Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti shtroi darkë për ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias

8 Qershor, 2022

Prishtinë, 8 qershor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka shtruar darkë për ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, i cili qëndroi për vizitë zyrtare në Kosovë.

Gjatë darkës diskutuan për marrëdhëniet e mira mes dy vendeve të cilat, siç tha kryeministri, po zhvillohen gjithnjë e më shumë. Kjo është dëshmi edhe e njohjes së vlerave tona të përbashkëta të lirisë dhe të demokracisë, shtoi ai.

Duke e vlerësuar rolin e politikës së jashtme greke ndaj Kosovës, kryeministri Kurti rikujtoi që 22 vende të Bashkimit Evropian dhe 26 vende të NATO-s, tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri rikonfirmoi përkushtimin dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës për integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe theksoi nevojën për mbështetje për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe anëtarësimin në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

Ministri i jashtëm grek, Dendias, tha se Ballkani Perëndimor i përket familjes evropiane dhe se Greqia është e përkushtuar në ofrimin e ndihmës dhe mbështetjes ndaj rajonit. Ai shtoi se shteti grek do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.

Theks të veçantë gjatë bisedës pati agresioni dhe invazioni rus në Ukrainë dhe ndikimi që mund të ketë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

Last modified: 13 Korrik, 2022

Comments are closed.

×