Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti priti deputetin e Parlamentit të Ukrainës, Oleksiy Goncharenko

27 Tetor, 2022

 

Prishtinë, 27 tetor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në zyrën e tij deputetin e Parlamentit të Ukrainës, Oleksiy Goncharenko.

Duke i uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, kryeministri Kurti e falënderoi atë për interesimin e tij dhe afërsinë me Kosovën, inicimin e rezolutës për njohjen e Republikës së Kosovës nga Ukraina dhe për mbështetjen e tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Teksa e njoftoi deputetin ukrainas Goncharenko me të gjitha vendimet dhe veprimet që Kosova ka ndërmarrë për solidarizim dhe përkrahje të Ukrainës; për vendosjen e menjëhershme të sanksioneve, largimin e vizave për qytetarët ukrainas, pranimin e 11 gazetarëve nga Ukraina të cilët tashmë janë banorë të Prishtinës dhe për format e tjera të solidarizimit.

Folën për situatën aktuale në Ukrainë, për rezistencën e admirueshme të popullit ukrainas, rëndësinë për të vazhduar mbështetja ndaj Ukrainës nga vendet demokratike dhe për ndikimin që agresioni i paprovokuar i Federatës Ruse ka pasur në të gjithë kontinentin e Evropës. Në të njëjtën kohë, kryeministri Kurti e njoftoi më shumë për zhvillimet në Kosovë dhe qeverisjen, situatën në rajon, raportet e Kosovës me vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe për raportet e afërta të Serbisë me Rusinë.

Ata gjithashtu folën edhe për mundësitë e bashkëpunimit parlamentar në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, organizatë kjo në të cilën Republika e Kosovës veçse ka aplikuar dhe synon të anëtarësohet. Kosova dhe populli i saj qëndron në mbështetje dhe solidaritet me Ukrainën dhe popullin ukrainas, u shpreh kryeministri Kurti.

 

Last modified: 27 Tetor, 2022

Comments are closed.

×