Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Ndërveprimi i përmirësuar në mes të nivelit qendror dhe lokal, pjesë e rëndësishme e konsolidimit të demokracisë së vendit tonë

15 Dhjetor, 2021

Prishtinë, 15 dhjetor 2021

Për Republikën e Kosovës, avancimi i demokracisë sonë është i një rëndësie të veçantë, dhe një demokraci më e mirë në nivelin lokal e një ndërveprim i përmirësuar në mes të nivelit qendror dhe atij lokal është pjesë e rëndësishme e konsolidimit të demokracisë dhe të shtetësisë së vendit tonë, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë përmbyllëse të projektit të Këshillit të Evropës: “Promovimi i demokracisë vendore”.

Ai theksoi se shpreson që Këshilli i Evropës do të mobilizojë burime dhe do të kërkojë një zë të përbashkët për t’u angazhuar me Kosovën pavarësisht dallimeve.

Demokracia lokale do të thotë që qytetari angazhohet për të siguruar që politikat lokale reflektojnë nevojat dhe preferencat e komunitetit e jo të kryetarit të Komunës. Ajo kërkon pjesëmarrje aktive qytetare në mënyrë që pushteti të mos bëhet arbitrar dhe i korruptuar apo të funksionojë vetëm për disa, tha kryeministri.

Si qytetarë të republikës ne s’pushojmë së kërkuari të drejta në pajtim me parimet demokratike dhe karakterin republikan të shtetit tonë, e si banorë të komunës duhet të kërkojmë shërbime më të mira, por edhe të kryejmë pjesën e angazhimit tonë si qytetar duke marrë pjesë jo vetëm ditën e zgjedhjeve, por çdo ditë kur merren vendimet e kur zbatohen ato, theksoi ai.

Duke biseduar për nivelin e demokracisë në komunat në veri të vendit tonë, kryeministri tha se është evidente se qytetarët e Republikës së Kosovës nga komuniteti Serb janë në trysni të vazhdueshme nga struktura të trashëguara ilegale e kriminale të cilat veprojnë jashtë ligjit dhe pengojnë zhvillimin e demokracisë dhe pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në institucionet e republikës. Ai tha se këto çështje do të adresohen përmes programit të qeverisë për sundim të ligjit dhe dialogut të qeverisë me komunitetet jo shumicë në Kosovë.

Projekti “Promovimi i Demokracisë Lokale”, i filluar nga Këshilli Evropës në korrik të vitit të kaluar, ka synim përmirësimin e qeverisjes lokale, ku për herë të parë Kosova është vendosur nën vëzhgimin e Kongresit të Autoriteteve Lokale e Rajonale.

Kryeministri theksoi se mirëpret rekomandimet nga raporti, ndërsa pret që Kongresi i Autoriteteve Lokale e Rajonale, Ministria e Pushtetit Lokal dhe Asociacioni i Komunave të punojnë së bashku drejt të njëjtave synime.

Mirëpres veçanërisht një kontribut se si ne mund të rrisim të hyrat vetanake në mënyrë që komunat të kenë të ardhura më të mëdha, për të ndihmuar kuvendet e zgjedhura për të përmirësuar mbikëqyrjen e kryetarëve të komunave, gjenerimin e ideve se si të përmirësohet pjesëmarrja e qytetarëve dhe të fillohet të zbatohet një mekanizëm me të cilin ne mbështesim pjesët më të varfra të Kosovës me zotimin se nuk do ta lëmë asnjë komunë pas, tha Kryeministri Kurti.

Duke i përgëzuar për arritjen në realizimin e këtij projekti, kryeministri uroi që ky bashkëpunim mes Këshillit të Evropës dhe Republikës së Kosovës të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme në mënyrë që të mund të zbatojmë Planin e Veprimit në përputhje me prioritetet e Ministrisë së Pushtetit Lokal.

Fjala e Kryeministrit Kurti në ceremoninë përmbyllëse të projektit të Këshillit të Evropës: “Promovimi i demokracisë vendore:

I nderuari z. Kiefer, Sekretar Gjeneral, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale te Këshillit të Evropës,
I nderuar z. Krasniqi, Ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal,
I nderuar z. Ahmeti, President i Asociacionit të Komunave të Kosovës,
E nderuar znj. Sørvold, Zëvendëse e Shefit të Misionit, Ambasada Mbretërore Norvegjeze,
I nderuari z. Power, Udhëheqës i Zyrës së Këshillit të Evropës ne Prishtinë,
Të nderuar kryetarë të komunave,
Të nderuar të pranishëm,

Ju faleminderit që më keni ftuar të jem pjesë e ngjarjes përmbyllëse të projektit të “Promovimit të Demokracisë Lokale”, projekt ky i filluar nga Këshilli Evropës në korrik të vitit të kaluar, me synim përmirësimin e qeverisjes lokale, ku për herë të parë Kosova është vendosur nën vëzhgimin e Kongresit të Autoriteteve Lokale e Rajonale.

I përgëzoj autorët e raportit dhe i mirëpres përpjekjet e Këshillit të Evropës për angazhimin e tyre me Kosovën.

S’ka dyshim se për mua është çdoherë kënaqësi kur kam mundësinë të flas për demokraci dhe për angazhim qytetar. Duke qenë aktivist për një kohë të gjatë, jam i vetëdijshëm se vetëm kështu mund të arrijmë edhe informimin e nevojshëm, por edhe edukimin e domosdoshëm mbi rëndësinë e demokracisë.
Ne e dimë se demokracia është formë e qeverisjes, e cila kërkon qytetarë aktiv dhe të mirë-informuar dhe një besim se të gjithë e kemi një rol për të luajtur në bërjen e shtetit dhe në përmirësimin e jetëve tona.

E roli ynë aktiv fillon së pari në komunë. Komuna është baza e vetëqeverisjes, ku edhe marrim shërbimet tona kryesore, duke filluar nga edukimi, uji i pijshëm, menaxhimi i mbeturinave, rrugët e trotuaret, hapësirat e gjelbra e me radhë janë të gjitha shërbime që kryhen në Komunë.

Neni 4 i kushtetutës së Republikës së Kosovës thotë “Kosova është Republikë demokratike e bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve dhe kontrollit e balancimit në mes tyre.”, kurse Neni 8 i ligjit për vetëqeverisje lokale thotë se “Qytetar i komunës është çdo person, i cili është qytetar i përhershëm i Republikës së Kosovës, që jeton në komunën përkatëse.” Pra ne jemi së pari qytetarë të Republikës e pastaj banorë të komunës.

Si qytetarë të republikës ne s’pushojmë së kërkuari të drejta në pajtim me parimet demokratike dhe karakterin republikan të shtetit tonë, e si banorë të komunës duhet të kërkojmë shërbime më të mira, por edhe të kryejmë pjesën e angazhimit tonë si qytetar duke marrë pjesë jo vetëm ditën e zgjedhjeve, por çdo ditë kur merren vendimet e kur zbatohen ato.

Sepse, demokracia nuk është thjeshtë transaksionale, nuk është një sistem, në të cilin vota shkëmbehet ashtu, që obligimi jonë është vetëm të votojmë dhe në këmbim të presim, që gjithçka të shkojë mirë. Demokracia është edhe vlerë. Ajo kërkon pjesëmarrje aktive qytetare në mënyrë që pushteti të mos bëhet arbitrar dhe i korruptuar apo të funksionojë vetëm për disa.

Demokracia lokale do të thotë që qytetari angazhohet për të siguruar që politikat lokale reflektojnë nevojat dhe preferencat e komunitetit e jo të kryetarit të Komunës. Një gurthyes i cili dëmton dhe ndot mjedisin ku jeton komuniteti, shton zhurmën dhe rrezikon banorët ndoshta edhe mund të jetë interes i ndonjë kryetari të komunës a një grupi të lidhur me të por jo interes i komunitetit. Për të ndalë një politikë të tillë kërkohet pjesëmarrje aktive qytetare.

Ashtu siç tregon edhe raporti, demokracia lokale në Kosovë po ecën mirë. Në përgjithësi, komunat në Kosovë gëzojnë nivel më të lartë të decentralizimit dhe të qeverisjes më të mirë krahasuar edhe me disa shtete anëtare të BE-së se lëre më ato të rajonit.

Komunat tona gëzojnë kompetenca të gjera vetanake të cilat nuk gjenden edhe në vendet e BE-së dhe në përgjithësi kanë mësuar që të udhëheqin me punën e tyre. Nga ana jonë, ne jemi zotuar që të krijojmë grantin e katërt për Komuna i cili mundëson edhe autonomi më të madhe për investime kapitale dhe zbatim të projekteve për zhvillim të gjithmbarshëm e që duhet të rezultojë në performancë më të mirë.
Në raportin tuaj keni adresuar shumë sfida, për të cilat ne kemi marrë shënime, sidomos Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, dhe për të cilat do të punojmë së bashku.

Unë pajtohem me rekomandimin tuaj se duhet një rol më aktiv i asamblistëve komunalë. Asamblistët, të cilët siç evidenton me të drejtë edhe raporti juaj, janë të shumtë në numër, duhet të jenë shumëfish më aktiv në angazhimin e komunitetit që përfaqësojnë duke informuar me kohë për vendimet që merren nga Komuna e duke mundësuar dëgjimin e zërit të qytetarëve.

Raporti po ashtu identifikon sfida të cilat janë jo si rezultat i mungesës së të drejtave që burojnë nga kushtetua e ligji por më shumë si mungesë e interpretimit të drejtë dhe zbatimit të këtyre të drejtave në praktikë, diçka që duhet të adresohet përmes MAPL, Asociacionit të Komunave dhe partnerëve tjerë.

Në këtë drejtim, siç edhe e dini, komunat i ushtrojnë kompetencat e tyre sipas parimit të subsidiaritetit. Ky parim udhëhiqet nga logjika e “efiçiencës krahasuese” (eng. comparative efficiency) që në thelb në sistemin tonë nënkupton një kalkulim nëse një objektivë apo masë mund të arrihet më mirë nëse ndërmerret nga niveli lokal apo ai qendror. Ky parim gjendet në nenin 15 të Ligjit për vetëqeverisje lokale. Esenca këtu është nëse objektiva mund të arrihet më mirë e jo vetëm sepse mund të arrihet, pra pjesa mund duhet të shoqërohet me pjesën më mirë në mënyrë që ky parim të arrijë realizimin e tij.

Natyrisht ky parim është tejet i vlefshëm në shtete me territor të madh ku qeveria qendrore është larg edhe si distancë fizike nga komuna e qytetaret e me shtresa të ndryshme të qeverisjes. Kosova ka dy nivele të qeverisjes ku qeveria qendrore është tejet prezente edhe për faktin sepse kemi një territor kompakt. Ta zëmë, inspektorët nga niveli qendror munden lehtësisht të kryejnë kontrolle të kualitetit e të zbatueshmërisë në disa komuna brenda orarit të punës. Nëse objektivë është zbatimi efektiv i ligjit për kontroll të cilësisë së një shërbimi e produkti, i cili ofrohet për qytetarët duhet të shikohet nëse objektiva e zbatimit të ligjit arrihet më mirë po qe se veprohet me inspektorë lokalë apo ata qendrorë.

Aty ku është krahasimisht më efektive të veprohet me kompetenca lokale një gjë e tillë duhet të ndodhë e aty ku vlerësohet se objektiva arrihet më lehtë e më mirë duke vepruar nga niveli qendror, një veprim i tillë do të ndodhë mbi bazën e këtij parimi.

Ne e dimë që në forume të ndryshme ndërkombëtare dhe evropiane e kemi bezdi fusnotën këtë asteriksin, që i mëveshët emërtimit të vendit tonë, po ashtu e dimë që është një trashëgimi e hidhur nga qeveritë e mëhershme, por më lejoni të shprehë pakënaqësi me mënyrën e përdorimit të asteriksit sepse kjo nuk reflekton realitetin e një Kosove të pavarur e sovrane të njohur nga shumica e shteteve të Këshillit të Evropës, por as edhe të marrëveshjes së trashëguar nga dialogu në Bruksel për përfaqësimin rajonal.

Në raport asteriksi është përdorur sa herë që përdoret emërtimi Kosovo. Kurse ka vetëm një referencë në fillim të raportit që shpjegon asteriksin e cila është ndryshe nga çdo referencë tjetër që kemi hasur. Kjo është më e rëndë sepse po ndodhë në Kosovë jo diku në arenën ndërkombëtare.

Besoj që ky keq-citim e keqpërdorim duhet adresuar e përmirësuar.

Edhe një pakënaqësi tjetër e cila nuk ka të bëjë me raportin por me nivelin e demokracisë në komunat në veri të vendit tonë. Është evidente se qytetarët e Republikës së Kosovës nga komuniteti Serb janë në trysni të vazhdueshme nga struktura të trashëguara ilegale e kriminale të cilat veprojnë jashtë ligjit dhe pengojnë zhvillimin e demokracisë dhe pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në institucionet e republikës. Çështje këto që do të adresohen përmes programit të qeverisë për sundim të ligjit dhe dialogut të qeverisë me komunitetet jo shumicë në Kosovë.

Unë ju përgëzoj për arritjen që keni bërë në realizimin e këtij projekti dhe uroj që ky bashkëpunim mes Këshillit të Evropës dhe Republikës së Kosovës të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme në mënyrë që të mund të zbatojmë Planin e Veprimit në përputhje me prioritetet e Ministrisë së Pushtetit Lokal. Për këtë qëllim, unë mirëpres veçanërisht një kontribut se si ne mund të rrisim të hyrat vetanake në mënyrë që komunat të kenë të ardhura më të mëdha, për të ndihmuar kuvendet e zgjedhura për të përmirësuar mbikëqyrjen e kryetarëve të komunave, gjenerimin e ideve se si të përmirësohet pjesëmarrja e qytetarëve dhe të fillohet të zbatohet një mekanizëm me të cilin ne mbështesim pjesët më të varfra të Kosovës me zotimin se nuk do ta lëmë asnjë komunë pas.

Ne i mirëpresim rekomandimet dhe presim që Kongresi, Ministria e Pushtetit Lokal dhe Asociacioni i Komunave të punojnë së bashku drejt të njëjtave synime.

Shpresoj që Këshilli i Evropës do të mobilizojë burime dhe do të kërkojë një zë të përbashkët për t’u angazhuar me Kosovën pavarësisht dallimeve. Për Republikën e Kosovës, avancimi i demokracisë sonë është i një rëndësie të veçantë, dhe një demokraci më e mirë në nivelin lokal e një ndërveprim i përmirësuar në mes të nivelit qendror dhe atij lokal është pjesë e rëndësishme e konsolidimit të demokracisë dhe të shtetësisë së vendit tonë.

Ju faleminderit.

Last modified: 15 Dhjetor, 2021

Comments are closed.

×