Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti takoi ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë

28 Qershor, 2022

Prishtinë, 28 qershor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, takoi ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Gjatë takimit u bisedua për vazhdimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë. U diskutua edhe për zhvillimet politike në vend dhe situatën politike në rajon.

U diskutua për proceset dhe çështjet lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe temat tjera të ndërlidhura. Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, që në qendër ka njohjen reciproke.

U bisedua për marrëveshjen për targat, që ka skaduar me 21 prill të këtij viti, si dhe për propozimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për trajtimin e çështjes së targave.

Po ashtu, u fol edhe për marrëveshjen mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015. U theksua angazhimi i Qeverisë në zbatimin e udhërrëfyesit, me qëllim të përfundimit të një problematike të trashëguar, tё furnizimit dhe pagesës sё energjisë nё komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore. U potencua se me këtë marrëveshje, buxhetit të Republikës së Kosovës do t’i kursehen me dhjetëra milionë euro në vit, të paguara më herët për mbulimin e kostove energjetike të komunave në veri të Kosovës.

Last modified: 15 Korrik, 2022

Comments are closed.

×