Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti në ceremoninë e varrimit të Xhevdet Bajrajt: Poet dhe njeri i papërsëritshëm

30 Qershor, 2022

Rahovec, 30 qershor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në ceremoninë e varrimit të poetit Xhevdet Bajra, i cili është ndarë nga jeta me 22 qershor të këtij viti.

“Erdhëm këtu që t’i japim lamtumirën e fundit dhe të vendosim lule të freskëta te varri i poetit të madh të popullit tonë, Rahovecit, të Kosovës, të letërsisë dhe artit shqip”, ishin fjalët e para të kryeministrit pas përfundimit të ceremonisë së varrimit.

Ai është poet dhe njeri i papërsëritshëm, tha më tej kryeministri, që e ka dashur shumë tokën, natyrën, qiellin, zogjtë e lirinë dhe na kanë bërë, që edhe ne t’i duam të gjitha këto edhe më shumë.

“E ka dashur popullin e shoqërinë e në veçanti e ka dashur Rahovecin dhe rrushin, andaj, ai do të prehet këtu i qetë, por vepra e tij, poezia e tij, do të jetojë shumë, shumë gjatë e po aq gjatë edhe do të studiohet nga brezat që vijnë”, u shpreh kryeministri Kurti.

Prononcimi i plotë i Kryeministrit Kurti:

Erdhëm këtu që t’i japim lamtumirën e fundit dhe të vendosim lule të freskëta te varri i poetit të madh të popullit tonë, Rahovecit të Kosovës, të letërsisë dhe artit shqip.

Xhevdet Bajra është poet dhe njeri i papërsëritshëm, i cili e ka dashur shumë tokën, natyrën, qiellin, zogjtë, lirinë, krejt ato që i duam të gjithë ne, mirëpo dashuria dhe të gjitha këto e shumë të tjera e Xhevdet Bajrajt, na kanë bërë, që edhe neve t’i duam këto dhe gjitha të tjerat edhe ndryshe edhe më shumë.

Ai e ka dashur njeriun, e ka dashur të vërtetën, drejtësinë, e ka dashur popullin e shoqërinë e në veçanti e ka dashur Rahovecin dhe rrushin.

Andaj, ai do të prehet këtu i qetë, por vepra e tij, poezia e tij, do të jetojë shumë, shumë gjatë e po aq gjatë edhe do të studiohet nga brezat që vijnë.

Last modified: 15 Korrik, 2022

Comments are closed.

×