Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti priti në takim Drejtorin Rajonal të BERZh, Matteo Colangeli

10 Dhjetor, 2021

Prishtinë, 10 dhjetor 2021

Pas nënshkrimit të marrëveshjes në mes të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Mitrovicë, Kryeministri i republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Shefin e stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi priti në takim Drejtorin Rajonal të BERZh për Ballkanin Perëndimor, Matteo Colangeli.

Kryeministri Kurti e falënderoi z.Colangeli dhe BERZh-in për nënshkrimin e marrëveshjes në fjalë, duke e cilësuar atë si shumë të rëndësishme në përmirësimin e infrastrukturës, e cila kontribuon në shëndetin publik. Ndërsa z. Colangeli shprehu falënderimin e tij për bashkëpunimin e deritanishëm dhe tha se BERZh-i është i vendosur për të rritur shkallën e mbështetjes në Kosovë në fushat me interes të përbashkët.

Një prej këtyre fushave është ajo e mjedisit dhe energjisë. Me këtë rast, kryeministri Kurti e njoftoi z.Colangeli dhe delegacionin e pranishëm se jemi duke punuar në hartimin e Strategjisë së Energjisë e cila përveç dekarbonizimin deri në viti 2050, për vizion ka edhe pastrimin e ajrit. Në të njëjtën kohë, kjo strategji synon që të ruaj sigurinë e furnizimit me energji dhe përballueshmërinë për konsumatorët duke rritur përdorimin e energjisë së pastër, dhe të siguroj integrimin në tregun rajonal. Pra një tranzicion të drejtë dhe të gjelbër energjetik, u shpreh kryeministri Kurti.

Gjatë takimit u bisedua edhe për mundësitë dhe format e bashkëpunimit me sektorin privat në shërbim të rritjes së kapaciteteve të tyre.

Kryeministri Kurti përmendi synimin dhe planet e qeverisë për sistemin dual të arsimit, si zgjidhja drejt zvogëlimit të hendekut në mes të aftësive profesionale dhe tregut të punës. Kjo do të mundësonte rritjen e produktivitetit brenda sektorit privat dhe rrjedhimisht gjenerimin e vendeve të reja të punës, si një nga prioritetet e qeverisë sonë, tha kryeministrit Kurti. Ai po ashtu foli edhe për reagimin pozitiv të ekonomisë gjatë qeverisjes së tij, me ç’rast të hyrat janë rritur për 1/3-tën, eksportet janë rritur për 2/3-tën ndërsa sipas vlerësimit të Bankës Qendrore të Kosovës, ekonomia jonë do të rritet për 9.9%.

Last modified: 10 Dhjetor, 2021

Comments are closed.

×