Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Strategjia e Energjisë dhe Ligji për Burime të Ripërtëritshme të Energjisë, ia shtrojnë rrugën Kosovës drejt tranzicionit energjetik

22 Korrik, 2022

Prishtinë, 22 korrik 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Forumin e Solareve në Kosovë për vitin 2022, që ka për qëllim promovimin e investimeve në burime të ripërtëritshme të energjisë dhe është organizuar nga Ministria e Ekonomisë, me mbështetjen edhe të Agjencisë Zhvillimore USAID.

Kryeministri Kurti nisi fjalën e rastit me krizën botërore energjetike dhe sfidat e papara në këtë sektor. Ai theksoi se çështja e energjisë mbetet prioritet i lartë i Qeverisë.

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi duke punuar intenzivisht drejt garantimit të furnizimit, të besueshëm e të përballueshëm për të gjithë qytetarët dhe bizneset. Ky furnizim do të promovojë agjendën e mbrojtjes së ambientit dhe në të njëjtën kohë udhëheqë transformimin tonë socio-ekonomik, si pjesë e tranzicionit të drejtë energjetik”, deklaroi kryeministri Kurti.

Ai theksoi se puna e udhëhequr nga Ministria e Ekonomisë ka vënë themelet për 10 vitet e ardhshme dhe e ka vizionin për energjinë për 30 vitet në vijim. Strategjia e Energjisë 2022 – 2031, si dhe Ligji për Burime të Ripërtëritshme të Energjisë, për herë të parë ia shtrojnë rrugën e Kosovës drejt tranzicionit energjetik dhe dekarbonizimit duke vendosur burimet e ripërtëritshme të energjisë në qendër të saj, tha ai.

Përkushtimi e puna për reforma të domosdoshme ndërsektoriale, sipas kreut të Qeverisë, janë kyçe për të tërhequr investime të mëdha e përmbajtjesore për vendin dhe zhvillimin e tij. ‘’Dhe kur këto përpjekje kombinohen me momentumin që kemi këtë vit për sektor të energjisë, jemi të sigurt që presim zhvillime të mëdha në këtë sektor’’, tha më tej kryeministri.

Teksa foli për synimet për dekadat në vijim sa i përket energjisë, Kryeministri Kurti tha se janë duke i materializuar me projekte konkrete e domethënëse si Parku Solar në KEK, Solar4Kosovo, lansimi i ankandit të parë solar që synohet ta bëjnë në fund të vitit, si dhe investimin më të madh në vend përgjatë dy dekadave të fundit, Programin Kompakt të MCC-së, i cili do të nënshkruhet javën e ardhshme në Washington.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara ministre e Ekonomisë, zonja Artane Rizvanolli

I nderuari Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier,

Të nderuar pjesëmarrës,

Zonja dhe zotërinj,

Në këtë kohë kur i gjithë globi është duke u përballur me sfida të papara në sektorin e energjisë e me tranzicionin energjetik nëpër të cilin jemi duke kaluar të gjithë, padyshim se sektori dhe çështja e energjisë mbetet prioritet i lartë i yni.

Që të dyja, tejkalimi i krizës botërore energjetike dhe tranzicioni energjetik kanë në qendër tri elemente kyçe: e para, garantimi i sigurisë së furnizimit për secilin qytetar të Republikës së Kosovës, e dyta, sigurimi i përballueshmërisë së kostos së energjisë, dhe e treta, diversifikimi i burimeve të energjisë të cilat i përdorim.

Këtë vit, puna jonë e udhëhequr nga Ministria e Ekonomisë ka vënë themelet për 10 vitet e ardhshme dhe e ka vizionin për 30 vite në vijim. Strategjia e Energjisë 2022 – 2031, si dhe Ligji për Burime të Ripërtëritshme të Energjisë, për herë të parë ia shtrojnë rrugën e Kosovës drejt tranzicionit energjetik dhe dekarbonizimit duke vendosur burimet e ripërtëritshme të energjisë në qendër të saj.

Këto synime për dekadat në vijim, jemi duke i materializuar me projekte konkrete e domethënëse si Parku Solar në KEK, Solar4Kosovo, lansimin e ankandit të parë solar që synojmë ta bëjmë në fund të vitit, si dhe investimin më të madh në vend përgjatë dy dekadave të fundit, Programin Kompakt të MCC-së, i cili do të nënshkruhet javën e ardhshme në Washington.

Si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi duke punuar intenzivisht drejt garantimit të furnizimit, të besueshëm e të përballueshëm për të gjithë qytetarët dhe bizneset. Ky furnizim do të promovojë agjendën e mbrojtjes së ambientit dhe në të njëjtën kohë udhëheqë transformimin tonë socio-ekonomik, si pjesë e tranzicionit të drejtë energjetik.

Përkushtimi e puna jonë për reforma të domosdoshme ndërsektoriale janë kyçe për të tërhequr investime të mëdha e përmbajtësore për vendin dhe zhvillimin e tij. Dhe kur këto përpjekje kombinohen me momentumin që kemi këtë vit për sektor të energjisë, jemi të sigurt që presim zhvillime të mëdha në këtë sektor.

Programi Kompakt dhe kapacitetet akumuluese që do të akumulohen me grant të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit do të vendosin Kosovën për herë të parë në krye të zhvillimeve energjetike botërore. Inovacioni i tillë i shërben sektorit dhe i shërben vendit. E inovacioni i tillë mundësohet nga burimet alternative të energjisë e tranzicioni ynë i gjelbër.

Dua të falënderoj përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, të cilët janë pjesë thelbësore e tranzicionit dhe zhvillimit tonë energjetik, dhe në veçanti Agjencinë Zhvillimore USAID, udhëheqësen e së cilës zonjën Zeinah Salahi e kemi këtu me neve, për kontributin e vazhdueshëm edhe në këtë Forum të Solareve.

Bashkë me Ambasadorin Hovenier dhe Ministren Rizvanolli më pas do të vizitojmë Panairin e Solareve dhe ju ftoj të gjithë pjesëmarrësve që jeni këtu sot që të na bashkëngjiteni që të shihni nga afër produktet e shërbimet që ofrojnë kompanitë vendore të solareve, si dhe mundësitë e burimeve të ripërtëritshme të energjisë të cilat tashmë po ofrohen në Kosovë.

 

Last modified: 22 Korrik, 2022

Comments are closed.

×