Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në lansimin e shërbimeve të reja elektronike në portalin e-Kosova

9 Qershor, 2022

Prishtinë, 9 qershor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, morën pjesë në lansimin e shërbimeve të reja elektronike në portalin e-Kosova, që përfshijnë certifikatën e lindjes, ekstraktin e lindjes, certifikatën e martesës dhe certifikatën e vdekjes, si dhe shërbimin për vazhdimin e regjistrimit të veturës.

Në fjalën e rastit, kryeministri Kurti vlerësoi rëndësinë e digjitalizimit të shërbimeve të cilat do të krijojnë lehtësira për qytetarët e veçanërisht për mërgatën. Këto shifra tregojnë se portali e-Kosova si dritare qendrore për ofrimin e shërbimeve qeveritare është duke u pranuar mirë nga qytetarët tanë. Ne do të vazhdojmë me digjitalizimin e shërbimeve që ka për synim lehtësimin e jetës së tyre. Shërbimet elektronike janë veçanërisht të rëndësishme për mërgatën tonë, ajo ka nevojë për mundësinë e qasjes në shërbime qeveritare edhe nga largësia, tha kryeministri Kurti.

Më tej, kryeministri Kurti tha se me transformimin digjital gjithëpërfshirës synojmë avancimin, jo vetëm të administratës publike, por edhe të sistemit arsimor, sektorit të shëndetësisë, sistemit të drejtësisë dhe të gjitha fushave të tjera të qeverisjes. Po hedhim bazat strategjike të digjitalizimit në të gjithë sektorët dhe jemi të përkushtuar të kemi qasje të unifikuar, të bashkërenduar dhe të harmonizuar ndaj digjitalizimit, theksoi ai.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Qeveria e Kosovës, respektivisht MPB, në kuadër të angazhimeve e objektivave të saj kryesore ka digjitalizimin e shërbimeve të administratës publike, duke synuar shërbime më efikase, më kualitative, të qasshme, e më të lira për qytetarët dhe bizneset.

Ndër prioritetet e programit qeverisës të Republikës së Kosovës 2021-2025 është edhe funksionalizimi i platformës e-Kosova, përmes së cilës çdo qytetari dhe biznesi t’i ofrohen shërbime nga institucionet publike pa prani fizike, tha ministri Sveçla. Referuar këtij prioriteti Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) dhe Agjencia e Regjistrimit Civil kanë arritur të digjitalizojnë disa nga shërbimet e gjendjes civile dhe të regjistrimit të automjeteve, të cilat shërbime i përkasin Ministrisë së Punëve të Brendshme, shtoi ai.

Demonstrimin e shërbimeve të lansuara sot përmes platformës e-Kosova, e bëri përfaqësuesi i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, Atdhe Buja.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuar ministër i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla,
Të nderuar zyrtarë të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit dhe Agjencisë për Regjistrim Civil,
Të nderuara medie,

Sot po vazhdojmë me lansimin e disa shërbimeve të reja elektronike për qytetarët tanë. Grupi i parë i shërbimeve elektronike që po e lansojmë sot ka të bëjë me gjenerimin online të certifikatave të gjendjes civile. Qytetarët do të kenë mundësi që përmes portalit e-Kosova, pa pagesë, të nxjerrin certifikatat e gjendjes civile, për veten dhe familjarët e ngushtë të tyre. Autenticiteti i certifikatave të nxjerra online përmes e-Kosova mund të verifikohet përmes QR kodit, prandaj për institucionet e Republikës së Kosovës këto certifikata janë të barasvlershme me certifikatat që nxirren me prani fizike në sportele dhe e-kiosqe.

Shërbimi tjetër elektronik që po e lansojmë ka të bëjë me vazhdimin e regjistrimit të veturës për qytetarë dhe biznese. Vazhdimi i regjistrimit të veturës është një proces që përfshin shumë palë. Shërbimi që po e lansojmë sot, në masë të madhe e digjitalizon pjesën e procesit që kryhet në qendrat e regjistrimit të automjeteve dhe në komuna. Kjo do të shkurtojë dukshëm kohën e nevojshme që qytetarët duhet ta shpenzojnë për të vazhduar regjistrimin e veturës.

Pilotimi i pagesave elektronike për shërbime qeveritare që e bëmë në dhjetor ka mundësuar realizimin e shërbimit për vazhdim të regjistrimit të veturës, dhe ka hapur rrugë edhe për digjitalizimin e shërbimeve të tjera që përfshijnë pagesa ndaj Thesarit. Sot portali qeveritar ka mbi 670,000 shfrytëzues të regjistruar. Deri më tani janë realizuar mbi 520,000 përdorime të shërbimeve të kategorisë “Shëndetësia” që përfshin shërbime për termine të vaksinimit dhe të pasaportës së vaksinimit. Janë realizuar mbi 530,000 përdorime të shërbimeve të faturës së tatimit në pronë, dhe mbi 370,000 përdorime të shërbimeve për gjobat në trafik.

Këto shifra tregojnë se portali e-Kosova si dritare qendrore për ofrimin e shërbimeve qeveritare është duke u pranuar mirë nga qytetarët tanë. Ne do të vazhdojmë me digjitalizimin e shërbimeve që ka për synim lehtësimin e jetës së tyre. Shërbimet elektronike janë veçanërisht të rëndësishme për mërgatën tonë, ajo ka nevojë për mundësinë e qasjes në shërbime qeveritare edhe nga largësia.

Tashmë është duke u punuar në shërbimin për shkarkimin online të certifikatës së pronës, në inkuadrimin e pagesave për Fondin e Sigurisë në e-Kosova, si dhe digjitalizimin e shërbimit të pagesës për shërbime gjyqësore, dhe presim që së shpejti të bëjmë lansimin edhe të këtyre shërbimeve. Po ashtu, është duke u punuar me komunat dhe operatorët e shërbimeve që edhe pagesa e mbeturinave, ujit dhe energjisë elektrike të mund të bëhen edhe përmes e-Kosovës.

Digjitalizimi i disa shërbimeve do të mund të bëhet më shpejtë, por digjitalizimi në shumë fusha ballafaqohet me sfida, që mund të jenë rezultat i procedurave administrative të komplikuara, apo i mungesës së ndërveprueshmërisë së regjistrave kyç elektronik. Një shembull i tillë është edhe mungesa e ndërlidhjes së qytetarit me adresën, që është një barrierë e kahmotshme me implikime të shumta negative, dhe që ka qenë e patrajtuar deri më tani. Bashkëpunimi i mirë ndërmjet institucioneve tona ka mundësuar që të avansohet me adresimin e kësaj çështje, dhe presim që së shpejti të fillojmë me implementimin e pilot projektit që do ta trajtojë këtë çështje në 2 komunat e para.

Në rrugëtimin tonë drejt digjitalizimit duhet të sigurohemi që ai të jetë i ndërlidhur ngushtë me reformën dhe modernizimin e administratës publike. Strategjia e re e reformës së administratës publike dhe programi i parandalimit dhe zvogëlimit të barrës administrative tashmë janë finalizuar, dhe ndodhen në fazën e konsultimeve publike. Këto dokumente strategjike do të shërbejnë si udhërrëfyes për përmirësimet dhe optimizimet që duhet të bëhen në ligje dhe në akte nënligjore, të cilët janë parakusht për krijimin e shërbimeve elektronike që në qendër e kanë qytetarin.

Me transformimin digjital gjithëpërfshirës synojmë avansimin jo vetëm të administratës publike, por edhe sistemin arsimor, sektorin e shëndetësisë, sistemit të drejtësisë dhe të gjitha fushave të tjera të qeverisjes. Derisa po hedhim bazat strategjike të digjitalizimit në të gjithë sektorët, jemi të përkushtuar të kemi qasje të unifikuar, të bashkërenduar dhe të harmonizuar ndaj digjitalizimit.

Falënderojmë ekipet e Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit dhe Agjencisë për Regjistrim Civil, për angazhimin e tyre në realizimin e shërbimeve të cilat po i lansojmë sot.

Dhe lajmi i fundit që mora është se për më pak se tri orë prej se kemi shkëmbyer njoftimet se do të mbahet ky lansim, tashmë janë shkarkuar mbi 500 formularë të gjendjes civile në formë elektronike. Ende pa e lansuar rezultatet kanë nisur të jenë masive, andaj pa dyshim që kjo na e vërteton se jemi në rrugën e duhur.

Ju faleminderit.

Last modified: 13 Korrik, 2022

Comments are closed.

×