Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në mbrëmjen japoneze

19 Tetor, 2022

Prishtinë, 19 tetor 2022

Melodi me tinguj nga instrumenti japonez Koto, mbushën Amfiteatrin e Universitetit të Prishtinës, në mbrëmjen japoneze, organizuar nga Ambasada e Japonisë në Kosovë, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Universitetin e Prishtinës dhe partnerët.

Ky rast është vetëm shprehje thellë e respektit të ndërsjellë që kemi ndaj kulturave përkatëse të njëri-tjetrit. Ky aspekt është ura më e mirë ndërmjet dy kombeve tona, ku njerëzit tanë mund të bashkohen dhe të vlerësojnë traditat e njëri-tjetrit, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të mbrëmjes japoneze.

Bashkëpunimi mes dy vendeve tona në sferën e muzikës është i gjallë dhe i mirë, duke përfshirë koncertet e mbajtura si në Kosovë ashtu edhe në Japoni, tha Kryeministri Kurti. Ai tha se një kontribut i fuqishëm dhe i shquar për komunitetin muzikor të Kosovës mbetet bashkëpunimi i ngushtë me dirigjentin Toshio Yanagisawa. Kryeministri vlerësoi Zotëri Yanagisawa, i cili për shumë vite, jo vetëm që ndihmoi në zhvillimin e Filarmonisë së Kosovës, por solli edhe ekspertizë japoneze në zhvillimin e muzikës klasike në përgjithësi në Kosovë, përmes muzikës koncertale simfonike.

Kryeministri Kurti tha se kultura japoneze është shënuar tashmë me ar në historinë e kombit tonë të ri. Arti i Xhudos, i themeluar nga Sensei i madh i Jujitsu, Kano Jigoro në fund të shekullit të 19-të, deri më tani, në fillim të shekullit të 21-të, na ka dhënë tre medalje të arta në Lojërat Olimpike, duke përfshirë dy në vitin e fundit në Tokio.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Para tri javësh, me rastin e ceremonisë shtetërore të lamtumirës së ish-Kryeministrit Shinzo Abe, isha në Japoni për vetëm 46 orë. Por, duhet pranuar që çdo ditë, që nga atëherë, për disa minuta në ditë mendoj për Tokion. Përshtypje të thella dhe të paharrueshme.

Shkëlqesia juaj, i ngarkuar me punë i Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Yamanaka,
Shkëlqesi ambasadorë,
Ministra, zëvendësministra, deputetë të Kuvendit,
Të nderuar të pranishëm,

Kam kënaqësinë e veçantë të prezantoj këtë event madhështor që ju keni organizuar së bashku me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ky rast është vetëm shprehje thellë e respektit të ndërsjellë që kemi ndaj kulturave përkatëse të njëri-tjetrit. Ky aspekt është ura më e mirë ndërmjet dy kombeve tona, ku njerëzit tanë mund të bashkohen dhe të vlerësojnë traditat e njëri-tjetrit.

Kultura japoneze është shënuar tashmë me ar në historinë e kombit tonë të ri. Arti i Xhudos, i themeluar nga Sensei i madh i Jujitsu, Kano Jigoro në fund të shekullit të 19-të, deri më tani, në fillim të shekullit të 21-të, na ka dhënë tre medalje të arta në Lojërat Olimpike, duke përfshirë dy në vitin e fundit në Tokio.

Bashkëpunimi mes dy vendeve tona në sferën e muzikës është i gjallë dhe i mirë, duke përfshirë koncertet e mbajtura si në Kosovë ashtu edhe në Japoni. Një kontribut i fuqishëm dhe i shquar për komunitetin muzikor të Kosovës mbetet bashkëpunimi ynë i ngushtë me dirigjentin Toshio Yanagisawa. Zotëri Yanagisawa, për shumë vite, jo vetëm që ndihmoi në zhvillimin e Filarmonisë së Kosovës, por solli edhe ekspertizë japoneze në zhvillimin e muzikës klasike në përgjithësi në Kosovë, përmes muzikës koncertale simfonike.

Koncerti i sontëm është një rast shumë i veçantë, sepse do të kemi mundësinë të dëgjojmë muzikanten e shkëlqyer Atsuko Suetomi, e cila do të luajë për ne në instrumentin tradicional japonez me tela, Koto.

Koto e ka origjinën nga guzheng kinez dhe u soll në Japoni në shekullin e 8-të. Është një instrument që përfaqëson një pjesë të madhe të kulturës muzikore japoneze, dhe një instrument që është shfaqur herë pas here edhe në muzikën moderne perëndimore, nga David Bowie te Queen te Dr. Dre. Dhe, nëse nuk gabohem, sonte do të dëgjojmë edhe një nga këngët tona tradicionale folklorike të luajtura në Koto, duke simbolizuar kështu lidhjen e fortë mes dy kombeve tona.

Së bashku me muzikanten e mrekullueshme znj. Suetomi, do të shijojmë një vallëzim

tradicional japonez nga znj. Rokufumi Izumi, që do të pasurojë më tej përvojën tonë.

Ndërsa presim artistët, edhe një herë ju mirëpres të gjithëve në këtë ngjarje. Dhe ju uroj mysafirëve tanë nga Japonia një qëndrim të këndshëm në Kosovë, në mesin e komunitetit tonë muzikor gjithnjë në rritje.

Ju falemnderit shumë!​

Last modified: 19 Tetor, 2022

Comments are closed.

×