Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti në Vjenë, takoi drejtuesit e Postës së Austrisë, IV, Raiffeisenbank dhe Kapsch AG

14 Nëntor, 2022

Vjenë, 14 nëntor 2022

Në kuadër të pjesëmarrjes së tij si folës kryesor në Forumin Ekonomik të Vjenës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti pati takime të ndara me Drejtorin e Kolipostës dhe Logjistikës së Postës së Austrisë, njëherit anëtar i Bordit të Postës së Austrisë, Peter Umundum, Kryeshefin Ekzekutiv të Raiffeisenbank International, Johann Strobl, Presidentin e Industriellenvereinigung (IV), Georg Knill, si dhe Kryeshefin Ekzekutiv të Kapsch AG, Georg Kapsch.

Zhvillimi i sektorit postar në Kosovë ishte në qendër të takimit të Kryeministrit Kurti me z.Peter Umundum, Drejtor i Kolipostës dhe Logjistikës së Postës së Austrisë dhe anëtar i Bordit të Postës së Austrisë. U theksua angazhimi drejt modernizimit të shërbimeve si dhe mundësitë për bashkëpunimin në fushën e digjitalizimit dhe shërbimeve elektronike.

Me Presidentin e Industriellenvereinigung (IV), Georg Knill, Kryeministri Kurti foli për mundësitë për bashkëpunim më të ngushtë të industrisë austriake me atë të Kosovës, si dhe potencialin e mërgatës, si urë lidhëse mes të dyja vendeve.

Duke folur për mundësitë për investime në Kosovë, në takimet e ndara me Kryeshefin Ekzekutiv të Raiffeisenbank International, Johann Strobl, si dhe Kryeshefin Ekzekutiv të Kapsch AG, Georg Kapsch, Kryeministri Kurti theksoi se krahas pozitës gjeografike dhe stabilitetit institucional, Republika e Kosovës ofron mjedis të favorshëm për investime. Ai veçoi rritjen ekonomike, borxhin e ulët publik, popullatën e re, kreative dhe të talentuar, si dhe politikën stabile fiskale.

Në këto takime u theksuan arsyet e qëndrueshme për investime në Kosovë, si dhe mundësitë për rritje të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, veçanërisht për sektorin e teknologjisë së informacionit dhe financave.

Last modified: 14 Nëntor, 2022

Comments are closed.

×