Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti takoi ambasadorin Guérot dhe zv.Drejtorin Guiaugué nga Ministria për Punë të Jashtme të Francës

8 Nëntor, 2022

Prishtinë, 8 nëntor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi për një bisedë miqësore Ambasadorin e Francës në Kosovë, z.Olivier Guérot dhe Zëvendës Drejtorin nga Ministria për Punë të Jashtme dhe Evropë, z.Sylvain Guiaugué.

Kryeministri Kurti i theksoi suksesin e arritur në procesin e Berlinit përmes nënshkrimit të tri marrëveshjeve, që është lajm i mirë për qytetarët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ai i njoftoi miqtë francez me mbarëvajtjen e punës së institucioneve, situatën e sigurisë në përgjithësi, me theks në pjesën veriore të Kosovës, përkushtimin për Agjendën e Reformave Evropiane dhe përsëriti urgjencën për mbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.

U diskutua edhe për zhvillimet e ditëve të fundit. Kryeministri Kurti tha se bojkoti është i nxitur dhe orkestruar nga Beogradi zyrtar dhe është rezultat i veprimeve të tyre të vazhdueshme destruktive në dialogun ndërmjet dy vendeve. Ai ritheksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për ta vazhduar dialogun dhe e angazhuar për rend dhe sundim të ligjit, paqe e siguri në Kosovë dhe rajon.

Ambasadori francez e ftoi Kryeministrin Kurti në javën e Frankofonisë, e cila fillon javën e ardhshme, me shfaqjen e filmave nga kinematografia e pasur franceze. Me këtë rast, Kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për përkrahjen e dhënë nga Franca në fushën e artit dhe pasurimin e skenës kulturore në Kosovë.

Ky takim miqësor u realizua me rastin e vizitës së një delegacioni të gjerë të shtetit të Francës në Kosovë i përbërë nga zyrtarë nga Ministria për Punë të Jashtme e Evropë dhe Ministria e Punëve të Brendshme, me ç’rast janë duke u zhvilluar takime teknike punuese me ministritë tona përkatëse në fushën e bashkëpunimit policor, luftën kundër krimit të organizuar e terrorizmit, menaxhimit të migrimit, azilit, liberalizimin e vizave, frankofoninë dhe marrëdhëniet bilaterale.​

Last modified: 9 Nëntor, 2022

Comments are closed.

×