Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në drekën e shtruar nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis

9 Prill, 2022

 

Delfi, 9 prill 2022

Në përmbyllje të Forumit Ekonomik të Delfit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në drekën e shtruar nga Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis. Në drekë ishin të pranishëm kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, kryetari i Qeverisë së Bosnje Hercegovinës, Zoran Tegeltija dhe kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov.

Gjatë drekës u bisedua për intensifikimin e bashkëpunimit rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, situatën e sigurisë në Evropë dhe në rajon, pas invazionit dhe agresionit të Federatës Ruse në Ukrainë, si dhe për ndihmën që të gjithë duhet t’i japim popullit ukrainas. Në veçanti u diskutua për luftimin e korrupsionit, demokratizimin dhe integrimin evropian, si shtylla të domosdoshme për paqe e prosperitet në Ballkan.

Që të ruhet paqja dhe stabiliteti afatgjatë, kryeministri Kurti tha se është i domosdoshëm integrimi sa më i shpejtë dhe i plotë i Ballkanit Perëndimor në strukturat e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.

Që në fillim të agresionit dhe invazionit rus në Ukrainë, Kosova dhe populli i saj e kanë dënuar dhe janë bashkuar me botën demokratike, në përkrahje të luftës çlirimtare të popullit të Ukrainës, tha kryeministri Kurti. Qeveria e Republikës së Kosovës për të ndihmuar popullin ukrainas ka ofruar strehim për 5.000 refugjatë dhe  20 gazetarë ukrainas.

 

Last modified: 13 Maj, 2022

Comments are closed.

×