Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në manifestimin me rastin e 150-vjetorit të lindjes së atdhetarit e poetit Asdrenit

11 Prill, 2022

 

Prishtinë, 11 prill 2022

Asdrenit do t’i mjaftonte vetëm poezia “Himni i Flamurit” për t’u radhitur në plejadën e shkrimtarëve të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare. Një poezi që sublimoi idetë e luftës sonë të drejtë për liri e pavarësi, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e hapjes së manifestimit kulturor me rastin e 150-vjetorit të lindjes së atdhetarit e poetit Aleksandër Stavre Drenova, Asdrenit.

Kryeministri Kurti tha se vargjet e himnit i këndojmë sa herë që ngrihet e valëvitet flamuri, nëpër mbledhje solemne përkujtimore e nëpër tubime festive. Ai theksoi se në Kosovë sidomos i këndojmë thuajse për çdo ditë gjatë stinës së pranverës, kur kujtojmë dëshmorët e luftës epokale për çlirimin e Kosovës në vitet 1998-1999. I ka kënduar Adem Jashari me pjesëtarë të familjes së tij në çastet e përballjes finale me armikun. I kanë shqiptuar dëshmorët dhe heronjtë e kombit, prandaj ato janë të pashqitura nga kujtesa jonë kombëtare e do të mbeten të tilla për sa kohë që do të rrojë kombi e atdheu ynë, tha ai.

Fjalët e Asdrenit ishin motivi i manifestimit “Na flet Asdreni” organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë.

Nën drejtimin artistik të Mjeshtrit të madh, Josif Minga, artistë të shquar nga Shqipëria dhe Kosova, nderuan kujtimin e poetit me interpretimet e tyre në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Me pjesëmarrjen e korit kameral “Dardanica”, nën drejtimin e Edon Ramadanit, të formacionit orkestral nën drejtimin e Visar Kuçit, Zhulieta Sheremeni, Artan Bakija, Zamira Kita, Ligoraq Riza, Kristian Koroveshi, Grupit Polifonik i Burrave Drenovë, si dhe me intervista të personaliteteve dhe imazhe të shumta dokumentare, u kujtua dhe rrëfye jeta e veprimtaria e një prej figurave më të rëndësishme të kulturës shqiptare.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuari ambasador i Republikës së Shqipërisë, z.Qemal Minxhozi,
I nderuari Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z.Hajrulla Çeku,
I nderuari Ministër i Shëndetësisë, z.Rifat Latifi,
I nderuari profesor e akademik, z. Rexhep Qosja,
Të nderuar artistë,
Të nderuar pjesëmarrës të kësaj veprimtarie artistike me rastin e 150-vjetorit të lindjes së Asdrenit,

Ju falënderoj për nismën tuaj për të nderuar kujtimin e atdhetarit të madh Aleksandër Stavre Drenova, i cili na ka dhuruar Himnin e Flamurit tonë!

Si sot, vargjet e himnit i këndojmë sa herë që ngrihet e valëvitet flamuri, nëpër mbledhje solemne përkujtimore e nëpër tubime festive. Këtu në Kosovë sidomos i këndojmë thuajse për çdo ditë gjatë stinës së pranverës, kur kujtojmë dëshmorët e luftës epokale për çlirimin e Kosovës në vitet 1998-1999. I ka kënduar Adem Jashari me pjesëtarë të familjes së tij në çastet e përballjes finale me armikun. I kanë shqiptuar dëshmorët dhe heronjtë e kombit, prandaj ato janë të pashqitura nga kujtesa jonë kombëtare e do të mbeten të tilla për sa kohë që do të rrojë kombi e atdheu ynë. Dhe, patjetër që Shqipëria do të rrojë, sepse siç e thotë himni, e e këndojmë ne “për të, për të luftojmë ne!”.

Asdrenit do t’i mjaftonte vetëm poezia “Himni i Flamurit” për t’u radhitur në plejadën e shkrimtarëve të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare. Një poezi që sublimoi idetë e luftës sonë të drejtë për liri e pavarësi, si më parë kur ato ishin parashtruar në manifestin e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Vargjet e himnit na flasin për dëshirën e qëllimin e shqiptarëve, për betimin e tyre për shpëtimin e atdheut. Na flasin për guximin që duhet të tregojmë në përballje me luftën e rrezikun, por edhe për çdo çast teksa përpiqemi të kapërcejmë vështirësitë, gjatë rrugës sonë për zhvillim dhe përparim kolektiv.

Të nderuar artistë, të nderuar pjesëmarrës,

Sigurisht që “Himni i Flamurit” është poezia më e njohur e Asdrenit, por ai do ta kishte vendin e tij në plejadën e shkrimtarëve shqiptarë edhe nëse nuk do të ishte autor i himnit. Vepra e tij e parë poetike erdhi në letrat shqiptare kur sapo ishte shuar poeti ynë kombëtar, prandaj, për nga tematika dhe stili Asdreni u mirëprit si “Naimi i ri”. Me veprat e tij të shkruara përgjatë katër dekadave ai e pasuroi dhe e modernizoi letërsinë shqipe, krahas poetëve tanë më të shquar, si Fishta, Migjeni, Poradeci e të tjerë. Fjalët e Asdrenit janë motivi i këtij spektakli të cilin ju, artistë të shquar nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, do të shfaqni sonte për të nderuar kujtimin e poetit. Për pjesën më të madhe të jetës së tij, Asdreni jetoi larg atdheut dhe mallin e dëshirën që i buronte nga shpirti i shndërroi në fjalë.

Pas pak Asdreni do të na flasë sërish, përmes talentit të artistëve tanë.

Ju falemnderit dhe suksese.

 

 

Last modified: 13 Maj, 2022

Comments are closed.

×