Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti në Kuvend: Ligji për pagat të krijojë transparencë dhe barazi në sektorin publik

14 Dhjetor, 2021

Prishtinë, 14 dhjetor 2021

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

E nderuar nën Kryetare e Kuvendit,

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,

Të nderuar deputetë,

Ligji për pagat tashmë i shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, numëronte 6 parime kryesore juridike mbi të cilat thuhej së është hartuar. Nga këto parime, Gjykata Kushtetuese analizoi vetëm 2 prej tyre. U konstatua se ligji nuk arrinte të shpërfaqte as parimet që kishte vendosur vetë, mbi të cilat synohej rregullimi i sistemit të pagave në Kosovë. Pra, një ligj i dobët, që më shumë se dobi, i bëri dëm shtetit.

Thuhej se sistemi i pagave po ndërtohej mbi bazën e barazisë dhe të mosdiskriminimit, por na u ofrua një alternativë e mbushur me pabarazi e me diskriminim. Rritën paga pa pasur rritje ekonomike, rritën paga për arbitraritete dhe pazare politike aq shumë sa për 40% të pozitave, nuk e dinin se as ku i kishin klasifikuar. Më shumë se 34 mijë zyrtarë të shtetit, nuk e gjenin dot veten në këtë ligj, e ata që e gjenin, ishin me shumicë të pakënaqur. Ndikimi real i Ligjit të kaluar të pagave në strukturën e buxhetit është vërejtur se nuk ka qenë plotësisht i njohur dhe i llogaritur, ligj i cili kishte kosto mbi 100 milionë euro shtesë.

Ligji për pagat, përveç se ishte një ligj elektoral, ka pasur mangësi në formë dhe në përmbajtje të tij. Synimi i atij ligji, nuk ishte të krijojë zgjidhje afatgjate e as të rregullojë kaosin në të cilin gjendet sistemi i pagave në sektorin publik. Edhe në kohën kur ky ligj erdhi në Kuvendin e Republikës për miratim, si subjekt kishim vërejtje të shumta lidhur me trajtimin parcial të problemit të pagave në Kosovë. Sot, kur si Qeveri jemi duke analizuar në detaje dhe po adresojmë këto problematika, themi të bindur se gjendja e trashëguar është edhe më kaotike se sa që duket. Me të drejtë pagat e zyrtarëve shtetërorë kanë qenë epiqendër e debateve ndër vite ngaqë faturat mujore për disa paga tejkalojnë të pranueshmen krahasuar me të tjerat që nuk arrijnë të mbulojnë as shpenzimet mujore të një familjeje.

Kërkesat për kushte më të mira pune si në sektorin privat dhe atë publik, janë tashmë të njohura, sepse ndër vite kemi dëgjuar dhe jemi takuar me grupet e interesit dhe sindikatat. Ka kërkesa legjitime për rritje pagash, por rritja e pagave duhet të jetë e indeksuar në rritjen e produktivitetit, e kjo nënkupton se rritja e outputit nuk duhet të bëhet siç është bërë deri më tani duke rritur numrin e të punësuarve nëpër zyra, por duke u rritur produktiviteti në shoqëri.

Më lejoni të jap vetëm një shifër që më së miri e ilustron këtë. Sipas një raporti të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) të vitit 2020, punësimi në sektorin publik në vendet e OECD, pra vendet e pasura, përfaqëson rreth 21.1% të punësimit total, ndërkaq në Kosovë kjo shifër shkon në 30.8%. Ne jemi të vetëdijshëm për kualitetin e shërbimeve te ne në raport me vendet e OECD-së, dhe pikërisht për këtë duhet që qasja të ndryshojë, që pagat të rriten varësisht nga rritja e produktivitetit përbrenda rritjes ekonomike, gjë që do reflektonte edhe në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët tanë, ashtu siç do të ndikonte në përmirësimin e mirëqenies sociale. Mos harroni se tek ne rritja ekonomike, para se të reflektohet në rritje të pagave duhet të reflektohet në punësim shtesë. Nuk e kemi e punësimin maksimal e papunësinë minimale që rritja ekonomike të reflektohet drejtpërsëdrejti në rritje të pagave. Tek ne rritje ekonomike para së gjithash, e mbi të gjitha duhet të reflektohet në rritje të punësimit.

Sindikatat duhet të forcohen, ato duhet të mbrojnë interesat e të punësuarve në sektorin publik, por duhet të kenë parasysh po ashtu që të mbrojnë edhe interesat e qytetarëve që paguajnë taksa dhe presin shërbime cilësore, transparencë dhe llogaridhënie, për të mbrojtur kështu interesat e shtetit dhe jo interesat e grupeve të caktuara.

Për shkak të shfuqizimit të ligjit për paga nga Gjykata Kushtetuese në njërën anë dhe nevojës së pashmangshme për të hartuar dhe implementuar një ligj të drejtë e parimor në anën tjetër, është duke u punuar në një ligj, i cili do t’ju përgjigjet anomalive të identifikuara në ligjin e kaluar dhe sistemit të degraduar të pagave që qeveritë e kaluara lanë pas tyre.

Ligji i pagave i miratuar nga qeveria e PAN-it dhe i shfuqizuar nga gjykata Kushtetuese pas kërkesës së avokatit të popullit garantonte betonizim të kaosit që edhe ashtu vit pas viti këto 20 vite ishte instaluar në administratën publike. Gjatë viteve 2018-2019 kemi parë këtu në kuvend shpjegime të paqëndrueshme mbi ligjin për pagat nga ish qeveritarët dhe ish mazhoranca të cilët e aprovuan atë ligj pasi që së pari ia kishin rritur pagat vetes me vendim qeverie e me pas as nuk e buxhetuan atë në vitin 2019. Ligji i bërë në atë kohë, nuk jepte përgjigje për thelbin e çështjes, pse ai koeficient dhe çfarë paguajmë. A paguajmë punën, efektivitetin, vështirësitë, llojin e profesionit, vitet e shpenzuara në shkollim e të tjera. Të gjithë e dimë që atëbotë koeficientet ishin vendosur me emra personash dhe jo sipas ndonjë parimi që i përgjigjet profesionit. Po ashtu kryesorja e kritikës sonë pat qenë fakti se mungonte katalogu i ri i vendeve të punës ku përshkruheshin dhe përkufizoheshin me hollësi vendet e punës dhe kategoritë e tyre. Pa këtë katalog, si ishte bërë shqyrtimi i të gjitha pozitave dhe përllogaritja dhe vlerësimi për to.

Më pas në atë ligj kishte aq shumë pabarazi, dhe aq shumë çakordim si rastet e niveleve tepër të ulëta të mësuesve të fillores dhe çerdheve krahasuar me punonjësit e shërbimeve të drejtuesve të institucioneve. Pagat e kirurgëve krahasuar me për shembull shtesat e deputetëve e të ngjashme si këto. Ndonëse si rregull pagat janë të pakrahasueshme për çdo pozicion kur nuk ofrohet një parametër matës, jo arbitrare për njësinë bazë si për shembull koeficienti atëherë fillon përçarja dhe gara brenda grupacioneve të administratës publike. Është fakt që në administratën publike në Kosovë kemi kaos në sistemin e pagave dhe që drafitmi dhe miratimi i këtij ligji të ri për pagat është imperativ edhe për neve. Por mos harroni pikërisht duke mos u nxituar ne tregojmë përgjegjësinë tonë. Urgjenca është papërgjegjësi në këtë rast sepse prandaj jemi në këtë situatë sepse disa na kanë vonuar pikërisht duke u nxituar. Nuk ka shenjë të barazisë midis rëndësisë dhe urgjencës. Ka gjëra që janë urgjente por nuk janë të rëndësishme, ka gjëra të cilat janë të rëndësishme por nuk janë urgjente. Ka gjëra të cilat janë edhe të rëndësishme edhe urgjente. Por nëse ke shumë gjëra edhe të rëndësishme edhe urgjente nuk e kupton as çka është rëndësia dhe as urgjenca.

Në Kosovë kemi shumë dallime në paga. Për punë ekuivalente në institucionet e ndryshme mes administratës publike në njërën anë dhe agjencive të pavarura dhe ndërmarrjeve publike në anën tjetër. Ajo që është më problematike sistemi ekzistues i pagave nuk ofron përgjigje për diferencat që do të duhej të ekzistonin për të adresuar dallimet në nivel të shkollimit, dallimet në nivel të përgjegjësisë në detyrë, dallimet në nivel të rrezikshmërisë, dallimet në përvojë pune e as dallimet në prioritete shoqërore për sektorë të caktuar.

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Hartimi i këtij ligji nuk është i lehtë dhe ne jemi të vetëdijshëm që ky ligj nuk u bë për 22 vite, duhet të bëhet sa më parë, por ajo që nuk u bë për më shumë se dy dekada, nuk bëhet mirë nëse bëhet me nguti. Ligjin për paga do ta bëjmë, dhe do të bëjmë ligj të mirë, ligj që zgjidh problemet thelbësore të pagave e që nuk do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën.

Qeveria është e përkushtuar që t’i japë fund vendimeve Ad-Hoc të ministrave dhe drejtorëve të agjencive për rritjen e pagave sipas preferencave e lidhjeve familjare. Me të marrë mandatin, ne jo vetëm që kaluam nga një kabinet me 5 zëvendëskryeministra, 21 ministra dhe mbi 80 zëvendësministra në një kabinet pra minimalist, njëkohësisht kemi ulur shpenzimet marramendëse të bëra nga kabinetet e qeverive të kaluara. Janë rritur të hyrat tatimore, investimet në ekonomi, e janë ulur shpenzimet qeveritare.

Ky është indikacioni më i mirë, që në ligjin për paga po punojmë të vendosur për të ofruar zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme. Për të ofruar këtë zgjidhje, Ministria e Punëve të Brendshme po e udhëheq procesin në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Financave, me të gjitha ministritë e linjës, si dhe institucionet e tjera relevante.

Ligji për pagat në sektorin publik, para se gjithash, është ligj i cili synon të krijojë një sistem të njëtrajtshëm në përcaktimin e pagës. Si i tillë, i njëjti duhet të sigurojë që të përcaktohen parimet bazë për përcaktim të koeficienteve, dhe jo të bëhet instrument për të akomoduar kërkesat e grupeve të interesit. Për më tepër, i njëjti ka synim rritjen e efiçencës së administratës publike dhe të kufizojë përfitimet jashtë pagës bazë.

I tërë ligji është duke u hartuar në atë mënyrë që sistemi i pagave i rregulluar nga ky ligj të reflektojë disa nga parimet kryesore juridike si atë ligjshmërisë, transparencës, të parashikueshmërisë, barazisë dhe të mos-diskriminimit.

Tash e 22 vite, në Kosovë mos puna e një grupi është munduar të fshihet me rekrutime shtesë, e shtesat e ndryshme janë përdorur për të rehatuar dashamirë e familjarë.

Me ligjin e ri, krahas përcaktimit të pagës bazë, kompensimeve dhe shpërblimeve, do të përcaktohen edhe llojet dhe lartësitë e shtesave, duke mos lejuar kështu që dy kolegë në të njëjtën zyre, për të njëjtën punë, me të njëjtin kualifikim, të paguhen ndryshe dhe të marrin shtesa të ndryshme në mënyrë të pajustifikuar, sikurse që nuk do të lejojmë që shtesat për një muaj të një zyrtari të jenë më të larta edhe se paga vjetore e një qytetari, siç tashmë ka ndodhur.

Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar që përmes këtij ligji të krijojë transparencë dhe barazi në sistemin e pagave, të shpërblimeve dhe kompensimeve në sektorin publik.

Pra me drejtësi, e jo favore, privilegje e premtime të rrejshme.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj.

 

 

Last modified: 14 Dhjetor, 2021

Comments are closed.

×