Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti në shënimin e 246-vjetorit të Pavarësisë së ShBA-ve: Gëzuar 4 Korriku, me dëshirat më të mira për të ardhmen e ndritshme të kombit tuaj

1 Korrik, 2022

Prishtinë, 1 korrik 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte i ftuar nga Ambasada e Amerikës në Kosovës, për të marrë pjesë në shënimin e 246-vjetorit të Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke iu drejtuar të pranishmëve me një fjalë rasti, ai tha se është kënaqësi që të jetë sonte aty në shënimin e 4 Korrikut, ditën e lindjes së një kombi të madh dhe aleatit më domethënës të popullit tonë.

Ai ua uroi popullit amerikan 4 Korrikun, me dëshirat më të mira për të ardhmen e ndritshme të kombit të tyre.

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti

E nderuara zonja Presidente Osmani,
I nderuar Ambasador Hovenier,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë që sonte të jemi së bashku në shënimin e 4 Korrikut, ditën e lindjes së një kombi të madh dhe aleatit më domethënës të popullit tonë. Ju faleminderit për ftesën.

Deklarata Amerikane e Pavarësisë ishte një kthesë e madhe në historinë botërore. Për herë të parë, një shtet po themelohej me thirrjen e qartë në nocionin iluminist për të drejtat e patjetërsueshme të individit. Siç shprehen baballarët themelues në rreshtin më të paharrueshëm të Deklaratës, “Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se ata janë të pajisur nga Krijuesi i tyre me disa të Drejta të patjetërsueshme, si Jeta, Liria dhe kërkimi i Lumturisë. Për të siguruar këto të drejta, Njerëzit krijojnë Qeveritë, duke marrë Fuqitë nga miratimi i atyre që qeverisen”. Ndërsa doktrina e qeverisjes me miratim është i njohur, ajo e të drejtave të patjetërsueshme shpesh keqkuptohet.

Me “të drejta të patjetërsueshme” baballarët themelues amerikanë nënkuptonin të drejtat që nuk mund të tjetërsohen as me miratimin e bartësit të tyre. Me fjalë të tjera, dikush nuk mund ta shesë veten për skllavëri, edhe nëse dëshiron ta bëjë këtë me vullnetin e vet.

Kjo doktrinë klasike liberale është rrënjësisht e ndryshme nga ajo moderne liberale që shfaqet pas ngritjes së kapitalizmit industrial, i cili thotë se të drejtat e patjetërsueshme janë ato të drejta që kërkojnë miratim për t’u tjetërsuar.

Iluminizmi evropian gjeti mishërimin e tij të parë dhe më domethënës politik në Deklaratën Amerikane të Pavarësisë. Ai paralajmëroi epokën e revolucioneve demokratike kundër të drejtës hyjnore të mbretërve që shumë shpejtë pas kësaj do të përfshinte kontinentin evropian dhe përfundimisht pjesën tjetër të botës. Nuk është e tepërt të thuhet se historia moderne politike nuk mund të kuptohet, aq më pak të vlerësohet, pa Revolucionin Amerikan dhe Deklaratën e Pavarësisë që u përpoq ta arsyetonte atë.

Një zbulim amerikan, rëndësia e të cilit është vlerësuar vetëm nga studiuesit më të fundit, dhe që mua si socialdemokrat më duket veçanërisht frymëzues, është zëvendësimi që i bëri Jefferson treshes së famshme të John Locke-it “Jeta, Liria dhe Prona” me “Jetën, Lirinë dhe kërkimin e Lumturisë”.

Brezat e mëvonshëm të demokratëve radikalë amerikanë e kuptuan mirë domethënien e idealeve politike të Jeffersonit, të shprehura në Deklaratën e Pavarësisë. Prandaj, nuk është rastësi që të gjitha lëvizjet kryesore progresiste shoqërore në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës – domethënë, abolicionizmi, feminizmi, lëvizja e punëtorëve, lëvizja për të drejtat civile dhe lëvizja e protestave të studentëve – janë thirrur vazhdimisht në tekstin e Deklaratës.së Pavarësisë. Madje, edhe shumë luftëtarë të lirisë së Botës së Tretë gjetën frymëzim aty.

Në fillim të shekullit XX, shqiptarët po luftonin për të siguruar vendin e tyre midis kombeve të pavarura të botës dhe liderët tanë të atëhershëm i vendosën shpresat e tyre te idealizmi amerikan i Presidentit Wilson. Në fund të shekullit XX, një ndërhyrje humanitare e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe e udhëhequr nga ideja e supremacisë së të drejtave të njeriut mbi sovranitetin shtetëror do të siguronte mbijetesën e popullit të Kosovës. Sot, ne jemi të përkushtuar ndaj “Jetës, Lirisë dhe kërkimit të Lumturisë” për vendin tonë, për rajonin tonë dhe më gjerë, pavarësisht nga raca, etnia, ngjyra, feja, bindjet politike, orientimi seksual apo çdo dallim tjetër real ose i perceptuar.

Të dashur miq,

“Virtyti është themeli i lumturisë. Dhe virtyti përbëhet nga maturia, të përmbajturit, guximi dhe drejtësia”. Këto janë fjalët e Thomas Jefferson, autorit të Deklaratës së Pavarësisë. Sot, fjala “virtyt” do të thotë “moral”, por në kohën e baballarëve themelues të Amerikës, do të thoshte “mendje publike” ose me fjalë të tjera, “cilësia e vënies së të mirës së përbashkët përpara interesit vetjak”.

Nuk është për t’u habitur që në shkrimet e epokës revolucionare të ruajtura në Arkivin Kombëtar të Shteteve të Bashkuara, fjala virtyt shfaqet 6000 herë. Në të vërtetë, më shpesh sesa vetë qëllimi përfundimtar: “liria”. Me sa duket, duhen njerëz të virtytshëm për të krijuar një shoqëri të drejtë, por siç tha James Madison, “Nëse njerëzit do të ishin engjëj, nuk do të kishte nevojë për qeveri”. Prandaj, një qeveri e strukturuar mbi kontrolle dhe ekuilibra është thelbësore nëse duam ta mbrojmë këtë të drejtë të patjetërsueshme.

Zonja dhe zotërinj,

Janë pikërisht idetë radikale të iluminizmit mbi të cilat u themeluan Shtetet e Bashkuara që duket se i shqetësojnë liderët e sotëm autoritarë të ekstremit të djathtë. Si profetë të kundër-iluminizmit, ata pranojnë lehtësisht se janë të përfshirë në një betejë kundër ideve të të drejtave të patjetërsueshme dhe qeverisjes me miratim. Ndërsa ngremë një dolli për 246-vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, le të ri-përkushtohemi për të mbrojtur themelin e filozofisë së saj politike.

Gëzuar 4 Korriku, me dëshirat më të mira për të ardhmen e ndritshme të kombit tuaj.

Ju falemnderit.

Mirë që më dhanë vetëm pesë minuta për fjalimin tim, përndryshe pesë të tjera nuk do të mjaftonin për atë që do të flisja: xhazin e New Orleans-it, letërsinë e Mississippi-t dhe jetën e natës dhe ëndrrat syhapur në Sunset Boulevard.

Ju falënderoj përsëri.

Last modified: 13 Korrik, 2022

Comments are closed.

×