Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti takoi ambasadorët e shteteve të QUINT-it

3 Mars, 2023

Prishtinë, 3 mars 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, pritën sot në takim ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, për të diskutuar mbi aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Kryeministri Kurti falënderoi ambasadorët dhe shtetet e QUINT-it për mbështetjen e tyre për këtë aplikim të rëndësishëm. Republika e Kosovës ndanë të njëjtat vlera dhe parime me Këshillin e Evropës, dhe këto janë të mishëruara edhe në Kushtetutën tonë, nëpërmjet inkorporimit të konventave të rëndësishme të Këshillit të Evropës. Ai theksoi se përparimet e dukshme të Republikës së Kosovës në indekset ndërkombëtare të të drejtave dhe lirive të njeriut, të demokracisë dhe të sundimit të ligjit, janë disa nga dëshmitë që tregojnë se Republika e Kosovës duhet të jetë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës dhe procesi i filluar i anëtarësimit duhet të vazhdojë pa vonesë.

Zëvendësministri Ahmeti i njoftoi ambasadorët me zhvillimet e deritanishme në procesin e anëtarësimit dhe falënderoi ata për mbështetjen në krijimin e momentumit për kalimin e fazës së parë të procesit. Opinioni ligjor mbi aplikimin e Republikës së Kosovës, i dhënë nga Departamenti Ligjor i Këshillit të Evropës, ka vulosur një herë e përgjithmonë të drejtën e Republikës së Kosovës për të qenë anëtare e plotë në këtë organizatë. Lobimi intensiv dhe i koordinuar me partnerët, ka siguruar mbështetjen e nevojshme për procedimin e mëtutjeshëm të aplikimit të Republikës së Kosovës, drejt anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës.

Gjithashtu, në këtë takim, kryeministri Kurti njoftoi ambasadorët për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë dhe gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vazhduar diskutimet për planin e zbatimit në kuadër të propozimit të BE-së, të përkrahur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Last modified: 3 Mars, 2023

Comments are closed.

×