Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në inaugurimin e Shkollës Kombëtare të Kërkimit në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit në Kosovë

3 Mars, 2023

Prishtinë, 3 mars 2023

Sot u inaugurua Shkolla Kombëtare e Kërkimit në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit në Kosovë. Me këtë rast, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte i ftuar si një nga folësit kryesor në këtë ceremoni.

Në fjalën e tij kryeministri Kurti tha se dixhitalizimi padiskutim po formëson të tashmen dhe të ardhmen tonë dhe se roli dhe potenciali i tij nuk mund të kontestohen në vitin 2023.

Ai shprehu përkushtimin e Qeverisë në përdorimin e teknologjisë për të rritur transparencën dhe llogaridhënien në qeverisje, për të përmirësuar shërbimet për qytetarët dhe bizneset tona dhe për të rritur produktivitetin dhe konkurrencën e ekonomisë sonë.

“Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit në vendin tonë ka një potencial të madh. Këtë muaj do të arrijmë mbulimin e plotë të zonave të banuara me infrastrukturë të internetit broadband. Me një industri dhe komunitet të gjallë, TIK-u është një nga sektorët e paktë ku kemi një bilanc pozitiv tregtar. Pra, nuk është befasi që procesi i vazhdueshëm i vlerësimit të Strategjisë së Specializimit të Zgjuar e ka identifikuar tashmë TIK-un si një nga pesë sektorët prioritarë në ekonominë tonë që kanë potencialin më të lartë për rritje dhe inovacion’’, u shpreh kryeministri.

Në bashkëpunim me qeverinë gjermane, Qeveria e Kosovës, theksoi kryeministri, vazhdon të investojë në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren – si një nga platformat kyçe brenda ekosistemit tonë kombëtar të inovacionit. Ai bëri të ditur po ashtu se së shpejti do të inaugurohet Parku i Teknologjisë Dixhitale në Bërnicë, që patjetër ofron edhe një platformë që do të sigurojë infrastrukturën për zhvillimin dhe rritjen e industrisë së TIK-ut.

Shkolla Kombëtare e Kërkimeve, sipas kryeministrit, është një bllok i rëndësishëm ndërtimi i progresit që synojmë të krijojmë dhe se programi do të ndihmojë në zhvillimin e ideve inovative që kanë potencial për të krijuar produkte, biznese dhe vende pune të reja dhe për këtë arsye do ta udhëheqin këtë vend drejt hapave transformues.

Duke folur për projektin, ai vendosi theksin edhe te një aspekt i rëndësishëm i tij, e që është përfshirja e diasporës sonë akademike, e cila në radhët e saj ka shumë profesionistë, hulumtues, akademikë dhe ndërmarrës. Andaj, na duhet ta zhbllokojmë potencialin e bashkëpunimin duke krijuar mundësi për diasporën tonë që të sjellë në Kosovë dijen, ekspertizën dhe përvojën e tyre në fusha të ndryshme, shtoi kryeministri.

Në fund, Kryeministri përgëzoi Universitetet partnere për këtë projekt të shkëlqyer dhe u uroi suksese në zbatimin e tij.

I nderuari Rektor i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi,
I nderuar ambasador i Norvegjisë, Jens,
E nderuara Përfaqësuese e Ambasadës Suedeze, Katja,
E nderuara zëvendësministre e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdynaj,
E nderuara zëvendësministre e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi,
Të nderuar prorektorë të Universitetit të Prishtinës, Llulaku dhe Avidija
Të nderuar dekanë, Vehapi dhe Shabani
E nderuara përfaqësuese e Zyrës Ndërlidhëse Greke, Helleni Vakali
Të nderuar partnerë të projektit, të nderuar rektorë, profesorë dhe akademikë,

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Është kënaqësi për mua të marr pjesë në inaugurimin e Shkollës Kombëtare të Kërkimit në TIK në Kosovë. Pra, mirëmëngjes për të gjithë ju dhe urime të gjithëve.

Digjitalizimi padiskutim po formëson të tashmen dhe të ardhmen tonë, roli dhe potenciali i tij nuk mund të kontestohen në vitin 2023. Si i tillë digjitalizimi është një faktor vendimtar për reformat kombëtare dhe nxitjen e rritjes ekonomike, zhvillimit social dhe qeverisjes së mirë. Prandaj, ne jemi të përkushtuar të përdorim teknologjinë për të rritur transparencën dhe përgjegjshmërinë në qeverisje, për të përmirësuar shërbimet për qytetarët dhe bizneset tona dhe për të rritur produktivitetin dhe konkurrencën e ekonomisë sonë. Të dhënat mbështesin angazhimin tonë si qeveri. Vitin e kaluar, numri i shërbimeve elektronike arriti në 130, ndërsa në indeksin GTMI të Bankës Botërore, u ngjitëm nga grupi C në grupin B për fokusin në qeverisjen digjitale.

Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit në vendin tonë ka një potencial të madh. Këtë muaj do të arrijmë mbulimin e plotë të zonave të banuara me infrastrukturë të internetit “broadband”. Me një industri dhe komunitet të gjallë, TIK-u është një nga sektorët e paktë ku kemi një bilanc pozitiv tregtar. Pra, nuk është befasi që procesi i vazhdueshëm i vlerësimit të Strategjisë së Specializimit të Zgjuar e ka identifikuar tashmë TIK-un si një nga pesë sektorët prioritarë në ekonominë tonë që kanë potencialin më të lartë për rritje dhe inovacion.

Megjithatë, çlirimi i këtij potenciali kërkon një furnizim të qëndrueshëm të profesionistëve të aftë të TIK-ut. Janë 10 universitete dhe kolegje në Kosovë që ofrojnë studime në shkenca kompjuterike dhe inxhinieri kompjuterike. Qeveria dhe partnerët tanë të zhvillimit janë aktualisht të angazhuar në trajnimin e më shumë se 3500 të rinjve në fusha të ndryshme të TIK-ut. Sektori privat po ofron gjithashtu programe trajnimi për TIK që synojnë të përgatisin të rinjtë kosovarë për tregun e punës në TIK. Megjithatë, kërkesa për profesionistë të kualifikuar të TIK-ut është shumë më e lartë se oferta e disponueshme dhe kjo përbën një sfidë kyçe për rritjen e qëndrueshme të sektorit.

Rritja e qëndrueshme e sektorit të TIK-ut kërkon gjithashtu një ekosistem inovativ i cili do të sigurojë infrastrukturën dhe lidhjet e nevojshme ndërmjet arsimit, kërkimit, inovacionit dhe sipërmarrjes. Qeveria jonë është angazhuar në disa nisma që synojnë rritjen e kapaciteteve kërkimore dhe inovative në vendin tonë.

Në bashkëpunim me qeverinë gjermane, ne po vazhdojmë të investojmë në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren – si një nga platformat kryesore brenda ekosistemit tonë kombëtar të inovacionit. Së shpejti do të inaugurojmë Parkun e Teknologjisë Digjitale në Bërnicë, në periferi të Prishtinës, dhe kjo paraqet një platformë tjetër që do të ofrojë infrastrukturën për zhvillimin dhe rritjen e industrisë së TIK-ut.

Rreth një vit më parë, ne u bëmë anëtare e Horizon Europe. Së fundmi kemi përfunduar negociatat për t’iu bashkuar një programi tjetër të rëndësishëm të BE-së, pikërisht Evropa Digjitale. Anëtarësimi në këto programe ofron mundësi shtesë për institucionet tona qeveritare, kompanitë private dhe studiuesit që të aplikojnë për projekte kërkimore të financuara nga këto programe.

Në fund të vitit të kaluar kemi inauguruar Rrjetin Kosovar për Hulumtim dhe Edukim (KREN). KREN u ofron institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë qasje në infrastrukturë, platforma, softuer dhe literaturë moderne, si dhe mundësi për bashkëpunim kombëtar dhe ndërkombëtar dhe shkëmbim njohurish. Përmes implementimit të KREN-it, Kosova i është bashkuar edhe rrjetit më të madh akademik pan-evropian GÉANT.
Aktualisht jemi duke pilotuar Sistemin Informativ Kërkimor të Kosovës (KRIS), një projekt i cili do të mbështesë kërkimin përmes një infrastrukture të ndërlidhur, financimit të shtuar dhe bashkëpunimit vendor dhe ndërkombëtar në projekte shkencore.

Të nderuar pjesëmarrës, profesorë, studentë, studiues,

Shkolla Kombëtare e Kërkimeve që ne po përurojmë sot është një bllok i rëndësishëm ndërtimi i progresit që synojmë të krijojmë. Programi do të ndihmojë në zhvillimin e ideve inovative që kanë potencial për të krijuar produkte, biznese dhe vende pune të reja dhe për këtë arsye do ta udhëheqin këtë vend drejt hapave transformues. Dhe përpiquni ta bëni këtë sa më shpejt dhe sa më parë të jetë e mundur. Ky projekt sjell një bashkëpunim shumë të nevojshëm mes universiteteve prestigjioze evropiane dhe atyre kombëtare. Gjithashtu na sjell një hap më tej në krijimin e një ekosistemi inovativ ku mund të lindin dhe ndërtohen idetë.

Dhe, në fund por jo më pak e rëndësishme, do të doja të theksoja një aspekt tjetër kyç të këtij projekti – përfshirjen e diasporës sonë akademike. Çdo i treti qytetar i Kosovës nuk është rezident në Kosovë. Remitancat nga diaspora jonë arrijnë në 20% të PBB-së. Pra, ka shumë punë të palodhur dhe shumë ide nga diaspora jonë që ne planifikojmë t’i kthejmë dhe ndoshta të arrijmë ta kthejmë ikjen në kthim të trurit.

Nuk ka dyshim se diaspora është kontribuuesi kryesor në ekonominë e Kosovës. Ky ndikim mund të jetë më i madh dhe më inovativ me struktura të tilla si ky projekt, i vënë në funksion. Diaspora kosovare ka shumë profesionistë, studiues, akademikë dhe ndërmarrës. Ne duhet ta zhbllokojmë këtë potencial bashkëpunues duke i krijuar mundësi diasporës sonë që të rikthejë në Kosovë njohuritë, ekspertizën dhe përvojën e saj në fusha të ndryshme. Ky projekt i zhvillimit të programit të doktoraturës në TIK është një shembull i shkëlqyer se si mund të arrihet ky kthim i trurit.

Dëshiroj të përgëzoj Universitetet partnere për këtë projekt të shkëlqyer dhe t’ju uroj suksese në zbatimin e tij.

Faleminderit.

 

Last modified: 7 Mars, 2023

Comments are closed.

×