Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti priti në takim kryetarin e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi

11 Dhjetor, 2021

Prishtinë, 11 dhjetor 2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetarin e Komunës së Bujanocit, z.Nagip Arifi.

Kryetari Arifi e falënderoi kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës për buxhetimin e 2 milionë eurove për komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

E kemi mirëpritur ndarjen e këtyre mjeteve edhe për faktin, që për herë të parë jemi bërë pjesë e buxhetit të Kosovës, tha z. Arifi, duke shprehur shpresën se kjo shumë do të rritet vit pas viti.

Në takim u diskutua për problemet, me të cilat po përballen qytetarët shqiptarë dhe z. Arifi shprehu shqetësimin për vazhdimin e shlyerjes së tyre nga regjistri civil.

Në Serbi ekziston ligji për shlyerjen e qytetarëve nga regjistri civil, nëse nuk banojnë në adresat, të cilat i kanë të paraqitura, por kjo shlyerje apo pasivizim, po ndodhë në mënyrë selektive dhe nga kjo më së shumti pësojnë qytetarët shqiptarë.

Për ne ky veprim i politikës serbe paraqet tendencë për ndryshimin demografik të komunave me shumicë shqiptare, tha z. Arifi.

Teksa u shpreh mirënjohës për subvencionimin nga Qeveria të specializantëve, që deri më tani ishin me vetëfinancim, z. Arifi theksoi problemin e mosnjohjes nga Serbia të diplomave të Republikës së Kosovës, që po e pamundëson punësimin e të diplomuarve dhe po nxit migrimin e profesionistëve në vendet perëndimore.

Kryeministri Kurti tha se në takimet, që ka pasur në Bruksel me palën serbe, por edhe në të gjitha takimet e konferencat ndërkombëtare, vazhdimisht e rithekson se për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë, duhet të zbatohet reciprocitet i të drejtave të minoriteteve në shtetet e rajonit.

Për çështjen e diplomave, certifikatave, patent shoferëve e lejenjoftimeve, është duke u insistuar në Bruksel, por Serbia vazhdon të refuzojë të njohë dokumentet zyrtare të Republikës së Kosovës.

Kryeministri theksoi se Qeveria e Kosovës do të jetë gjithmonë e hapur për bashkëpunim dhe për të ndihmuar banorët shqiptarë dhe kërkoi nga liderët shqiptarë që t’i koordinojnë dhe t’i bashkërendojnë veprimet politike.

Në takim ishin të pranishëm edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, z. Hydajet Hyseni e z.Avni Dehari dhe babai i aktivistit të vrarë të LVV-së, Arben Xheladini, z. Shaban Xheladini.

Takimi me z. Nagip Arifi është vazhdimësi e takimeve, që kryeministri Kurti mban me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit për ruajtjen e marrëdhënieve të mira dhe shtimin e bashkëpunimit për avancimin e të drejtave të shqiptarëve.

 

Last modified: 11 Dhjetor, 2021

Comments are closed.

×