Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Përdhunimet kanë ndodhur meqë ne ishim shqiptarë dhe dëshironim të jetojmë të lirë në tokën tonë

19 Qershor, 2022

Prishtinë, 19 qershor 2022

Me vendosjen e luleve të freskëta, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bëri nderime te memoriali “Heroinat” i cili përkujton mijëra gra e vajza, burra e djem, viktima e të mbijetuar të dhunës seksuale nga forcat e okupatorit serb në luftën e fundit në Kosovë.

Në Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, kryeministri kujtoi e nderoi viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, që nuk janë më në mesin tonë dhe të gjithë personat e mbijetuar, që me forcë të pashembullt kanë folur hapur për këtë krim, për këtë armë lufte.

Sot nderojmë të gjitha ato të cilat u përdhunuan dhe me kurajon e tyre treguan të vërtetën për gjenocidin e Serbisë në Kosovë, tha kryeministri Kurti. Në veçanti sot dëshirojmë që të falënderojmë dhe shprehim mirënjohjen tonë të thellë për zonjën Vasfije Krasniqi Goodman e cila ju dha kurajo shumë grave që të ndjekin shembullin e saj dhe të dëshmojnë për krimin e Serbisë. Por qysh në vitin 2013 kemi pasur shembullin e Marte Tunajt, e cila fatkeqësisht ka ndërruar jetë në maj të vitit 2016 dhe e cila e pat thyer heshtjen duke rrëfyer rastin e saj, shtoi ai.

Kryeministri Kurti ritheksoi se shteti i Republikës së Kosovës, Qeveria jonë është gjithmonë pranë viktimave të mbijetuara gjatë luftës në Kosovë nga dhunimi seksual dhe me gjithë kapacitetin tonë, me aftësitë dijet tona, po përpiqemi që t’iu dalim në ndihmë. Në njërën anë t’i inkurajojmë rrëfimet për gjenocidin e Serbisë, sepse e vërteta na ndihmon të gjithëve edhe si individ edhe si shoqëri, por gjithashtu në anën tjetër kjo edhe faktorëve ndërkombëtarë ua bën me dije se nuk duhet të harrojmë një luftë e cila ka ndodhur në jetën tonë, në brezin tonë, pikërisht tash kur po përsëriten shumë prej këtyre imazheve makabër në Ukrainë për shkak të invazionit rus dhe agresionit ushtarak atje.

Duke i falënderuar të gjitha organizatat e shoqërisë civile të cilat iu kanë qëndruar pranë dhe i kanë ndihmuar viktimat e mbijetuara të dhunimit seksual, kryeministri u bëri thirrje të gjitha burrave e djemve, që ta kuptojnë se heshtja kushton më së shumti.

Çfarë ka ndodhur nuk ka ndodhur për shkak se ato gra e vajza kishin emra të përveçëm dhe askush nuk ka nevojë që ta përjetojë atë si diçka personale apo vetëm individuale. Sepse përdhunimet, sikurse edhe torturat, sikurse edhe vrasjet, sikurse edhe të gjitha llojet e vuajtjeve kanë ndodhur meqë ne ishim shqiptarë dhe dëshironim të jetojmë të lirë në tokën tonë. Ky është një çmim shumë i madh dhe i padrejtë që e kemi paguar ne. E ne e dëshmojmë që e duam këtë vend pikërisht duke shprehur solidaritetin tonë të pakushtëzuar me ata të cilët kanë humbur e vuajtur më së shumti, theksoi ai.

Së bashku me kryeministrin Kurti, homazhe bënë edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, Kryetarja e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Leonora Selmani, Kryeshefja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, Edi Gusia, këshilltari i kryeministrit për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Aziz Bici, deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe përfaqësues e përfaqësuese të institucioneve.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Sot vendosëm lule të freskëta dhe bëmë nderim këtu te memoriali i cili përkujton rreth 20.000 gra e vajza, por edhe burra e djem, të cilët u përdhunuan nga forcat e okupatorit serb në luftën e fundit në Kosovë.

Është Dita ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale gjatë konfliktit, andaj edhe me gra e vajza të institucioneve, të Qeverisë, të Kuvendit, sot nderojmë të gjitha ato të cilat u përdhunuan dhe me kurajon e tyre treguan të vërtetën për krimet dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

Përdhunimi seksual ka qenë armë e luftës dhe ndonëse kemi një numër kaq të madh të të përdhunuarve, megjithatë vetëm në vitin e kaluar më në fund është dënuar Zoran Vukotiqi, për përdhunimin e një shqiptareje në Vushtrri.

Por në veçanti sot dëshirojmë që të falënderojmë dhe shprehim mirënjohjen tonë të thellë për zonjën Vasfije Krasniqi Goodman e cila ju dha kurajo shumë grave që të ndjekin shembullin e saj dhe të dëshmojnë për krimin e Serbisë. Por qysh në vitin 2013 kemi pasur shembullin e Marte Tunajt, e cila fatkeqësisht ka ndërruar jetë në maj të vitit 2016 dhe e cila e pat thyer heshtjen duke rrëfyer rastin e saj.

Këto përdhunime kanë shkatërruar jetë, kanë shkatërruar familje, kanë krijuar plagë të thella në shoqërinë tonë, të cilat vazhdojnë që të kullojnë.

Shteti i Republikës së Kosovës, Qeveria jonë është gjithmonë pranë viktimave të mbijetuara gjatë luftës në Kosovë nga dhunimi seksual dhe me gjithë kapacitetin tonë, me aftësitë e dijet tona, po përpiqemi që t’iu dalim në ndihmë. Në njërën anë t’i inkurajojmë rrëfimet për gjenocidin e Serbisë, sepse e vërteta na ndihmon të gjithëve edhe si individ edhe si shoqëri, por, gjithashtu, në anën tjetër, kjo edhe faktorëve ndërkombëtarë ua bën me dije se nuk duhet të harrojmë një luftë e cila ka ndodhur në jetën tonë, në brezin tonë, pikërisht tash kur po përsëriten shumë prej këtyre imazheve makabër në Ukrainë për shkak të invazionit rus dhe agresionit ushtarak atje.

Pra, nuk e kishim vetëm Luftën e dytë Botërore, që tash të fokusohemi në luftën në Ukrainë, ishin edhe luftërat në Ballkan në vitet e ’90-ta, në Kroaci, në Bosnjë dhe këtu në Kosovë, dhe është tejet e rëndësishme që rrëfimi ynë për luftën të aktualizohet mu tani.

I falënderoj të gjitha organizatat e shoqërisë civile të cilat iu kanë qëndruar pranë dhe i kanë ndihmuar viktimat e mbijetuara të dhunimit seksual. Gjithashtu u bëj thirrje të gjithë burrave e djemve sidomos në Kosovë që ta kuptojnë se heshtja kushton më së shumti dhe se duhet të pranojmë çfarë ka ndodhur në Kosovë dhe guximi duhet ta mund turpin. Unë e kuptoj plotësisht turpin që ekziston për atë çfarë ka ndodhur, për shkak të traditës dhe kulturës tonë, mirëpo në anën tjetër me guxim ne duhet ta mundim turpin sepse çfarë ka ndodhur nuk ka ndodhur për shkak se ato gra e vajza kishin emra të përveçëm dhe askush nuk ka nevojë që ta përjetojë atë si diçka personale apo vetëm individuale. Sepse përdhunimet, sikurse edhe torturat, sikurse edhe vrasjet, sikurse edhe të gjitha llojet e vuajtjeve kanë ndodhur meqë ne ishim shqiptarë dhe dëshironim të jetojmë të lirë në tokën tonë. Ky është një çmim shumë i madh dhe i padrejtë që e kemi paguar ne. E ne e dëshmojmë që e duam këtë vend pikërisht duke shprehur solidaritetin tonë të pakushtëzuar me ata të cilët kanë humbur e vuajtur më së shumti.

Ju falemnderit.

Last modified: 14 Korrik, 2022

Comments are closed.

×