Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mirëpriti në zyrën e tij ekipin e Shoqatës së Kosovës për Kërkim Shpëtim që ishte në Turqi

17 Shkurt, 2023

Prishtinë, 17 shkurt 2023
Pikërisht në 15-vjetorin e Pavarësisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti ekipin e Shoqatës së Kosovës për Kërkim Shpëtim (SHKKSH) që operoi për pesë ditë radhazi në ndihmë të autoriteteve turke në operacione të kërkim shpëtimit pas tërmetit shkatërrues të 6 shkurtit në Turqi.
Ekipi i SHKKSH njoftoi kryeministrin Kurti për veprimet dhe përvojat individuale dhe ekipore të ekipit gjatë zhvillimit të operacionit të kërkim shpëtimit në lokacionin Hataya, një nga zonat më të goditura dhe më të dëmtuara nga tërmeti.
Ekipi kosovar i kërkim shpëtimit gjatë ditëve sa operoi në zonën e Hataya shpëtoi jetën e dy vajzave, njëra 3 vjeçare dhe tjetra 26 vjeçare.
Autoritetet turke dhe ekipet tjera ndërkombëtare kanë vlerësuar lart profesionalizimin dhe vetëmohimin e treguar të ekipit të SHKKSH gjatë kryerjes së operacioneve të kërkim shpëtimit.
Kryeministri Kurti përgëzoi ekipin për punën dhe suksesin e treguar gjatë operacionit në Turqi dhe i inkurajoi ata të vazhdojnë të kultivojnë frymën e vullnetarizmit, jo vetëm në organizatë por edhe në shoqëri.
Kryetari i Shoqatës, Mahir Hasani, falënderoi kryeministrin Kurti që pavarësisht angazhimeve për festën e pavarësisë, gjeti kohë të mirëpres dhe takojë ekipin e SHKSHK.
Në këtë takim, Kryeministri Kurti u shoqërua nga Kolonel Ejup Maqedonci, oficer i FSK me përvojë të gjatë në fushën e kërkim shpëtimit.
Shoqata e Kosovës për Kërkim Shpëtim është një organizatë vullnetare që njihet për aktivitete të ndryshme të kërkimit dhe shpëtimit në mbështetje të institucioneve të Kosovës. Gjatë qëndrimin në Turqi, ata kanë bashkëpunuar ngushtë me kontingjentin e FSK-së atje, i cili po vazhdon  angazhimin e tyre në ndihmë të institucioneve turke.

Last modified: 17 Shkurt, 2023

Comments are closed.

×