Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti priti në takim ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv

5 Prill, 2022

Prishtinë, 5 prill 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ambasadoren e Izraelit në Kosovës, znj.Tamar Ziv.

Duke e uruar për detyrën, kryeministri Kurti shprehu kënaqësinë për takimin. Ai e falënderoi për njohjen e Republikës së Kosovës nga Izraeli.

Ambasadorja tha se është e nderuar të jetë ambasadorja e parë e Izraelit në Kosovë, dhe e ftoi Kryeministrin për vizitë zyrtare në Izrael. Ajo shtoi se ndonëse nuk kemi pasur marrëdhënie diplomatike, njerëzit tanë kanë qenë në kontakt me njëri-tjetrin.

Në këtë takim u konfirmua gatishmëria e të dy shteteve për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin. U bisedua për mundësitë konkrete të bashkëpunimit në fushat e ekonomisë, bujqësisë, arsimit dhe kulturës.

Kryeministri Kurti theksoi se me stabilitetin institucional është e mundshme që të planifikojmë më mirë e për periudha më afatgjata.

Ai foli për angazhimin në një vit qeverisje për zhvillimin e ekonomisë, sundimin e ligjit dhe reformat në sistemin e drejtësisë. Kryeministri theksoi progresin e konsiderueshëm në zhvillimin ekonomik, duke veçuar rritjen ekonomike prej 10,53%, rritjen e eksporteve prej 83,6% , rritjen e Investimeve të Huaja Direkte prej 22% dhe rritjen e të hyrave tatimore prej 34%.

U bisedua për potencialin e bashkëpunimit në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit (TIK). Kryeministri tha se digjitalizimi është një nga objektivat në programin e Qeverisë, ndërsa agjenda e re digjitale do të jetë një nga pikat kryesore të strategjisë së re kombëtare të zhvillimit.

 

Last modified: 13 Maj, 2022

Comments are closed.

×