Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti merr pjesë në konferencën “Progresi në Reformën e Administratës Publike në Kosovë 2022”

24 Shkurt, 2022

Prishtinë, 24 shkurt 2022

Pjesëmarrjen e tij në konferencën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike që për temë kishte Reformën e Administratës Publike, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e filloi duke u solidarizuar me popullin e Ukrainës pas invazionit rus, të cilin e vlerësoi si agresionin më të madh ushtarak që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Më pas, kryeministri Kurti vazhdoi fjalën e tij lidhur me Reformën e Administratës Publike, e cila siç tha ai, ka një rol qendror në Programin e tij Qeverisës.

“Kjo për shkak të rolit të rëndësishëm që ka për lidhjen organike në demokraci ndërmjet shtetit, qytetarëve, shoqërisë civile dhe sektorit privat, si dhe për shkak se aftësia e shtetit për të arritur Reforma në Administratën Publike është standardi kyç për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, u shpreh kreu i Qeverisë.

Një nga përbërësit kryesorë për një zhvillim të qëndrueshëm, sipas kryeministrit Kurti, është një administratë publike efektive, llogaridhënëse dhe e orientuar drejt qytetarëve, derisa theksoi se administrata jonë publike përballet me sfida nga më të ndryshmet.

“Dua të theksoj që pavarësisht avancimit ligjor që kemi bërë si vend në sektorin e administratës publike, kemi trashëguar probleme të shumta. Adresimi i tyre, zgjidhja e tyre, përpos vullnetit dhe kohës, kërkon edhe një qasje transformative. Por, besimi i lartë qytetarë që është edhe përgjegjësi e lartë, njëkohësisht paraqet mundësi të mirë. Me qeverisjen tonë, nevoja e kahmotshme për Reformë të Administratës Publike, përveç pritje dhe kërkesë e qytetarëve, është synim dhe veprim i yni” tha kryeministri Kurti.

Pasi renditi disa nga proceset kryesore në kuadër të reformës së administratës publike në të cilat Qeveria është duke punuar, si ajo e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2030, rishikimi i Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe procesi i zvogëlimit të barrës administrative, kryeministri Kurti theksoi se kjo konferencë sot është një mundësi e mirë për diskutimin e ideve për reformat që synojmë t’i bëjmë.

Fjala e plotë Kryeministrit Kurti:

E nderuara zonja Loxha,

I nderuari Ambasador Szunyog,

I nderuari z. Virant,

Të nderuar pjesëmarrës,

Sot është një mëngjes i trishtë në Evropë, për shkak se në këto çaste që ne ndodhemi këtu në konferencë, në Prishtinë, në Ukrainë po ndodh invazioni rus, i cili është agresioni më i madh ushtarak që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Ne solidarizohemi me popullin e Ukrainës dhe jemi të orientuar bashkë me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar për sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, pavarësinë e vendit dhe të drejtën e vetëvendosjes për popullin e Ukrainës.

Të drejtë të vetëvendosjes kanë popujt dhe në Ukrainë ka popull të Ukrainës.

Megjithatë, kjo konferencë është organizuar shumë më herët dhe ne nuk e kemi ditur se çfarë do të jetë mëngjesi i ditës së sotme, andaj më lejoni që të vazhdoj fjalën time për një temë kaq të rëndësishme për vendin tonë.

Më lejoni të theksoj qysh në fillim se Reforma e Administratës Publike ka një rol qendror në Programin e Qeverisë sonë. Kjo për shkak të rolit të rëndësishëm që ka për lidhjen organike në demokraci ndërmjet shtetit, qytetarëve, shoqërisë civile dhe sektorit privat, si dhe për shkak se aftësia e shtetit për të arritur Reforma në Administratën Publike është standardi kyç për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Siç e kemi theksuar në vazhdimësi gjatë qeverisjes sonë, një nga përbërësit kryesorë për një zhvillim të qëndrueshëm është një administratë publike efektive, llogaridhënëse dhe e orientuar drejt qytetarëve.

Administrata jonë publike përballet me sfida nga më të ndryshmet. Por, nëpërmjet planifikimit të mirë, që do të sjellë reformë të suksesshme dhe të qëndrueshme, ne do t’u përgjigjemi këtyre sfidave. Nëpërmjet planifikimit strategjik do të ofrojmë bazën e nevojshme për reformat dhe rezultatet e mira që synojmë t’i arrijmë. Dua të theksoj që pavarësisht avancimit ligjor që kemi bërë si vend në sektorin e administratës publike, kemi trashëguar probleme të shumta. Adresimi i tyre, zgjidhja e tyre, përpos vullnetit dhe kohës, kërkon edhe një qasje transformative. Por, besimi i lartë qytetarë që është edhe përgjegjësi e lartë, njëkohësisht paraqet mundësi të mirë. Me qeverisjen tonë, nevoja e kahmotshme për Reformë të Administratës Publike, përveç pritje dhe kërkesë e qytetarëve, është synim dhe veprim i yni.

Në këtë drejtim, po i rendis disa nga proceset kryesore dhe më vitale që jemi duke punuar për reformën e administratës publike:

E para, në kuadër të planifikimit strategjik, kemi filluar përgatitjen e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2030. Kjo strategji është imperative për orientimin afatgjatë për zhvillimin e vendit, e që do të përcaktojë, mes tjerash, edhe orientimet dhe caqet për një administratë efektive dhe llogaridhënëse. Po ashtu, kemi filluar edhe përgatitjen e Strategjisë për Reformën e Administratës Publike. Ajo do të përcaktojë qëllimet dhe objektivet tona për pesë vitet e ardhshme. Zbatimi i tyre do të dërgojë në rritjen e efektivitetit, llogaridhënies, transparencës, cilësisë së ofrimit të shërbimeve dhe rritjes e besimit të qytetarëve në administratën e tyre.

E dyta, në kuadër të ndryshimeve ligjore, kemi filluar rishikimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë. Këtë po e bëjmë me qëllim të adresimit të vërejtjeve që ka dhënë Gjykata Kushtetuese, por në të njëjtën kohë për të bërë ndryshime përkatëse që kanë për qëllim ngritjen e profesionalizmit, punësimin e bazuar në meritë dhe depolitizimin e administratës publike. Po ashtu, kemi filluar hartimin e Ligjit të ri për Pagat, i cili do të themelojë sistemin e pagës në Kosovë – sistem aq i munguar dhe aq i nevojshëm. Do të eliminojmë me këtë ligj sisteme dhe mënyra të ndryshme të pagës, duke respektuar parimin thelbësor, pagë e njëjtë për punë të njëjtë. Pra, me anë të këtij ligji do të rregullojmë parimet dhe kriteret e pagës në Kosovë, duke u bazuar në parimet kushtetuese dhe praktikat e mira ndërkombëtare, si dhe duke e ruajtur stabilitetin tonë makro-financiar.

Dhe e treta, së fundmi, Qeveria jonë ka filluar po ashtu procesin e zvogëlimit të barrës administrative për qytetarë dhe biznese, përmes të cilit parashohim të thjeshtojmë procedurat dhe të ulim koston për marrjen e shërbimeve në administratë publike. Nëpërmjet largimit të procedurave të panevojshme që krijojnë barrë dhe nuk i përgjigjen interesit publik, do të kursejmë paranë edhe të qytetarëve edhe të bizneseve. Me këto mjete pastaj do të mund të investojmë e t’i koncentrojmë në fusha të tjera të ekonomisë. Për këtë qëllim, duke e hartuar Programin për Zvogëlimin e Barrës Administrative, i cili do t’iu përgjigjet problemeve dhe sfidave të identifikuara në terren, ne presim dhe do të punojmë për rezultate edhe të mira edhe të shpejta.

Për fund, dëshiroj të theksoj se synimi jonë është të kemi një administratë efektive dhe të besueshme për qytetarët. Kjo konferencë e përgatitur sot nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, është një mundësi e mirë për diskutimin e ideve për reformat që synojmë t’i bëjmë. Prandaj, ju faleminderit të gjithëve për gatishmërinë tuaj për të dhënë kontributin dhe ju ftoj të dialogojmë hapur për të gjitha temat e rëndësishme të cilat sot i kemi para nesh, për Reformën e Administratës Publike.

Ju uroj diskutim të mbarë.

 

Last modified: 24 Shkurt, 2022

Comments are closed.

×