Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mirëpriti deputetin e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, njëherësh të dërguarin për Tregti në Ballkanin Perëndimor, Martin Vickers

16 Shkurt, 2023

 

Prishtinë, 16 shkurt 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti deputetin e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar nga radhët e Partisë Konservatore, njëherësh i dërguari për Tregti i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Martin Vickers, që po shoqërohej nga Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.

Falënderues për vizitën pikërisht në prag të 15-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij dhe të popullit të Kosovës për ndihmën dhe kontributin e Mbretërisë së Bashkuar për çlirimin, pavarësimin dhe zhvillimin e Kosovës.

Ai e njoftoi z. Vickers për zhvillimet aktuale politike në vend dhe për punën e Qeverisë, që në muajin e ardhshëm shënon 2-vjetorin e formimit. Vëmendje e veçantë iu dha mjedisit të të bërit biznes, rolit të funksionalizimit të Gjykatës Komerciale në atë drejtim, dhe ofertës së Kosovës për investime të huaja nga investitorë dhe kompani nga Mbretëria e Bashkuar. U diskutua edhe për potencialin e Kosovës në energjinë e ripërtëritshme dhe potencialin e investimeve në këtë sektor.

Deputeti i Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Vickers u shpreh i kënaqur që është në Kosovë në vigjilje të festimin të 15-vjetorit të Pavarësisë, marrë parasysh raportet e forta bilaterale ndërmjet dy vendeve. Duke pasur në konsideratë potencialin që ofron Kosova për investitorë të huaj dhe marrëdhëniet e ngrohta ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, z. Vicker ftoi kryeministrin Kurti që në një kohë të përshtatshme ta vizitojë Mbretërinë e Bashkuar me qëllim thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit, sidomos në rrafshin ekonomik dhe të shkëmbimeve tregtare.

Last modified: 16 Shkurt, 2023

Comments are closed.

×