Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti përkujtoi dëshmoren e lirisë Elfete Humolli

1 Shkurt, 2023

 

Lupç i Poshtëm, 1 shkurt 2023

Në 33-vjetorin e rënies së dëshmores së lirisë Elfete Humolli, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, bënë homazhe te kompleksi memorial në Lupç të Poshtëm.

Kryeministri Kurti pastaj vizitoi familjen Humolli, ku u prit nga nëna Sevdije, nëna e dy dëshmorëve, Elfetes dhe Mentorit, i cili ra dëshmor më 21 mars 1999, gjatë luftimeve në Koshare.

Risollën në kujtesë 1 shkurtin e vitit 1990, kur 33 vite më parë, duke demonstruar për lirinë e Kosovës në fshatin Lupç i Poshtëm, Elfete Humolli, dy javë para ditëlindjes së 17-të, ra dëshmore e lirisë, e vrarë nga policia serbe. Atë ditë, ajo bashkë me mijëra demonstrues shqiptarë nga fshatrat e kësaj ane të Llapit, po thërrisnin për demokraci, e përballë pushtetit të Serbisë po demonstronin për të drejta politike, për liri dhe kundër shtypjes nga regjimi serb.
Në demonstratën e 1 shkurtit 1990, policia serbe shtiu me breshëri në drejtim të demonstruesve duke goditur katër prej tyre: Elfete Humolli vdiq nga plagët në vend, kurse Eset Kaçiu, Ismet Krasniqi dhe Avni Retkoceri mbetën të plagosur.

Familjarët rrëfyen se atë ditë, Elfetja ishte agjërueshëm dhe para frymës së fundit, kishte pyetur për vëllain e saj 13 vjeçar Mentorin, nëse kishte shpëtuar.

Në rrugën e gjatë të popullit të Kosovës për t’u çliruar nga Serbia pushtuese, të ardhur nga dy rrugë të ndryshme, liria si destinacion i bashkoi motër dhe vëlla: Elfeten demonstruese për çlirim dhe Mentorin luftëtar të UÇK-së, që ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës, tha Kryeministri Kurti.

 

Last modified: 1 Shkurt, 2023

Comments are closed.

×