Zyra e Kryeministrit

​Kryeministri Kurti merr pjesë në tryezën e diskutimit të organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike 

20 Prill, 2022

 

Prishtinë​, 20 prill 2022

​Me ftesë të Institutit të Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në një tryezë të diskutimit me gjeneratën e 20-të të Shkollës Politike të organizuar nga po ky institut.

Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti ndër të tjerash tha se demokracia kushtetuese që ka Kosova është forma më e përhapur e demokracisë sepse përbën legjitimitetin më të kuptueshëm të një shoqërie të hapur në një demokraci përfaqësuese. E në demokraci kushtetuese, shtoi ai, janë të shumtë ata që besojnë se liritë politike dhe ekonomike arrihen më së miri atëherë kur tregu lihet të funksionojë pa ndërhyrje nga jashtë. Por ai tha se ne besojmë në rolin e shtetit si rregullator, që duke ndërhyrë me politika shpërndarëse dhe rishpërndarëse balancon zhvillimin dhe krijon bazë për jetesë me mundësi të barabarta zhvillimi.

Pra një demokraci sociale ku shteti krijon një rrjet të sigurisë për qytetarët në mënyrë që atyre t’u hapen krahët e zhvillimit dhe të marrin rreziqet që kërkohen për të arritur suksesin e nevojshëm pa rrezikuar falimentimin nëse dështojnë, u shpreh kryeministri.

Gjatë tryezës së diskutimit kryeministri Kurti gjithashtu iu u përgjigj pyetjeve të shumta dhe të ndryshme të të pranishmëve mbi punën, vendimet, sfidat dhe planet e qeverisë në zbatimin e reformave të brendshme dhe procesin e integrimit euroatlantik, përfshirë dialogun Kosovë – Serbi.

 

Last modified: 13 Maj, 2022

Comments are closed.

×