Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti takohet me Ambasadorin e ri të Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund

7 Shtator, 2022

Prishtinë, 7 shtator 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në takim mirëseardhës, Ambasadorin e ri të Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund. Ky nuk është takimi i parë i kryeministrit Kurti me ambasadorin Westerlund. 23 vite më parë, në verën e vitin 1998, ata ishin takuar në Suedi në një konferencë ku atë kohë si përfaqësues i unionit të studentëve po merrte pjesë edhe kryeministri Kurti.

Duke kujtuar takimin e parë dhe rrethanat në të cilat ndodhej Kosova dhe populli i saj, kryeministri Kurti e uroi ambasadorin Westerlund për detyrën e re. Ai e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë në ndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës sidomos në projektet e demokracisë dhe qeverisjes së mirë, të drejtat e njeriut, barazisë gjinore dhe ambientit, dhe i ofroi bashkëpunimin e plotë të Zyrës së Kryeministrit. Në këtë drejtim e veçoi si të rëndësishëm bashkëpunimin në projekte gjinore, reformën në administratën publike, sistemin dual të edukimit, Fondit Sovran dhe avancimin e Agjencisë së Statistikave. Ndërkaq në nivel bilateral, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit tregtar ndërmjet dy vendeve. Kryeministri Kurti më tej foli për performancën ekonomike në vitin e fundit dhe indikatorët pozitiv të demokracisë, duke nënvizuar se Kosova është rrëfim suksesi që dëshmon se zhvillimi ekonomik dhe demokracia cilësore mund të shkojnë krah për krah.

Ambasadori Westerlund u shpreh i lumtur që po takohen pas 23 viteve. Ai e falënderoi për mirëpritjen, urimet dhe gatishmërinë për bashkëpunim. Ndër prioritet e tij si ambasador, tha se është  rritja e bashkëpunimit tregtar ndërmjet Suedisë dhe Republikës së Kosovës.

Last modified: 7 Shtator, 2022

Comments are closed.

×