Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Përmes programeve mbështetëse kemi rritur përkrahjen financiare për perime në sera dhe në fushë

23 Korrik, 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ‘’Festivalin Ndërkombëtar të Domateve’’ tashmë tradicional në Komunën e Mamushës, qē ka për qëllim stimulimin e prodhimeve bujqësore e veçanërisht prodhimin e domateve.

Kryeministri Kurti tha se është i kënaqur që ishte sot në Mamushë, në komunën e cila është shembull për nga veprimtaria bujqësore dhe jo vetëm.

‘’Më shumë nga nostalgjia sesa nga varfëria domatja ka qenë edhe një burim i vlerave ushqyese, ku si fëmijë as uria nuk na ndante nga loja’’, u shpreh kryeministri Kurti.

Si qeveri e Republikës së Kosovës, kryeministri tha se përmes programeve mbështetëse kemi rritur përkrahjen për perime, qoftë në sera apo në fushë të hapur, përmes mbështetjes financiare në kuadër të programit të pagesave direkte apo subvencione, dhe se me këtë mbështetje synojmë përmirësimin e bilancit tregtar tek importi i perimeve duke i mbrojtur prodhuesit tanë vendorë dhe produktet e tyre.

Më tej, kryeministri veçoi se si qeveri kemi treguar se sa me prioritet e kemi këtë sektor, ku përveç rritjes së buxhetit për bujqësinë këtë vit për herë të parë mbulojmë vlerën e akcizës së naftës me 54 euro për hektar, për çdo kulturë bujqësore përfshirë perimet. Komuna e Mamushës, siç tha kryeministri, është pjesa e mozaikut që plotëson dhe jep vlerë të shtuar bujqësisë në Kosovë, duke qenë një shembull që duhet ndjekur nga të gjithë.

Vullneti e përkushtimi për ta punuar tokën sjellë si rezultat prodhime cilësore dhe kjo është çka e karakterizon Mamushën, tha ndër tjera ai.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari kryetar i Komunës së Mamushës, z.Abdülhadi Krasniç

I nderuar ministër i Zhvillimit Rajonal, z. Fikrim Damka

Të nderuar deputetë të  Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Enis Kervan dhe znj. Fidan Jilta

Të nderuar mysafirë nga Turqia,

Deputetë të Kuvendit të Republikës së Turqisë dhe kryetarë të Komunave,

I nderuar ambasador i Republikës së Turqisë, shkëlqesia juaj, Cagri Sakar

Zonja dhe Zotërinj,

Motra dhe vëllezër,

Është kënaqësi të jem sot mes jush këtu në Mamushë, në komunën e cila është shembull për nga veprimtaria bujqësore dhe jo vetëm. Bukë djathë edhe domate, është ky një ndër vaktet më të shpeshta në sofrat tona sot, sidomos kur kemi domaten vendore të freskët të shëndetshme edhe plot shije.

Më shumë nga nostalgjia sesa nga varfëria, domatja ka qenë edhe një burim i vlerave ushqyese, ku si fëmijë as uria nuk na ndante nga loja. Sot si qeveri e Republikës së Kosovës përmes programeve mbështetëse kemi rritur përkrahjen për perime qoftë në sera apo në fushë të hapur përmes mbështetjes financiare në kuadër të programit të pagesave direkte apo subvencione.

Me këtë mbështetje ne synojmë përmirësimin e bilancit tregtar tek importi i perimeve, duke i mbrojtur prodhuesit tanë vendorë dhe produktet e tyre. Potencial i madh për zhvillimin ekonomik të vendit tonë është pikërisht bujqësia.

Si qeveri kemi treguar se sa me prioritet e kemi këtë sektor, ku përveç rritjes së buxhetit për bujqësinë këtë vit për herë të parë mbulojmë vlerën e akcizës së naftës me 54 euro për hektarë, për çdo kulturë bujqësore përfshirë perimet.

Komuna e Mamushës është pjesa e mozaikut që plotëson dhe jep vlerë të shtuar bujqësisë në Kosovë, duke qenë një shembull që duhet ndjekur nga të gjithë. Vullneti e përkushtimi për ta punuar tokën sjellë si rezultat prodhime cilësore dhe kjo është çka e karakterizon Mamushën. Si qytetarë të Republikës së Kosovës duhet t’i prioritizojmë prodhimet vendore duke u bërë pjesë e finalizimit të zingjirit të vlerës përmes blerjes së tyre.

Duke i blerë prodhimet vendore ne e ndihmojmë bujkun tonë. Asisoj bujku e rrit prodhimin edhe e rrit cilësinë e prodhimit. Ashtu rritet ekonomia, ngritet mirëqenia e qytetarit dhe forcohet shteti.

Kërkesat që i ka komuna e Mamushës dhe banorët e saj do të hasin me siguri në mirëkuptimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ne i dëgjojmë më vëmendje kërkesat tuaja për nevojat tuaja dhe të drejtat tuaja. Kryetarja  e Komisionit parlamentar për Bujqësi dhe Mjedis, zonja Fitore Pacolli, ka qenë këtu para pak ditëve pikërisht për ta diskutuar çështjen e ujit të pijes në Mamushë.

Bashkë me ministrin Damka, por edhe me ministra të tjerë të linjës, me ministrin Aliu, pastaj me ministrin Peci dhe me ministrin Krasniqi të Administrimit të Pushtetit Lokal, pra Bujqësia, Mjedisi, do të jenë ata të cilët do ta diskutojnë për ta bërë një plan në mënyrë që edhe në Mamushë të kemi më në fund ujë të pijes.

Qeveria dhe komuna duhet ta ndihmojnë njëra tjetrën, populli edhe shteti duhet ta ndihmojnë njëri-tjetrin. Bashkë nuk ka vështirësi të cilën nuk  e tejkalojmë. Mundi juaj u shpërbleftë, e punën tuaj e përcjelltë begatia.

Zoti ju dhashtë bereqet!

 

 

Last modified: 23 Korrik, 2022

Comments are closed.

×