Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti priti në takim Drejtorin Rajonal të BERZh, Matteo Colangeli

21 Shkurt, 2023

Prishtinë, 21 shkurt 2023

Në shoqërimin e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në takim Drejtorin Rajonal të Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, Matteo Colangeli së bashku me drejtorin e aktual të këtij institucioni në Kosovë, Neil Taylor dhe drejtorin e ri, Sergiy Maslichenko.

Diskutuan për bashkëpunimin e deritanishëm, projektet që janë në zbatim e sipër me mbështetje të BERZh-it, si dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit. Gjatë takimit, kryeministri falënderoi Drejtorin e deritanishëm në Kosovë, Neil Taylor për bashkëpunimin e afërt dhe i uroi suksese në angazhimin e radhës, teksa i uroi mirëseardhje z. Maslichenko.

Nga kryeministri u theksuan veçanërisht projektet si ai i rehabilitimit të hekurudhës, përkatësisht për sinjalizim dhe telekomunikim në kuadër të saj, impiantet për trajtimin e ujërave të zeza në Gjilan dhe Mitrovicë, dhe projektet e efiçiencës energjetike me komunën e Prishtinës dhe Prizrenit, për të cilat projekte Qeveria e Kosovës po bashkëpunon me BERZh-in.

Z. Colangeli, në emër të BERZh-it shprehu gatishmërinë për të mbështetur qeverinë në projektet të ndryshme, me theks te ato në fushën e energjisë së ripërtëritshme (energji të erës dhe diellit), të efiçiencës së energjisë dhe sektorin privat.

Kryeministri Kurti, gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Mynih, fundjavën që lëmë pas, kishte takuar Presidenten e BERZh-it, Odile Basso.

Last modified: 21 Shkurt, 2023

Comments are closed.

×