Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në pritjen e Ambasadës franceze në Kosovë me rastin e Festës Kombëtare të Francës

14 Korrik, 2022

Prishtinë, 14 korrik 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada franceze me rastin e 14 Korrikut – Festës Kombëtare të Francës.

Në fjalën e rastit, kryeministri Kurti shprehu kënaqësinë që ishte pjesë e kremtimit të dy ngjarjeve kryesore në historinë moderne franceze, rënien e Bastiljes dhe bashkimin e popullit francez.

Pjesa më e madhe që ne e marrim si të mirëqenë në fjalorin e sotëm politik – diskursi i të drejtave të njeriut dhe atyre civile, republikanizmi, sovraniteti popullor, shteti-komb, ndarja e spektrit politik në të djathtë dhe të majtë, është trashëgimi e drejtpërdrejtë e Revolucionit Francez, tha kryeministri.

Ai theksoi se shumë artistë dhe studiues shqiptarë janë frymëzuar nga kultura franceze si: shkrimtari dhe intelektuali Faik Konica, shkrimtari Ismail Kadare, kitaristi Ehat Musa e profesori i filozofisë Muhamedin Kullashi.

Kryeministri Kurti u shpreh i lumtur që në nivel politik Republika e Kosovës dhe Republika e Francës gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe.

Franca ishte një nga vendet e para që njohu shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës, tha ai dhe shtoi se që atëherë, ne kemi vazhduar të kultivojmë miqësinë tonë të çmuar, duke u bërë madje degë e të dyjave, Organizatës Ndërkombëtare dhe Asamblesë Parlamentare, të Frankofonisë.

Qeveria ime i çmon shumë marrëdhëniet tona dypalëshe dhe është e vendosur t’i promovojë edhe më tej në të ardhmen, tha kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti:

Shkëlqesia juaj Madam Marie-Christine Butel, ambasadore e Francës në Republikën e Kosovës,
Mysafirë të nderuar,
Anëtarë të Kuvendit dhe të Qeverisë,
Prijës fetarë,
Zonja e zotërinj,

Kam kënaqësinë të jem sot me ju në shënimin e la Fête nationale française, kremtimin e dy ngjarjeve kryesore në historinë moderne franceze – bastisjen e burgut të Bastijes (14 korrik 1789) dhe bashkimin e popullit francez (14 korrik 1790, Fête de la Fédération).
Merci de me recevoir! (Faleminderit që më ftuat – në rast se shqiptimi im jo i saktë ju shkakton huti).

Si një nga revolucionet binjake (sivëllai i atij amerikan) që na dhanë modernitetin politik, Revolucioni Francez shquhet për thyerjen radikale që sjell në të vetëkuptuarit e botës moderne. Mund të rreshtohesh pro ose kundër tij, por nuk mund ta injorosh atë. Në të vërtetë, edhe pse ishin rebeluar kundër monarkisë britanike 13 vjet më parë, revolucionarët amerikanë arritën të çmonin radikalitetin e veprës së tyre vetëm pas Revolucionit Francez. Në simpatinë entuziaste që Revolucioni Francez ngjalli te spektatorët anembanë botës, Immanuel Kanti pa shenjën e “një prirje morale në racën njerëzore” – një që, sipas tij, përbënte ogur të mirë për përparimin e llojit tonë.

233 vjet më parë, mendimi dhe veprimi hynë në një garë të paparë më herët. Fakti dhe e drejta u vunë në kundërshtim për të mos sunduar kurrë mbi njëri-tjetrin.
Dy momentet intelektuale të revolucionit, të cilat ishin parashikuar nga mendjet e ndritura të Monteskjës dhe Rusoit, do të na vërtetonin në detaje mbresëlënëse aftësitë e demokracisë dhe vetitë e Republikës.

Dita e Bastijes është njëherësh shpërthimi i deklarimit me çdo kusht për lirinë, rënia e burgut të Bastijes, por dhe deklarim popullor, një kryengritje e masës anonime për liri. Republika do të jetë pra një raport i përhershëm në mes të lirisë dhe popullit. Demokracia duhet të shtrihet dhe do të shtrihet në masën e një Republike. Ja dhe një arsye e mjaftueshme për një 14 korrik të dytë, atij të Federatës të një viti më vonë.
Prandaj, zonja Ambasadore, ju përgëzoj për ditën kombëtare të rënies së Bastijes dhe atë të Federatës së kombit francez.

Zonja dhe zotërinj,

Pjesa më e madhe e asaj që ne e marrim si të mirëqenë në fjalorin e sotëm politik – diskursi i të drejtave të njeriut dhe atyre qytetare, republikanizmi, sovraniteti popullor, shteti-komb, ndarja e spektrit politik në të djathtë dhe të majtë – është trashëgimi e drejtpërdrejtë e Revolucionit Francez. “E drejta për të pasur të drejta” e atyre që tradicionalisht ishin të përjashtuar nga pjesëmarrja politike, mori artikulimin e parë doktrinor në kontekstin e debateve të mëdha politike të epokës revolucionare franceze. Siç e shprehu abati Sieyès (Emmanuel Joseph Sieyès) në pamfletin e tij të famshëm: “Çfarë është Klasa e Tretë (vegjëlia)? Gjithçka. Çfarë ka qenë deri tani në rendin politik? Asgjë. Çfarë dëshiron të jetë? Diçka.”

Diçka e gjeniut francez depërtoi për herë të parë në kulturën shqiptare nëpërmjet një prej shkrimtarëve dhe intelektualëve tanë më të rëndësishëm modernë, Faik Konicës. Si një frankofil i papendueshëm, ai u ndikua shumë nga gjuha dhe kultura franceze. Sipas studiuesit të Konicës, Luan Starova, “formimi estetik në gjuhën frënge, fitimi dhe përvetësimi i tipareve thelbësore të shpirtit galik, një ndjenjë volterike për ironi dhe sarkazëm, dhe kritika si kriteri i vetëm për të arritur tek e vërteta e shpirtit kartezian”, ishin disa nga faktorët më domethënës që formësuan ndjeshmërinë e shkrimtarit tonë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Ne jemi të ndërgjegjshëm se shprehja më e arrirë e pjesëmarrjes sonë politike e shoqërore ishte Rilindja Kombëtare Shqiptare, e shtrirë përgjatë tetëdhjetë e kusur vitesh. Shumica e rilindasve tanë e zotëronin shumë mirë frëngjishten. Ata e kishin mësuar frëngjishten e Volterit dhe Diderosë.

Pjesa më e lartë e dijes morale, politike, shkencore dhe letrare franceze i bëri paraardhësit tanë politikë më të ditur, duke na i lehtësuar kohët që do të vinin. Pa ata, fatet tona do të kishin qenë të errëta. Pa dritë, qoftë edhe me sy, ne jemi të verbër. Le të urojmë dhe shpresojmë sot se lidhja me këtë pjesëmarrje të ndritur të njerëzve në demokraci e Republikë nuk ka humbur në rrugë e sipër. Në këtë kuptim, ne e urojmë festën kombëtare të Republikës franceze si një datë që na përkujton të gjithëve detyrat që kemi për përmbushjen e lirisë dhe barazisë.

Që nga koha e Konicës, edhe shumë artistë dhe studiues të tjerë shqiptarë kanë vazhduar të frymëzohen nga kultura franceze. Nga shkrimtari ynë më i njohur i gjallë Ismail Kadare te kitaristi ynë klasik me famë botërore Ehat Musa e te profesori i filozofisë i riatdhesuar së fundmi, Muhamedin Kullashi.

Gjithashtu, jam i lumtur të them se në nivel politik dy republikat tona gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe. Franca ishte një nga vendet e para që njohu shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës. Që atëherë, ne kemi vazhduar të kultivojmë miqësinë tonë të çmuar, duke përfshirë këtu edhe anëtarësimin tonë si në Organizatën Ndërkombëtare ashtu dhe në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë. Qeveria ime i çmon shumë marrëdhëniet tona dypalëshe dhe është e vendosur t’i promovojë ato edhe më tej në të ardhmen.

Bonne Fête Nationale! Merci beaucoup!
Gëzuar Festa Kombëtare! Ju faleminderit shumë!

Last modified: 15 Korrik, 2022

Comments are closed.

×