Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Regjistrimi i popullsisë, një prej ndërmarrjeve më të rëndësishme institucionale

8 Nëntor, 2022

 

Prishtinë, 8 nëntor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në konferencën hapëse të Javës së Regjistrimit të Popullsisë, organizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në kuadër të ZKM-së, mbështetur nga UNFPA-Zyra në Kosovë.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe i banesave përbën një prej ndërmarrjeve më të rëndësishme institucionale në vendin tonë. .

‘’Të dhënat mbi madhësinë, shpërndarjen dhe përbërjen e popullsisë, kushtet e jetesës e niveli i edukimit, janë bilanci empirik i së tashmes dhe baza e politikave për të ardhmen. Ato u mundësojnë të gjithë shfrytëzuesve të të dhënave, e veçanërisht vendimmarrësve në nivelin lokal e qendror, por edhe donatorëve e investuesve të tjerë – orientimin dhe targetimin e politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët’’, u shpreh kryeministri Kurti.

Të dhënat, u shpreh kryeministri, na ndihmojnë të sigurojmë nivel më të lartë të transparencës dhe të llogaridhënies dhe se ato po ashtu janë pikë referuese për një planifikim afatgjatë dhe parashikime të zhvillimeve të rëndësishme socio-ekonomike.

Më tej, shtoi ai, të dhënat flasin për një rritje ekonomike historike në vendin tonë për vitin që shkoi me 10.7 % të bruto produktit vendor, ndërkaq në çerekun e parë të këtij viti, kemi rritje mbi 4 për qind të bruto produktit vendor.

‘’Rritjen ekonomike po e shpërndajmë te qytetarët, nëpërmjet masave e politikave të informuara nga të dhënat’’, deklaroi kryeministri.

Kryeministri theksoi masat që janë marrë për të mbështetur qytetarët dhe bizneset, si dhe miratimin e projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, në vlerë 3 miliardë e 212 milionë euro. Janë të dhënat ato që do të udhëzojnë ekzekutimin e këtij buxheti, bashkë me angazhimin e Qeverisë për t’i avancuar të gjitha aspektet që ndikojnë në jetën e qytetarëve në Republikën e Kosovës, tha ai.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të nderuar ministra të Qeverisë së Republikës Kosovës, z. Liburn Aliu, z. Fikrim Damka,
E nderuar Koordinatore e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, znj. Spence,
I nderuari Udhëheqës i sektorit për bashkëpunim, Zyra e BE-së në Kosovë, z. Madsen,
Të nderuar shkëlqesi ambasadorë dhe ju diplomatë të tjerë të misioneve diplomatike dhe të zyrave ndërkombëtare në Kosovë,
Të nderuar zotërinj Berisha dhe Kastrati,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës, profesorë e profesionistë dhe ekspertë,
Zonja dhe zotërinj,

Për të planifikuar dhe zbatuar politika të bazuara në evidencë dhe për zhvillim ekonomik dhe social, është e domosdoshme të kemi të dhëna të besueshme dhe të detajuara.

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe i banesave përbën një prej ndërmarrjeve më të rëndësishme institucionale në vendin tonë. Të dhënat mbi madhësinë, shpërndarjen dhe përbërjen e popullsisë, kushtet e jetesës e niveli i edukimit, janë bilanci empirik i së tashmes dhe baza e politikave për të ardhmen. Ato u mundësojnë të gjithë shfrytëzuesve të të dhënave, e veçanërisht vendimmarrësve në nivelin lokal e qendror, por edhe donatorëve e investuesve të tjerë – orientimin dhe targetimin e politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët.

Të dhënat na ndihmojnë të sigurojmë nivel më të lartë të transparencës dhe të llogaridhënies. Ato po ashtu janë pikë referuese për një planifikim afatgjatë dhe parashikime të zhvillimeve të rëndësishme socio-ekonomike.

Të dhënat flasin për një rritje ekonomike historike në vendin tonë për vitin që shkoi me 10.7 për qind të bruto produktit vendor ndërkaq në çerekun e parë të këtij viti, kemi rritje mbi 4 për qind të bruto produktit vendor pasi që të zbritet inflacioni.

Rritjen ekonomike po e shpërndajmë te qytetarët, nëpërmjet masave e politikave të informuara nga të dhënat.

Kështu, bazuar në indekset e çmimeve, për përballje me rritjen e çmimeve, pasojat e pandemisë e krizën energjetike, kemi ofruar mbi 750 milionë euro mbështetje për qytetarët dhe për bizneset. Ndërkaq sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës pritet të votohet Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Në saje të të dhënave, mundësohet dizajnimi i masave që u përgjigjen nevojave të qytetarëve, si dhe mbylljen e hendeqeve ekzistuese. Përmes integrimit gjinor në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike, kemi dizajnuar masa specifike për ta mbështetur fuqizimin ekonomik të grave dhe rritjen e qasjes së grave në shkollim e në punësim. Kemi mbështetur punësimin e grave, masë kjo, nga e cila kanë përfituar 3,500 gra dhe 1,490 biznese. Kemi mbështetur biznese, që janë në pronësi të grave, me vlerë të subvencionimit afër gjysmë milion euro, kurse vlera e kreditimit të mundësuar tejkalon 3 milionë euro. Ndërsa që nga fillimi i skemës së mbështetjes për nënat e reja, deri më tani kemi rreth 200 mijë përfituese nga Shtesat për Fëmijë dhe mbi 23 mijë përfituese nga Shtesat për Lehona.

Të dhënat aktuale për 1 vit e gjysmë që lamë pas, flasin për rikthim të sistemit të financave publike në binarë, duke ulur borxhin publik kundrejt bruto produktit vendor për 27%, respektivisht nga 28.7% sa ka qenë në vitin 2020, në 21% në vitin 2021. Këto të dhëna dëshmojnë përgjegjshmëri të lartë për paranë e përbashkët publike.

Në mbledhjen e 103-të të Qeverisë kemi miratuar projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, në vlerë 3 miliardë e 212 milionë euro. Janë të dhënat që do të udhëzojnë ekzekutimin e këtij buxheti, bashkë me angazhimin tonë për t’i avancuar të gjitha aspektet që ndikojnë në jetën e qytetarëve në Republikën e Kosovës.

Të nderuar të pranishëm,

Qeveria e Kosovës në muajin shtator 2022 ka propozuar që regjistrimi i ardhshëm në terren të zhvillohet nga 1 shtatori deri më 16 tetor 2023. Ky plan kohor ofron mundësinë që secili qytetar i Kosovës të regjistrohet.

Ne do të mbështesim Agjencinë e Statistikave të Kosovës që është njëherit bartës i projektit të regjistrimit, me qëllim që regjistrimi të jetë cilësor, profesional, dhe gjithëpërfshirës.

Ju uroj suksese të gjithëve që do të angazhohen me përkushtim në këtë proces kaq të rëndësishëm për vendin tonë e për të ardhmen tonë.

Ju falemnderit!

 

 

Last modified: 8 Nëntor, 2022

Comments are closed.

×