilin ishin të pranishëm Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi në njërën anë dhe Gjeni Shporta, Jeta Zagraxha, dhe Qëndrim Gashi nga ky Fondacion në anën tjetër, u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për format e reja të tij.

Vëmendje të veçantë të diskutimit pati programi KAEF dhe karakteri i bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë dhe këtij programi.

KAEF është një program arsimor prestigjioz që ofron bursa për studentët e nivelit master në universitetet kryesore të ShBA-së. Deri më tani, mbi 100 studentë premtues kanë përfituar bursa studimi në universitetet më të dalluara amerikane.

Në qershor të vitit 2022, bursistë të KAEF kishin nënshkruar zotimin e tyre për të ofruar pro bono ekspertizën e tyre për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe institucionet e saj.

 

Last modified: 18 Tetor, 2022

Comments are closed.

×