Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Protokolli Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale do t’u dalë në ndihmë dhe mbrojtje viktimave

5 Dhjetor, 2022

 

Prishtinë, 5 dhjetor 2022

Protokolli Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale, është një dokument pune për tu përdorur nga të gjitha institucionet përgjegjëse për trajtimet e rasteve të dhunës seksuale, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë e lansimit të tij.

Ky Protokoll Shtetëror synon të qartësojë të gjitha institucionet përgjegjëse se nuk ka rëndësi nëse viktima apo e mbijetuara kontakton së pari në urgjencë, denoncon rastin në polici, kontakton me mbrojtësin e viktimave apo kërkon ndihmë në një qendër të specializuar të shërbimeve për gratë e dhunuara, tha Kryeministri Kurti.

Ai theksoi se e rëndësishme është që pavarësisht se cili institucion merr informacionin e parë për rastin, duhet të fillojë menjëherë trajtimi me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm dhe duhet të përmbushen të gjitha nevojat specifike të viktimave nëpërmjet qasjes shumë-sektoriale e të koordinuar.

Shpeshherë në rastet e paraqitura institucionet nuk i kanë kryer e nuk i kanë zbatuar obligimet e tyre ligjore, duke i lënë viktimat pa trajtimin që u takon dhe që ato e meritojnë. E po ashtu, në raste të këtilla dhunuesit dhe abuzuesit nuk e kanë marrë dënimin e merituar, tha Kryeministri.

Duke përmendur veprimet e ndërmarra nga Qeveria, ai veçoi ndryshmet ligjore në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale. Kryeministri theksoi ndryshimet në rastet kur një person shpallet fajtor për veprën penale të dhunës në familje apo të dhunës seksuale: do t’i ndalohet punësimi në institucionet publike; do t’i ndalohet kandidimi në pozita qoftë në nivel lokal apo qendror; do t’i merret leja e vozitjes; nuk do të zbatohen rrethanat lehtësuese për dhunuesit; trajtimi i këtyre lëndëve nuk do të zgjasë më shumë se një vit dhe emrat e dhunuesve do të publikohen ne faqen zyrtare të KGJK-së.

Pas këtyre ndryshimeve ligjore, për ashpërsimin e dënimeve ndaj dhunuesve, zbatimi i këtij protokolli, do tu dalë në ndihmë dhe mbrojtje viktimave, theksoi Kryeministri Kurti.

Kryeministri uroi që zbatimi i Protokollit të fillojë dhe të japë rezultatet e menjëhershme të trajtimit të viktimave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Faleminderit znj.Curri,
E nderuar Ministre e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu,
E nderuara Drejtore e Rrjetit të Grave të Kosovës, znj.Igballe Rogova,
E nderuar Shefe e Zyrës së UN Woman, znj.Vlorë Tuzi, Nushi,
E nderuar Koordinatore e Kombeve të Bashkuara, znj. Spence,
I nderuari Ambasador i Bullgarisë,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare,
Të nderuari Ambasador i EULEX-it, Shef i EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark,
Të nderuar aktivistë e aktiviste për mbrojtjen e të drejtave të njeriut,
Zonja e zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Puna profesionale dhe me përgjegjësi, përkushtimi serioz dhe ndjeshmëria për vënien e drejtësisë, janë tipare, të cilat i bëjnë institucionet serioze në veprim dhe të përgjegjshme në zbatim të plotë të detyrave dhe misionit që kanë. Jo rrallë herë sistemi i drejtësisë ka pësuar nga brishtësia e vet, në mungesë të mekanizmave të mirëfilltë, të cilët përcaktojnë dhe i precizojnë fushë-veprimet, kur adresohen rastet dhe lëndët përkatëse.

Protokolli Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale, është një dokument pune për tu përdorur nga të gjitha institucionet përgjegjëse për trajtimet e rasteve të dhunës seksuale.

Ky Protokoll Shtetëror synon të qartësojë të gjitha institucionet përgjegjëse se nuk ka rëndësi nëse viktima apo e mbijetuara kontakton së pari në urgjencë, denoncon rastin në polici, kontakton me mbrojtësin e viktimave apo kërkon ndihmë në një qendër të specializuar të shërbimeve për gratë e dhunuara. E rëndësishme është që pavarësisht se cili institucion merr informacionin e parë për rastin, duhet të fillojë menjëherë trajtimi me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm dhe duhet të përmbushen të gjitha nevojat specifike të viktimave nëpërmjet qasjes shumë-sektoriale e të koordinuar.

Pra, nuk mund të lejohen papërgjegjësi të tilla, ku institucionet i hedhin fajet njëra-tjetrës për mosveprim dhe gjithashtu shmangin përgjegjësitë apo neglizhojnë thirrjet e viktimave të dhunës kur ato trokasin në dyert e institucioneve. Shpeshherë në rastet e paraqitura institucionet nuk i kanë kryer e nuk i kanë zbatuar obligimet e tyre ligjore, duke i lënë viktimat pa trajtimin që u takon dhe që ato e meritojnë. E po ashtu, në raste të këtilla dhunuesit dhe abuzuesit nuk e kanë marrë dënimin e merituar.

Ndryshimet ligjore të ndërmarra nga Qeveria jonë, në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, në rastet kur një person shpallet fajtor për veprën penale të dhunës në familje apo të dhunës seksuale, janë këto:

– do t’i ndalohet punësimi në institucionet publike;
– do t’i ndalohet kandidimi në pozita qoftë në nivel lokal apo qendror;
– do t’i merret leja e vozitjes;
– nuk do të zbatohen rrethanat lehtësuese për dhunuesit;
– trajtimi i këtyre lëndëve nuk do të zgjas më shumë se 1 vit dhe
– emrat e dhunuesve do të publikohen ne faqen zyrtare të KGJK-së.

Andaj, pas këtyre ndryshimeve ligjore, për ashpërsimin e dënimeve ndaj dhunuesve, por edhe zbatimi i këtij protokolli, do t’u dalë në ndihmë dhe mbrojtje viktimave.

Protokolli përfshinë zbatimin e të gjitha detyrimeve të parashikuara ligjërisht për mbrojtje të menjëhershme të viktimës, si dhe shërbimet gjithëpërfshirëse me sa vijon: marrjen e pëlqimit të informuar, ofrimin e përkthyeseve të gjuhës; interpretëve-të gjuhës së shenjave në rast nevoje; trajtimin në ambiente të përshtatshme miqësore; ofrimin e infrastrukturës së plotë, që mundëson lehtësisht qasjen e personave me nevoja të veçanta; pastaj, ofrimin e shërbimeve nga profesionistë të së njëjtës gjini me viktimën, si dhe shmangien e lodhshme të intervistimit të shumëfishtë.

Trajtimi i tillë me viktimën në qendër, veprimet e menjëhershme dhe me kompetencë, padyshim që do të sjellin rezultate më të mira në këtë shërbim. Qasja gjithëpërfshirëse dhe e koordinuar kundër dhunës ndaj grave, e veçanërisht kundër dhunës seksuale, është edhe një nga kërkesat kryesore të Konventës së Stambollit.

Qëllimi kryesor i këtij Protokolli është: standardizimi i veprimeve të nevojshme për një reagim të vazhdueshëm, gjithëpërfshirës e me përgjegjshmëri, për identifikimin, mbrojtjen, trajtimin, dokumentimin, referimin, fuqizimin e qëndrueshëm dhe ri-integrimin e viktimave/të mbijetuarave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale, përmes ndërhyrjeve të menjëhershme dhe profesionale në institucionet përgjegjëse.

Me miratimin e tij, Qeveria është e përkushtuar për të investuar në burime plotësuese financiare dhe njerëzore për: forcimin e të gjithë shërbimeve të domosdoshme, shtimin e shërbimeve të munguara, fuqizimin e kapaciteteve të profesionisteve dhe profesionistëve të cilët trajtojnë rastet e kësaj forme shumë të rëndë të dhunës ndaj grave, si dhe mbrojtjen, fuqizimin e qëndrueshëm dhe ri-integrimin e viktimave dhe të mbijetuarave e të mbijetuarve, së bashku me marrjen e masave për të parandaluar dhe zvogëluar mundësinë e ripërsëritjes së kësaj forme të dhunës.

Unë i përgëzoj të gjitha dhe të gjithë ata që janë angazhuar në hartimin e Protokollit, këtij dokumenti të sofistikuar, dhe uroj që zbatimi i tij të fillojë dhe të jap rezultatet e menjëhershme të trajtimit të viktimave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale, dhe për këtë ju uroj përkushtim dhe punë të palodhshme në zbatimin më të mirë të tij.

Përpilimi i protokollit, na e mundëson punën, nuk është përfundimi i punës por do të duhej të na e lehtësojë angazhimin tonë të pakursyer e të vendosur për ta eliminuar dhunën në familje e posaçërisht dhunën seksuale ndaj grave.

Të nderuar të pranishëm,

Na duhet angazhim maksimal i të gjitha institucioneve, si dhe i çdo njërit nga ne, për të çuar përpara përpjekjet tona për ta çrrënjosur dhunën mbi baza gjinore. Eliminimi i dhunës është detyrim i secilit veç e veç dhe i të gjithë neve së bashku. Viktimave u takon përkrahja institucionale dhe shoqërore, përkujdesja maksimale dhe adekuate, shëndetësore e psikologjike. Duhet që organet e rendit e të hetuesisë, prokuroritë dhe gjykatat, të vënë personat e dyshuar sa më parë para drejtësisë, prokuroritë dhe gjykatat të jenë ato të cilat dëshmojnë se përkushtimi i ri është një fazë e re për të gjitha institucionet dhe për mbarë shoqërinë dhe me këtë rast kryerësit të marrin dënime meritore. Dhuna ndaj grave dhe vajzave është çështje e sigurisë dhe mirëqenies, edhe publike edhe sociale dhe jo vetëm një çështje familjare e private. Eliminimi i saj është betejë që na takon të gjithëve.

Ju falemnderit!

Last modified: 5 Dhjetor, 2022

Comments are closed.

×