Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti takohet me Presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Odile Renaud – Basso

28 Shkurt, 2022

Londër, 28 shkurt 2022

Gjatë Samitit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ambasadorin e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti u pritën në takim nga Presidentja e BERZh-it, Odile Renaud – Basso.

Fillimisht, kryeministri Kurti e falënderoi znj. Renaud – Basso për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim i ka dhënë Republikës së Kosovës, në funksion të rritjes së qëndrueshme ekonomike të vendit, veçanërisht në periudhën pandemike. Përveç parametrave makroekonomik të cilët dëshmojnë një përgjigje pozitive të ekonomisë ndaj qeverisjes njëvjeçare, kryeministri Kurti gjithashtu foli edhe për orientimin e qeverisë drejt tranzicionit të drejtë e të gjelbër energjetik.

Më tej, kryeministri Kurti u shpreh se Qeveria e Kosovës synon të hedh hapa të rëndësishëm në rrugën e vendit drejt integrimit në BE, dhe në këtë drejtim e shohim BERZh-in si një institucion të rëndësishëm në zbatimin e Planit Ekonomik dhe Investiv të BE-së.

Ministri Murati, gjithashtu, theksoi se e mirëpresim strategjinë e re vendore të BERZh-it për Kosovën (2022-2027), si dhe vlerësojmë bashkëpunimin dhe përfshirjen e vazhdueshme të BERZh-it në fusha prioritare të identifikuara në këtë strategji, konkretisht mbështetjen në zhvillimin e sektorit privat, tranzicionin e drejt energjetik dhe forcimin e lidhjeve rajonale.

Presidentja Renaud – Basso e vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me Qeverinë e Kosovës dhe theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi në përmbushjen e nevojave të qytetarëve të vendit dhe objektivave të përbashkëta.​

 

 

Last modified: 28 Shkurt, 2022

Comments are closed.

×