Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti priti në takim zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Garbiel Escobar

19 Tetor, 2022

Prishtinë, 19 tetor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, takoi sot zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në takim u fol për rëndësinë dhe peshën e raporteve dypalëshe, partneritetin ndërmjet Kosovës dhe ShBA-ve, për progresin dhe reformat në Kosovë, ballafaqimin me krizën energjetike, për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, procesin e dialogut dhe rrugën përpara.

Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës jemi aleatë në vlera dhe partnerë në qëllime, u shpreh kryeministri Kurti në deklarimin për media pas përfundimit të takimit.

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Escobar, ritheksoi mbështetjen e ShBA-ve ndaj aspiratave euro-atlantike të Kosovës dhe vullnetin për të punuar bashkë me Qeverinë e Republikës së Kosovës për realizimin e tyre. Në fund, z. Escobar falënderoi kryeministrin Kurti për mikpritjen, partneritetin dhe miqësinë.

Deklarata e plotë e Kryeministrit Kurti në adresimin e përbashkët për media pas takimit me zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, z. Escobar:

Të dashur qytetarë e të nderuar gazetarë,

Ju faleminderit që keni ardhur në konferencën e sotme për medie, me ç ‘rast unë i dëshiroj mirëseardhje edhe njëherë në Kosovë z.Escobar, i cili është një mik i madh i yni dhe kontribues i madh për paqen, sigurinë dhe demokratizimin, jo vetëm të Kosovës, por të rajonit tonë.
Ishte pra kënaqësi ta mirëpres zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar.

Pas vizitës së shefes ekzekutive të MCC-së, Alice Albright, kjo është vizita e dytë brenda dy ditëve e përfaqësuesve të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me ambasadorin Amerikan në Kosovë takohemi rregullisht, ambasadorin Jeffrey Hovenier, ndërkaq, në fillim të javës së shkuar, pata një bisedë telefonike shumë të mirë me Sekretarin e Shtetit Amerikan, z.Antony Blinken.

Me z.Escobar folëm për rëndësinë dhe peshën e raporteve tona dypalëshe, partneritetin ndërmjet vendeve tona, për progresin dhe reformat në Kosovë, ballafaqimin me krizën energjetike dhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, procesin e dialogut dhe rrugën përpara.

Përmes gatishmërisë për takime, vullnetit për marrëveshje dhe propozimeve konkrete, që japim, Republika e Kosovës është treguar se është palë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut.
Jemi të gatshëm dhe të përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër.

E mirëpresim gjithmonë interesimin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces.

Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës jemi aleatë në vlera dhe partnerë në qëllime.

Rreshtimi i menjëhershëm i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar në vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe mbështetja e pa rezervë për Ukrainën dhe popullin e saj, përbëjnë dëshminë e aleancës dhe partneritetit tonë dhe në të njëjtën kohë dallimin me të gjithë ata të tjerët, të cilët nuk u rreshtuan siç duhet në anën e të vërtetës dhe të drejtës.

Faleminderit shumë për takimin z.Escobar.

 

 

Last modified: 19 Tetor, 2022

Comments are closed.

×