Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti priti në takim presidentin e Letonisë, Egils Levits

22 Prill, 2022

Prishtinë, 22 prill 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, priti në takim Presidentin e Letonisë, z.Egils Levits, me të cilin diskutuan marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral në fusha të ndryshme.

Kryeministri Kurti e falënderoi presidentin Levits për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Letonia dhe përkrahjen për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Ai tha se si rezultat i bashkëpunimit të mirë mes dy vendeve është edhe marrëveshja e nënshkruar së fundmi nga Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, për trajnime dhe operacione të përbashkëta të Forcës së Sigurisë së Kosovës me ushtrinë letoneze.

Teksa e njoftoi për stabilitetin politik dhe zhvillimin ekonomik në vitin e parë të qeverisjes, kryeministri Kurti theksoi disa nga indikatorët ekonomikë: rritjen ekonomike për 10.53 për qind, rritjen e eksporteve për mbi 83 për qind krahasuar me vitin 2020, rritjen e investimeve të huaja direkte prej 22 për qind dhe rritjen e investimeve kapitale mbi 10 për qind.

Presidenti i Letonisë e falënderoi kryeministrin Kurti për bashkëpunimin dhe marrëdhëniet miqësore. E përgëzoi për progresin e shënuar ekonomik dhe tha që ky duhet të jetë fokusi i rëndësishëm i Kosovës.

Letonia e konsideron pavarësinë e Kosovës si të pakthyeshme dhe promovon interesat e shtetit tuaj në Bashkimin Evropian, tha Presidenti Levits. Ai ofroi mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe për përfshirjen në Programin e Partneritetit për Paqe, si hap i parë drejt anëtarësimit në NATO.

Po ashtu, theksoi vazhdimin e mbështetjes për trajnime e studime të zyrtarëve shtetërorë të Kosovës në fushën juridike në Riga Law School. Ndërkohë që bëri të ditur financimin e kurseve të studimit dhe trajnimit në Letoni për dy oficerë të lartë të FSK-së.

Në takim u bisedua edhe për situatën e sigurisë në Evropë dhe në rajon, pas invazionit dhe agresionit të Federatës Ruse në Ukrainë.

Që të ruhet paqja dhe stabiliteti afatgjatë, kryeministri Kurti tha se është i domosdoshëm integrimi sa më i shpejtë dhe i plotë në Bashkimin Evropian dhe në NATO i vendeve të Ballkanit Perëndimor që janë demokratike dhe i kanë vënë sanksione Federatës Ruse.

 

Last modified: 13 Maj, 2022

Comments are closed.

×