Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti priti në takim Nënsekretarin italian të Shtetit, Benedetto Della Vedova

29 Qershor, 2022

Prishtinë, 29 qershor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Nënsekretarin e Shtetit për Punë të Jashtme të Italisë, Benedetto Della Vedova.

Duke potencuar marrëdhëniet e shkëlqyeshme bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Italisë, Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme të Italisë për vendin tonë. Duke vlerësuar Italinë si partner dhe aleat edhe në BE dhe NATO, kryeministri vlerësoi kontributin dhe ndihmën e Italisë për Kosovën, dhënë nëpërmjet Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Ai theksoi vullnetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për rritje të shkëmbimeve tregtare mes dy shteteve dhe gatishmërinë për tërheqje të investimeve në Kosovë.

Nënsekretari italian i Shtetit, falënderoi kryeministrin Kurti për pritjen. Duke biseduar për indikatorët pozitiv ekonomik, të dy u pajtuan se demokracia është mënyra më e mirë për të arritur rritje ekonomike.

Z.Della Vedova përgëzoi Kryeministrin për pozicionimin e qartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse.

Në takim u theksua domosdoshmëria e parandalimit të ndikimit rus në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Last modified: 15 Korrik, 2022

Comments are closed.

×