Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në manifestimin e 144-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit

10 Qershor, 2022

Prizren, 10 qershor 2022

10 Qershori 1878 për ne, shqiptarët, është një datë e themelimit, jo më pak e rëndësishme se datat e 28 Nëntorit dhe 17 Shkurtit, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në manifestimin që u mbajt në Prizren, për nder të 144-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

Në fjalën e rastit, kryeministri Kurti theksoi që Kuvendi në Prizren nisi si mbledhje e përfaqësuesve të krahinave shqiptare që rrezikoheshin drejtpërdrejt nga pushtimi prej shteteve ballkanike të kohës, që shqiptarët nuk i konsideronin si komb.

Kuvendi, sipas kryeministrit, nuk u mjaftua me masat ushtarake mbrojtëse, por shpalli se ai ishte kuvend përfaqësues i të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm i popullatës së disa krahinave, se shqiptarët ishin një komb, që do të thoshte se territori ku jetonin u takonte atyre dhe se vetëm ata mund të vendosnin për veten e tyre.

Shqiptarët po kërkonin vetëvendosje, të drejta të njëjta me kombet e tjerë të lirë të Evropës, po kërkonin vetëvendosjen përpara se kjo fjalë të kthehej në të drejtën e parë universale të popujve, tha kryeministri Kurti.

Ai nënvizoi se Kuvendi në Prizren dhe kuvendet e tjera të Lidhjes që u mbajtën në vijim dhanë mesazhin se shpëtimi nuk vjen nga jashtë. Nëse i var shpresat krejtësisht te shtetet e tjera, veten e konsideron objekt dhe nuk të mbetet tjetër veç t’iu përshtatesh interesave të të tjerëve, theksoi kryeministri Kurti.

Lidhja e Prizrenit është një program sepse, siç u shpreh kryeministri, forcimi i shtetit dhe i sovranitetit është garancia më e mirë që ka një komb për sigurinë e tij, aleancat, zhvillimin ekonomik, bashkëpunimin e gjithanshëm ndërkombëtar dhe pjesëmarrjen në procese integruese rajonale, kontinentale dhe globale.

Kryeministri foli edhe për krizën e rëndë me të cilën po përballet sot kontinenti i Evropës, shkaku i agresionit dhe invazionit të paprovokuar dhe të pa justifikuar në Ukrainë.

Jo shumë larg prej nesh, kombi ukrainas po lufton për ekzistencën, lirinë, atdheun dhe shtetin e vet, tha kryeministri Kurti dhe shtoi se Rusia në vend që të bashkëpunojë për sigurimin e paqes në botë, po ringjall ëndrrat perandorake të fashizmit e komunizmit sovjetik.

Sot nevojitet solidariteti me viktimën dhe dënimi i agresorit. Nevojitet ndihma ndaj luftës çlirimtare dhe izolimi i agresorit, njëjtë si në vitet 1998-1999 kur NATO i erdhi në ndihmë popullit shqiptar të Kosovës, tha kryeministri.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në aktivitetin qendror për shënimin e 144-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit

E nderuara Kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, znj.Lindita Nikolla,
E nderuar Nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj.Saranda Bogujevci
E nderuar profesore e historisë, znj.Albina Drançolli-Ramadani,
Të nderuara ministre e ministra,Të nderuar deputetë të Kuvendit,
Të nderuar kryetarë të komunave,
Të nderuar përfaqësues të Korit Diplomatik,
Të nderuar përfaqësues të komuniteteve fetare,
Të nderuar veprimtarë e shkrimtarë, zyrtarë të lartë e përfaqësues nga Shqipëria, Presheva, Medvegja e Bujanovci, nga Mali i Zi e Maqedonia e Veriut,
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,

Sot, si për çdo 10 Qershor, jemi mbledhur në Prizren për të përkujtuar hapjen e atij Kuvendi të madh, i cili shënoi fillimin e asaj lëvizjeje, që në histori do të njihej me emrin Lidhja Shqiptare e Prizrenit.

10 Qershori 1878 për ne, shqiptarët, është një datë e themelimit, jo më pak e rëndësishme se datat 28 Nëntorit dhe 17 Shkurt. Më 28 Nëntor 1912 një kuvend tjetër i shqiptarëve kurorëzoi programin e bashkimit të shqiptarëve, që u shpall më 10 Qershor, ndërsa më 17 Shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës ndreqi një padrejtësi shekullore, duke realizuar një pjesë të rëndësishme të po atij programi, që nuk u plotësua dot më 1912.

Ç’do të thotë të kesh idetë e Lidhjes së Prizrenit si program? Kuvendi në Prizren nisi si mbledhje e përfaqësuesve të krahinave shqiptare, që rrezikoheshin drejtpërdrejt nga pushtimi prej shteteve ballkanike të kohës, të cilat shqiptarët nuk i konsideronin si komb. Shqiptarët po përballeshin me rrezikun e gjenocidit dhe të spastrimit etnik, shumë kohë më përpara se këto terma të shpikeshin. Mirëpo Kuvendi nuk u mjaftua me masat ushtarake mbrojtëse, sepse nën ndikimin e vizionit të delegatëve më përparimtarë, ai u kthye në një besëlidhje shqiptare, që shpalli disa parime themelore për një jetë të organizuar kolektive e politike në epokën moderne.

Së pari, shpalli se ai ishte kuvend përfaqësues i të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm i popullatës së disa krahinave. Për herë të parë në histori, shqiptarët po flisnin me një zë, po përfaqësoheshin në një kuvend, që cilësisht ua kalonte kuvendeve të mëparshëm midis fiseve dhe krahinave. Për nga pesha historike, Lidhja e Prizrenit ekuivalentin e vet e ka në histori te Besëlidhja e Lezhës.

Së dyti, Kuvendi në Prizren shpalli se shqiptarët ishin një komb, që do të thoshte se territori ku jetonin ata u takonte atyre dhe se vetëm ata mund të vendosnin për veten e tyre. Me fjalë të tjera, shqiptarët po kërkonin vetëvendosje, të drejta të njëjta me kombet e tjerë të lirë të Evropës, po kërkonin vetëvendosjen përpara se kjo fjalë të kthehej në të drejtën e parë universale të popujve.

Së treti, Kuvendi në Prizren dhe kuvendet e tjera të Lidhjes që u mbajtën në vijim dhanë mesazhin se shpëtimi nuk vjen nga jashtë: nëse i var shpresat krejtësisht te shtetet e tjera, veten e konsideron objekt dhe nuk të mbetet tjetër veç t’iu përshtatesh interesave të të tjerëve.

Së katërti, delegatët kërkonin, që territoret ku shqiptarët ishin shumicë të organizoheshin në një njësi autonome, që do të mbante marrëdhënie të mirëpërcaktuara me Portën e Lartë, pra si një subjekt politik i veçantë brenda perandorisë. Kjo nënkuptonte se Lidhja e Prizrenit po synonte krijimin e një shteti shqiptar, që do të kishte sovranitet të brendshëm, edhe pse përkohësisht do të kishte sovranitet të kufizuar së jashtmi. Mirëpo, për këdo ishte e qartë, po trasohej rruga drejt sovranitetit të plotë.

Organizimi i përbashkët në një shtet shihej si imperativ për emancipimin dhe zhvillimin ekonomik të një kombi. Këtë Sami Frashëri do ta shprehte qartë në manifestin Shqipëria ç’ka qenë, ç ‘është dhe ç’do të bëhet, që përbën shprehjen më të lartë të programit të Rilindjes sonë Kombëtare. Prandaj, themi se Lidhja e Prizrenit është një ngjarje themeluese, ngaqë ajo hapi një horizont për shqiptarët.

Lidhja e Prizrenit është ngjarje historike, jo në kuptimin e një etape tashmë të mbyllur të së kaluarës, por në kuptimin e një epoke që zgjatohet deri tek e tashmja, ku ne jemi pjesë e saj dhe që na udhëzon për të ardhmen. Lidhja e Prizrenit është një program, sepse forcimi i shtetit dhe i sovranitetit është garancia më e mirë që ka një komb për sigurinë e tij, aleancat, zhvillimin ekonomik, bashkëpunimin e gjithanshëm ndërkombëtar dhe pjesëmarrjen në procese integruese rajonale, kontinentale dhe globale.

Kontinenti i Evropës po përballet sot me një krizë të rëndë. Jo shumë larg prej nesh, kombi ukrainas po lufton për ekzistencën, lirinë, atdheun dhe shtetin e vet. Ai është sulmuar padrejtësisht dhe barbarisht prej njërit prej pesë shteteve garantuese të rendit botëror të vendosur që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Rusia në vend se të bashkëpunojë për sigurimin e paqes në botë, por ringjall ëndrrat perandorake të fashizmit e komunizmit sovjetik.

Sot nevojitet solidariteti me viktimën dhe dënimi i agresorit. Nevojitet ndihma ndaj luftës çlirimtare dhe izolimi i agresorit, kujtojmë këtu vitet 1998-1999 kur NATO-ja i erdhi në ndihmë popullit shqiptar të Kosovës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës po zhvillonte një luftë të drejtë, prandaj edhe NATO shënjestroi makinerinë serbe të luftës që po ndërmerrte gjenocid, njëjtë siç kishte vepruar më parë edhe në Bosnje. Edhe sot në Ukrainë po ndodhin tmerre të njëjta, siç kanë ndodhur edhe në Kosovë dhe në Bosnje. Serbia e sotme është aleati më i ngushtë i Rusisë në Ballkan, sepse udhëheqësit e saj politikë po shohin ëndrra perandorake që sheh Putini, edhe pse në një shkallë më të vogël.

Shqiptarët e Kosovës ndjehen të kërcënuar për sigurinë dhe të ardhmen, prandaj imperativi ynë si republikë demokratike është forcimi i shtetit, bashkëpunimi me Shqipërinë, me vendet e tjera të rajonit ku jetojnë shqiptarët, me aleatët perëndimorë, me NATO-n, me Bashkimin Evropian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me të gjithë vendet demokratike të botës.

Ne kemi nevojë që programin e Lidhjes së Prizrenit ta aktualizojmë në kushtet e sotme, që përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të mblidhen sa më shpesh e të flasin me njëri-tjetrin për gjendjen e kombit, për mbrothësinë e tij në shtetet ku ndodhet sot, për të drejtat e shqiptarëve dhe për bashkëjetesën e tyre me kombet fqinjë, për demokracinë dhe integrimin me Perëndimin. Integrimi pra brenda-shqiptar nuk kërcënon askënd dhe ai duhet të jetë baza nga e cila nis bashkëpunimi e solidariteti rajonal.

Ne kemi interes në zhvillimin, demokratizimin dhe integrimin së bashku të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Aleancën Veriatlantike e në Bashkimin Evropian, sepse kjo është, në radhë të parë, e mira e shqiptarëve, sikurse që besojmë se është edhe e mira e kombeve fqinjë me neve. Lidhja e Prizrenit na kujton atë që të tjerët tashmë e kanë pranuar, se shqiptarët janë faktor i rëndësishëm në Ballkan. Për të mirën tonë, për paqen në rajon dhe për pjesëmarrjen tonë në aleanca e integrime evropiane, na duhet të veprojmë si një faktor unik.

Ju falemnderit e Gëzuar.

Last modified: 14 Korrik, 2022

Comments are closed.

×